Akil Gjakova ka mbetur pa medalje në turneun Grand Slam që u mbajt prej të premtes deri të dielën në Baku. Por xhudisti kosovar është i përkushtuar që të fitojë medalje në garën e ardhshme të madhe, në të cilën do të marrë pjesë - në Lojërat Evropiane "Minsk 2019". Në xhudo, Lojërat Evropiane llogariten edhe si kampionat evropian.
Gjakova të shtunën garoi në Baku, në turneun e fundit Grand Slam para botërorit që mbahet në fund të gushtit në Tokio të Japonisë. Ishte bartësi i tretë në kategorinë deri 73 kilogramë, në të cilën konkurrenca ishte shumë e fortë. Në fund Akili u rendit i pesti, shkruan sot Koha Ditore.
Fitoi ndaj rumunit Alexandru Raicu e më pas ndaj portugezit Nuno Saraiva. Në luftën e tretë pësoi nga izraeliti Tohar Butbul, ndërsa në repesazh në raundin e parë e kaloi moldavin Victor Sterpu. Në luftë për medalje të bronztë pësoi nga azerbajxhanasi Rustam Orujov, që ishte bartësi i parë.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)