Gjilani dhe Ballkani do ta zhvillojnë të dielën nga ora 12:00 ndeshjen e fundit për këtë vit në futbollin kosovar.
Dy skuadrat përballen në ndeshjen e mbetur të xhiros së 13-të të Superligës së Kosovës në futboll. Ndeshja zhvillohet në terrenin me bari sintetik në Gjilan.
Dallimi është i madh në pikë, por synimi është i njëjtë – fitorja.
Ballkani do ta mbyllë vitin si lider i Superligës, pavarësisht rezultatit.
Me një ndeshje më pak të luajtur, është lider me 39 pikë, pesë më shumë se Llapi e Drita që mbajnë pozitat dy e tre.
Gjilani ka mbetur prapa për shkak të telasheve që pati në nisje të edicionit, si në aspektin organizativ ashtu edhe në atë financiar.
Gjilanasit zënë vendin e tetë me 17 pikë.
Mbrojtësi i krahut të djathtë te Ballkani, Armend Thaqi, ka thënë se do të jetë ndeshje e vështirë të dielën, pavarësisht pozitës së Gjilanit.
“Erdhi edhe ndeshja e fundit pas gjithë kësaj gare e të gjitha ndeshjeve e ngarkesave shumë të mëdha. Me gjithë ngarkesat e ndeshjet shumë të forta që kemi zhvilluar, e mbyllim pjesën e parë të kampionatit në vendin e parë, edhe pse këtë javën e fundit nuk ishim në elementin e duhur”, ka thënë Thaqi të shtunën për KOHËN.
Kampioni i dy edicioneve të fundit në Kosovë, Ballkani, e mbylli javën e kaluar aventurën në Evropë. Pas disfatës 3:0 nga Dinamo e Zagrebit, përfundoi i fundit në Grupin C në Ligën e Konferencës me katër pikë, aq sa kishte edhe Astana në vendin e tretë. Grupin e fitoi Viktoria Plzeni me 18 pikë, ndërsa Dinamo e Zagrebit përfundoi në vendin e dytë me nëntë pikë.
Ballkani ka katër ndeshje rresht, që është pa fitore. Në Superligë ka humbur nga Llapi dhe Drita, ndërsa barazoi me Prishtinën.
Kësaj serie, Thaqi me Ballkanin synojnë t’i japin fund në duelin kundër Gjilanit.
“E kemi ndeshjen e fundit dhe dëshirojmë ta fitojmë që ta mbyllim vitin me fitore dhe ta shtojmë diferencën e pikëve me ndjekësit. Jemi në moment jo shumë të mirë, por duhet që me fitore të dalim nga ky moment. E dimë vështirësinë e ndeshjes dhe jemi të përqendruar maksimalisht, sepse duhet të marrim tri pikë. Me angazhimin e secilit që futet në fushë do të luftojmë për tri pikë”, ka theksuar Thaqi.
Edhe Gjilani nuk është në momentin më të mirë. Do të luajë kundër skuadrës me sulmin më të mirë aktualisht, Ballkanin, që ka shënuar 33 gola. Gjilani mund të mburret me një prej mbrojtjeve më të mira në ligë, pasi ka pranuar vetëm 18 gola në 17 ndeshje.
“Ballkani është skuadër për t’u respektuar pasi të gjithë i dimë cilësitë të cilat i ka. Mirëpo, ne do të futemi për pikët e plota. Kualiteti nuk na mungon. Kemi zhvilluar ndeshje të mira, por kemi dështuar në nuanca. Rezultatet nuk janë ato të cilat i kemi dëshiruar, megjithatë duam ta mbyllim vitin në mënyrën më të mirë të mundshme”, ka thënë Betim Halimi, portieri shtatlartë i Gjilanit.
Ai mbështetet edhe në përkrahjen e tifozëve, “Skifterat”, për këtë ndeshje të vështirë.
“Presim tifozët tanë të thonë fjalën e tyre të dielën, pasi kjo përballje do të luhet për ta. Ne do ta japim maksimumin”, është shprehur Halimi.
Në ndeshjen e parë mes këtyre skuadrave këtë edicion, fitues ishte Ballkani me rezultatin 2:1.
Në fakt, Ballkani ka kohë të gjatë që nuk është mposhtur nga Gjilani. Humbjen e fundit e ka pësuar në kuadër të Superligës, më 12 dhjetor të vitit 2021. Prej asaj kohe, Ballkani ka gjashtë fitore, ndërsa një ndeshje është mbyllur pa gola.
1. Ballkani 17 12 3 2 33:16 17
2. Llapi 18 10 4 4 29:16 34
3. Drita 18 10 4 4 25:12 34
4. Malisheva 18 9 2 7 27:22 29
5. Prishtina 18 5 11 2 20:17 26
6. Dukagjini 18 5 9 4 20:20 24
7. Feronikeli 74 18 6 3 9 18:28 21
8. Gjilani 17 5 2 10 13:18 17
9. Fushë Kosova 18 2 4 12 12:29 10
10. Liria 18 1 6 11 13:32 9