Sport

Gjilani “heq dorë” nga loja e mirë, synon veç fitore

Zekirija Ramadani numëroi shumë gjëra gjatë konferencës për shtyp para ndeshjes kundër Liepajas së Letonisë. Por, trajneri shkupjan tha se vetëm një gjë i intereson të arrijë ekipi tij, Gjilani. Ramadani kërkon fitore të enjten nga futbollistët e tij. Loja e bukur pa rezultat për trajnerin shkupjan nuk ka vlerë.

Ndeshja në mes të Gjilanit dhe Liepajas zhvillohet të enjten në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Ky takim nis nga ora 20:00 dhe i takon rundit të parë të kualifikimeve të Ligës së Konferencës.

Pas konferencës, trajneri shkupjan mbajti një fjalim të shkurtër para futbollistëve në stërvitje.

“Do të jetë ndeshja ime e parë zyrtare me Gjilanin. Do të jetë ndeshje me shumë vlera dhe mendoj se kemi pasur kohën e duhur për t’u përgatitur. Liepaja është ekip me eksperiencë, por ne kemi pikat tona të forta dhe nëse arrijmë ta imponojmë lojën tonë e jo të kundërshtarit, do të marrim rezultat pozitiv. Nëse nuk marrim rezultat të mirë, nuk do të thotë se përfundon, por uroj të fitojmë ne”, ka thënë fillimisht Ramadani, që në Kosovë ka fituar titullin me Trepçën ’89, Feronikelin e së fundmi me Prishtinën. “Ne luajmë për të kaluar tutje. Nëse ne dominojmë dhe nuk shënojmë, është e kotë. Duhet të marrim mësim nga Ballkani që shpërdoroi raste, ndërsa ne duhet 50% prej tyre t’i shënojmë. Nuk na intereson loja e mirë, por na intereson kalimi i rundit”, është shprehur Ramadani.

Gjilani kundër Liepajas do të ketë mungesa në formacion, ndërsa Besar Musolli nuk do të jetë titullar në ndeshje, ka treguar Ramadani.

“Unë mendoj që duhet të mundohemi të marrim maksimumin. Duhet të luajmë me mend. Ekipi duhet të jetë gati ta japë 100% në fushën e lojës. Objektivi është kalimi tutje. Edison Kqiku dhe Besar Musolli do të stërviten, por Musolli nuk do të jetë titullar. Agustin Torrasa dhe Mevlan Zeka do të mungojnë. Megjithatë, e kam një bindje se mungesat nuk do të vërehen”, tha Ramadani.

Ramadani vazhdoi duke thënë se atmosfera është e mirë në ekip dhe për këtë po përkujdesen futbollistët me eksperiencë. Ai thotë se stërvitjet nisin dhe përfundojnë me buzëqeshje.

Përkrah Ramadanit në konferencën për media u paraqit mesfushori Albert Dabiqaj. Ai tha se ekipi është gati për të përballet me Liepajan.

Sipas Dabiqajt, me lojë të bukur dhe angazhim maksimal mund ta sigurojnë kalimin në rundin e dytë kualifikues.

“Do të mundohemi që nëpërmjet lojës së bukur të arrijmë kualifikimi tutje. Jemi gati të japim më të mirën. Nuk po mendojmë për sezonin e ri, por po mendojmë për ndeshjen ndaj Liepajas. Atmosfera është e jashtëzakonshme”, tha Dabiqaj.

Gjilani për herë të dytë luan në kupa evropiane. Debutoi në edicionin 2020/2021, kur u ndal në rundin e parë të Ligës së Evropës.