Sport

Gjilani e Drenica shpresojnë të vazhdojnë seritë pozitive

Te Gjilani janë të bindur se mund ta ndalin serinë pozitive që skuadra e Drenicës e ka pasur në ndeshjet e fundit. Dueli ndërmjet Gjilanit dhe Drenicës është më interesanti që zhvillohet të shtunën prej orës 13:00, në kuadër të xhiros së 13-të të Superligës së Kosovës në futboll.

Superliga vazhdon të shtunën pas një pushimi prej gati dy javësh shkaku i ndeshjeve të përfaqësueses. Drenica në këtë ndeshje luan pas një serie pozitive në krye me trajnerin Bledar Devolli. Prejse Devolli ka marrë drejtimin e Drenicës, ekipi nga Skenderaj nuk di për humbje në elitë. Në katër ndeshjet e udhëhequra nga ky trajner, Drenica ka arkëtuar dhjetë pikë, duke regjistruar tri fitore dhe një barazim. Skuadra kuqezi zë vendin e katërt në tabelë me 18 pikë të tubuara, dy më pak se Gjilani, që është në pozitën e tretë dhe ka një ndeshje më pak të luajtur.

Gjilani këtë edicion ka vetëm një humbje dhe atë në xhiron e parë. Në dhjetë ndeshjet e fundit, ekipi i drejtuar nga Gentjan Mezani ka regjistruar pesë fitore e pesë barazime. Në duelin e radhës gjilanasit synojnë që t’ia shkaktojnë humbjen e parë Drenicës me trajnerin Devolli, ka paralajmëruar mesfushori Muhamed Useini, të premten.

“Do të jetë një ndeshje tepër e vështirë pasi dihet që Drenica vjen pas një serie të rezultateve pozitive, të cilën synon edhe ta vazhdojë. Mirëpo ne kemi pasur kohën e mjaftueshme të përgatitemi dhe të analizojmë gjatë këtij pushimi. Besoj fuqishëm se pikët do të mbeten në Gjilan pasi ne duam të vazhdojmë rrugën drejt objektivave që kemi”, ka thënë Useini.

Edhe te Drenica e kanë parasysh forcën e Gjilanit, por insistojnë se nuk do të udhëtojnë me flamur të bardhë. Kapiteni i Drenicës, Azem Bejta, është i bindur se ekipi i tij mund ta vazhdojë serinë e rezultateve pozitive edhe ndaj Gjilanit.

“Gjërat kanë shkuar shumë mirë në ndeshjet e fundit dhe duam të vazhdojmë me këtë ritëm pasi atmosfera është shumë e mirë brenda ekipit. Besoj që kjo do të reflektojë edhe në ndeshjen kundër Gjilanit, që nuk do të jetë aspak e lehtë. Por me një angazhim maksimal dhe qasje serioze, besoj se mund të dalim të pamposhtur”, është shprehur Bejta.

Të shtunën, fitore synon edhe ekipi tjetër nga qyteti i Gjilanit, Drita. Kampionia në fuqi do të jetë mysafire e Besës së Pejës, që nuk di për fitore në shtatë ndeshjet e fundit. Drita është e dyta në tabelë me 23 pikë derisa Besa e fundit me vetëm gjashtë sosh. Drita gjithashtu ka dy ndeshje më pak të luajtura për shkak të angazhimeve që i pati në kupat evropiane në fillim të edicionit.

“Si në çdo ndeshje, edhe me Besën do të futemi për të fituar, sepse na interesojnë vetëm tri pikët. Besa ka një ekip të ri, të cilin nuk duhet ta nënçmojmë për asnjë moment, por të angazhohemi dhe të fokusohemi tek synimi ynë”, ka thënë sulmuesi i Dritës, Betim Haxhimusa.

Të shtunën luhet edhe dueli ndërmjet Feronikelit e Arbërisë derisa të dielën mbyllet kjo xhiro me dy ndeshje. Prej orës 13:00, Prishtina e pret Trepçën ’89 në stadiumin “Fadil Vokrri”, ndërsa gjysmë ore më vonë në Suharekë nis takimi ndërmjet Ballkanit dhe Llapit. Ballkani është lider i Superligës me 26 pikë të mbledhura dhe synon të shënojë fitoren e nëntë këtë edicion. Në anën tjetër, Llapi nuk ka pasur start të mirë, pasi në 11 ndeshje të luajtura deri më tash ka vetëm dy fitore. Renditet në pozitën e parafundit me tetë pikë të mbledhura.

“Pushimi na ka bërë mirë pas orarit të ngjeshur që e patëm dhe besoj se jemi plotësisht të gatshëm për ndeshjen e radhës, të cilën e luajmë në shtëpi ndaj Llapit. Nuk do të jetë lehtë pasi Llapi ka një ekip të fortë, por ne duam të vazhdojmë me ecurinë që kemi dhe ta mbajmë kreun e tabelës”, ka insistuar mesfushori i Ballkanit, Meriton Korenica.

Image
Image