Sport

Gjermania nuk ka kohë për të humbur, synon që me fitore ndaj Danimarkës të paralajmërojë kundërshtarët e Evropianit

Përfaqësuesja e Gjermanisë po synon një fitore bindëse të mërkurën në ndeshjen e saj të parë përgatitore para “Euro 2020”, për të rritur besimin pas disa rezultateve të dobëta në kohët e fundit. Kapiteni Manuel Neuer do të bëjë paraqitjen e tij të 99-të për Gjermaninë, për të cilën ai këmbëngul se nuk ka “kohë për të humbur” para miqësores kundër Danimarkës në Innsbruck.

Skuadra e përzgjedhësit Joachim Loew e fillon Kampionatin Evropian kundër kampiones në fuqi të botës, Francës, në qytetin e Munichut më 15 qershor dhe gjermanët janë të etur për të tejkaluar humbjen tronditëse që e pësuan në shtëpi ndaj Maqedonisë së Veriut (2:1) në muajin mars. Kjo humbje në kuadër të kualifikimeve për botërorin “Katari 2022” erdhi si goditje e dyfishtë për Gjermaninë, që në muajin nëntor të vitit të shkuar pësoi humbje të thellë nga Spanja (6:0) në kuadër të Ligës së Kombeve. Loew, i cili do të largohet nga posti i përzgjedhësit të Gjermanisë menjëherë pas Kampionatit Evropian, pas 15 vjetësh, ka kërkuar që gjermanët të tregojnë një “mentalitet fitues” në miqësoren kundër Danimarkës. Sidoqoftë, ai do të jetë pa pjesën më të madhe të lojtarëve që luajnë për skuadrat në Premier League. Treshja e Chelseat, Kai Havertz, Timo Werner dhe Antonio Ruediger, si dhe mesfushori i Manchester Cityt, Ilkay Gundogan, kanë pushime shtesë pas finales të Ligës së Kampionëve që e luajtën të shtunën e shkuar. Katërshja pritet të bashkohet në kampin e Gjermanisë në Austri të enjten. Mesfushori i Real Madridit, Toni Kroos, po stërvitet përsëri pasi ishte testuar pozitiv për COVID-19 muajin e kaluar, ndërsa mesfushori i Bayern Munichut, Leon Goretzka, u bashkua me ekipin të mërkurën pas rikuperimit nga lëndimi i kofshës.

Thomas Mueller dhe Mats Hummels pritet të bëjnë paraqitjen e tyre të parë te Gjermania prej kur u larguan nga Loew, i cili hoqi dorë nga sulmuesi dhe mbrojtësi në muajin mars të vitit 2019. Forma e shkëlqyeshme e Muellerit te Bayerni e ka detyruar Loewin të ndërrojë mendje. Fituesi i Kupës së Botës në vitin 2014, Mueller, pritet t’i prijë sulmit të Gjermanisë kundër Danimarkës. Mbrojtësi i Dortmundit, Hummels ka kërkuar nga bashkëlojtarët që sa më shpejt të “kapërcejnë rezistencën” e Danimarkës dhe ta fitojnë ndeshjen për të paralajmëruar synimet e mëdha që i ka Gjermania në Kampionatin Evropian.

“Kampionati Evropian në të vërtetë tashmë ka filluar për ne”, ka thënë Hummels. “Ne duhet prej ndeshjes me Danimarkën të shënojmë fitore bindëse, në mënyrë që të paralajmërojmë një hyrje të fuqishme në Evropian”, insistoi Hummels.

32-vjeçari me përvojë do të jetë nën presion për të forcuar mbrojtjen e lëkundur të Gjermanisë, e cila ka pësuar 18 gola në 11 ndeshjet e fundit. Krahas pranimit të gjashtë golave me Spanjën, Gjermania gjithashtu në tetor të vitit të shkuar barazoi 3:3, si me Zvicrën ashtu edhe me Përfaqësuesen e Turqisë. Danezët do të jenë një barometër shumë i mirë në çdo pikëpamje për Gjermaninë në prag të Evropianit, ka insistuar ndihmëstrajneri Marcus Sorg. Pas Danimarkës, Gjermania të hënën e ardhshme do ta luajë miqësoren e fundit përpara Evropianit, kur do të përballet me Letoninë. Gjermanët nuk e kanë lënë pas debaklin e tyre në Kupës së Botës në vitin 2018, turne në të cilin u eliminuan në fazën e grupeve. Ata janë ende të ndërgjegjshëm për një humbje ogurzezë ndaj Austrisë në një miqësore në prag të turneut 2018, para se të ndaleshin në fazën e grupeve.

“Para Kupës së Botës të vitit 2018, paraqitjet tona në ndeshjet miqësore nuk ishin aq bindëse”, pranoi Hummels. “Kështu që në këto miqësore ne duam të luajmë me intensitetin e njëjtë, me të cilin do të paraqitemi në Evropian”.