Sport

Gjashtë ekipe në garën për mbijetesë në Premier League

Matematika po ndryshon shpesh në garën e ashpër për të shmangur rënien nga Premier League. Prej garës me nëntë skuadra në fund të marsit, tani duket se janë gjashtë skuadra të përfshira, kur ka mbetur edhe një muaj për të përfunduar edicioni.

Dhe, njëra prej tyre tashmë duket pa gjasa. Qëndrimi 11-vjeçar i Southamptonit në elitë duket se po përfundon. Ky ekip është në vendin e fundit me 24 pikë. Evertoni i vendit të parafundit i ka 28 pikë. Southamptoni mori vetëm tri pikë në tetë ndeshjet e fundit.

Ndërkohë Crystal Palace, Wolverhamptoni dhe Bournemouthi – ekipe që kanë ndërruar trajnerët këtë edicion - kanë gjetur formën dhe rezultatet në kohën e duhur për t'u larguar nga rreziku.

Kjo lë pesë ekipe që duhet të luftojnë për të shmangur dy vendet e tjera të rënies, pos të fundit prej ku Southamptoni nuk pritet të largohet. Ka disa emra të mëdhenj në këtë garë të pakëndshme.

Njëri prej tyre është Evertoni, ekip që ka fituar nëntë tituj kampioni të Anglisë dhe që ka qenë në divizionin më të lartë që nga viti 1954. Është dhe Leicester City, i cili para shtatë vjetësh befasoi të gjithë duke u shpallur kampion i Premier Leagues. Pastaj aty është West Ham Unitedi, ekip që dy edicionet e fundit ka luajtur në garat e Evropës dhe ka përfunduar në vendin e gjashtë, përkatësisht të shtatë në kampionat. Janë edhe Leeds Unitedi dhe Nottingham Foresti, klubet historike që kanë kaluar në kohë të vështira për pjesën më të madhe të këtij shekulli.

West Hami është i 15-ti me 34 pikë. Pasojnë Leedsi e Nottinghmami me nga 30 pikë. Në pozitën e 18-të, që dërgon në Championship, aktualisht është Leicesteri me 29 pikë. Pason Evertoni në vendin e parafundit me 28 pikë dhe Southamptoni me 24 pikë.

West Hami ka një ndeshje më pak të luajtur. Deri në fund janë edhe pesë xhiro.

Të gjitha skuadrat janë plotësisht të vetëdijshme se rënia nga Premier League nuk ka qenë kurrë kaq e kushtueshme. Klubet e Premier Leagues fitojnë të paktën 100 milionë euro në edicion nga të ardhurat prej transmetimeve.

Southamptoni

Nëse Southamptoni humb në Newcastle të dielën, fati i tij mund të vendoset tri ndeshje pa përfunduar edicioni. Megjithatë, triumfi ndaj Newcastlet do të ndryshonte gjithçka. Southamptoni barazoi 3:3 kundër Arsenalit javën e kaluar.

Southamptoni do të largohej nga Premier League pas dy barazimeve këtë edicion ndaj Arsenalit, dy fitoreve ndaj Chelseat dhe eliminimit të Manchester Cityt nga Kupa e Ligës.

Evertoni

Angazhimi i Sean Dyche si trajner në fund të janarit nuk ka pasur ndikimin që e parashikuan shumë. Në fakt, Evertoni ka fituar tri nga 13 ndeshjet me trajnerin Dyche - të gjitha fitoret i arriti në shtëpi me 1:0 - dhe nuk ka asnjë triumf në gjashtë ndeshjet e fundit. Kjo seri përfshirë humbje alarmante si vendas ndaj Fulhamit (3:1) dhe Newcastlet (4:1).

Ndeshja në Leicester të hënën është e madhe, veçanërisht me duelet që do të pasojnë kundër Brightonit, Manchester Cityt dhe Wolvesit. Evertoni e mbyll edicionin me ndeshjen në shtëpi kundër Bournemouthit.

Leicester City

Një fitore ndaj Wolvesit dhe një barazim në Leeds në dy ndeshjet e fundit, kanë kthyer shpresën te Leicesteri, i cili kishte humbur tetë nga nëntë duelet e mëparshme. Triumfi ndaj Evertonit do ta frymëzonte Leicesterin, tani me trajnerin e përkohshëm, Dean Smith, për ta kërkuar fitoren edhe në duelin e radhës që e ka me Fulhamin.

Leicesteri në këto dy ndeshje synon ta sigurojë mbijetesën, pasi në tri takimet e fundit nuk do të ketë shumë gjasa për fitore - kundër Liverpoolit, Newcastlet dhe West Hamit.

Nottingham Foresti

Foresti i dha vetes shpresë për të shmangur një rikthim të menjëhershëm në kategorinë e dytë duke mposhtur Brightonin të mërkurën. Skuadra ka në mendje duelin që e luan në shtëpi kundër Southamptonit, që e luan më vonë, për të shtuar shpresat për mbijetesë. Nottinghami ndeshjen e radhës e luan në udhëtim ndaj Brentfordit, sikurse edhe ndaj Chelseat e Crystal Palacet. Krahas Southamptonit, Foresti deri në fund të edicionit e pret në shtëpi edhe Arsenalin.

Leeds United

Leedsi mbijetoi edicionin e kaluar falë fitores në xhiron e fundit dhe mund të përballet me një skenar të ngjashëm edhe këtë edicion, veçanërisht nëse humb në Bournemouth të dielën.

Manchester City dhe Newcastle janë kundërshtarët që pasojnë dhe ndeshjet vlerësohen misione të pamundshme për rezultate pozitiv. Edhe ndeshjen e fundit të edicionit, Leedsi nuk e ka aspak të lehtë. Më 28 maj luan në shtëpi ndaj Tottenhamit.

West Ham United

West Hami ka më së paku gjasa për rënie, pasi i ka fituar tri nga gjashtë ndeshjet e fundit dhe posedon ekip më cilësor se çdo rival në garën për mbijetesë. Ka lojtarë si Declan Rice e Lucas Paqueta. Kjo skuadër vlerësohet se mund të bëjë diçka më shumë në ndeshjet e vështira kundër Crystal Palacet, Manchester Cityt, Manchester Unitedit dhe Brentfordit. Duelet me Leedsin dhe Leicesterin për ta përfunduar edicionin, ofrojnë mundësi të mirë për fitore dhe qëndrim në elitë.