Sport

Gjakova në finale, vjen edhe medalja e dytë për Kosovën në Tarragona

Nora Gjakova ka kaluar në finale të kategorisë deri në 57 kilogramë pasi ka mposhtur turken Ghofran Khelifi, për t’ia siguruar Kosovës medaljen e dytë në Tarragona të Spanjës.

Gjakova është në garë për medaljen e artë, por ka siguruar atë të argjendtën.


Kosova siguron medaljen e parë në Tarragona të Spanjës

12:19 - Distria Krasniqi ka kaluar në finale të xhudos në Lojërat Mesdhetare që po mbahen në Tarragona të Spanjës, për t’ia siguruar Kosovës medaljen e parë në këto lojëra.

Në gjysmëfinale të kategorisë deri në 52 kilogramë, ajo mposhti turken Irem Korkmaz.


Kosova në dy gjysmëfinale të xhudos në Tarragona

Nora Gjakova ka kaluar në gjysmë finale në lojërat mesdhetare Tarragona 2018

I kanë mjaftuar më pak se një minutë, Nora Gjakovës, që ta mposhtë me Ippon kroaten, TenaSikiq, në çerekfinalen e garave të xhudos, kategoria -57 kg, në Lojërat Mesdhetare Tarragona 2018.

Në gjysmëfinale, Nora takohet me tunizianen, Ghofran Khelifi, e cila mundi Priscilla Gnetton.

Raundin e parë, Nora, e kishte kaluar pa luftë.


Xhudistja Krasniqi në gjysmëfinale të Tarragona 2018

Distria Krasniqi i nis me fitore garat e xhudos në Lojërat Mesdhetare Tarragona 2018.

Xhudistja mposhti me Ippon spanjollen, Isabel Perez, në kategorinë -52 kilogramë.

Distria në rast të fitimit edhe në gjysmëfinale automatikisht do të sigurojë medaljen e parë në lojërat mesdhetare për Kosovën.


Sot pritet medalja e parë për Kosovën në Tarragona 2018

Medalja e parë dhe historike për Kosovën në Lojërat Mesdhetare Tarragona 2018 mund të ndodh sot.

Ekipi i xhudos, që të hënën mbrëma u akomodua në Fshatin Mesdhetar të Lojërave Mesdhetare Tarragona 2018, dje ka mësuar edhe shortin, kurse sot në gara do të jenë Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi.

Kampionia e Evropës për vitin 2018 në kategorinë -57 kilogramë, Nora Gjakova, është bartëse e grupit të saj, dhe për këtë arsye raundin e parë e kalon pa luftë, duke iu mundësuar kualifikimi direkt në çerekfinale

Në çerekfinale Nora pret fituesen e çiftit Aurora Shkoza (Shqipëri) – Tina Shikiq (Kroaci).

Nënkampionia e Evropës për këtë vit, Distria Krasniqi, në kategorinë -52 kilogramë, po ashtu është kualifikuar direkt në çerekfinale si bartëse e grupit. Ajo pret fituesen e çiftit, Isabel Perez Boix (Spanjë) – Arbëresha Rexhepi, shqiptare e Maqedonisë.

Akil Gjakova në kategorinë -73 kilogramë, është bartës i grupit të tij dhe në çerekfinale do të presë fituesin e çiftit, J.Fernandes (Portugali) – J.Ramirez (Spanjë).

Në kategorinë -63 kilogramë, konkurrenca e femrave, Laura Fazliu përballet në 1/8 e finales me serben, Jovana Obradoviq. Akili dhe Laura garojnë të enjten.

Garuesja e fundit që përfaqëson xhudon në Tarragona 2018, është Loriana Kuka, e cila garon në -78 kilogramë. Shorti Lorianën e përballi me spanjollen, Laia Talarn Compano. Ajo garon të premten.