Sport

Gazmend Haliti pret që FIFA ta kthejë në punë si përzgjedhës të grupmoshave në FFK

Trajneri i grupmoshave të reja në futboll, Gazmend Haliti, ishte në krye të Përfaqësueses së Kosovës U15 në futboll për gati 12 vjet. Gjatë kësaj kohe ai thotë se nuk e ka pësuar asnjë humbje me këtë grupmoshë. Por, përkundër rezultateve pozitive, Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) e largoi nga puna muajin e shkuar dhe në vend të tij e emëroi Ilir Nallbanin, ish-futbollistin e njohur kosovar. Largimi i tij ndodhi në prag të 20-vjetorit të punës së tij si trajner i grupmoshave të reja. Në një intervistë për KOHËN, Haliti thotë se FFK-ja ia ndali pagën dhe nuk e njoftoi zyrtarisht për arsyet e largimit.

“Nuk ka asnjë njoftim zyrtar. Vetëm m’u ka ndalë paga dhe mund të them se m’u ka ndalë në mënyrë shumë të ligë. Nuk është e drejtë me iu ndal paga një trajneri i cili ka kontratë deri në janar të vitit 2024. Unë vetëm e kam përcjellë qarkullimin bankar dhe nuk më ka dalë paga. Pastaj e kam dërguar një email në Federatën e Futbollit dhe më është përgjigjur sekretari gjeneral me arsyetimin se ke punuar mirë dhjetë vite dhe se vjen koha kur trajnerët ndërrohen. Ai ka qenë vetëm si njoftim me email, mirëpo nuk e kam parë si shumë zyrtar, por vetëm si një email, si një lloj arsyetimi”, tha Haliti.

Ajo që po e brengos më së shumti ish-trajnerin e grupmoshave të reja të Ramiz Sadikut dhe Prishtinës është mënyra se si e kanë larguar.

“Më të vërtetë jam shumë i prekur, sepse mënyra ka qenë shumë e keqe. Një federatë duhet ta ftojë trajnerin, ta falënderojë për punën që ka bërë. Nuk është pak me punu shtatë vite pa pagesë. Unë kurrë nuk pendohem që e kam bërë atë punë, mirëpo nuk ka qenë e mirë. Mendoj që atë vendim e ka marrë Komiteti Ekzekutiv, ndalja e pagës së një trajneri për kurrfarë arsyeje, e po ashtu edhe të disa trajnerëve të tjerë”, shtoi ai.

Haliti thekson se ka kontratë me FFK-në deri në janar të vitit 2024. Ai është ankuar në FIFA dhe pret që të rikthehet sërish në punë.

“FIFA tashmë është e njoftuar për rastin tim. E kam pasur një telefonatë afro 20 minuta me një zyrtare ligjore të FIFA-s në gjuhën gjermane, por më shumë detaje nuk mund të jap në këtë fazë. Unë pres një rikthim në vendin e punës. Në bisedat me avokaten time, unë i kam mbi dhjetë vjet përvojë pune dhe rikthimi im është qind për qind i sigurt në Federatën e Futbollit të Kosovës. Mund të zgjatë pak, por unë e kam vendin aty, mendoj me shkollim, me punë, me rezultatet dhe me të gjitha”, tha ai.

Gazmend Haliti është trajner me licencë profi. Ai është edhe pjesë e Shoqatës së Trajnerëve në Gjermani, vend ku e ka kryer edhe shkollimin për grupmoshat e reja.

“Përveç që jam me licencën profi, jam ndër trajnerët e vetëm që jam pjesë e Shoqatës së Trajnerëve të Gjermanisë, shoqatë ku janë trajnerët më eminentë si Jurgen Klopp, Naingelssman e shumë të tjerë. Unë e kam filluar shkollimin në Hamburg të Gjermanisë. Kam specializuar si trajner i grupmoshave të reja. Është një licencë speciale që e lëshon Federata e Futbollit e Gjermanisë”, insistoi Haliti.

Haliti nuk e kishte pritur largimin nga Përfaqësuesja e Kosovës U15. Madje ai thotë se ka pasur synime të tjera.

“Unë mendoj që është dashur të më jepet rastin të marr pjesë në kualifikime me njërën grupmoshë: U17, U19 ose U21. Mendoj që do ta përfaqësoja shumë mirë një ekip drejt kualifikimit. Ky ka qenë zhgënjimi im kryesor që nuk ma kanë dhënë mundësinë dhe mendoj që nuk ka qenë e drejtë për punën shumëvjeçare që kam bërë në FFK”, nënvizoi ish-trajneri i Kosovës U15.

Gjatë periudhës 20-vjeçare, Haliti ka punuar me shumë lojtarë. Disa prej tyre luajnë edhe në Evropë.

“Në fillim të karrierës time ka qenë Mentor Mazrekaj që sot është lojtar i nivelit shumë të lartë. Mazrekajn e kam takuar te shkolla ‘Ismail Qemali’ ku e kam pa talentin e tij dhe fillimisht e kam marr te Ramiz Sadiku e më pas e kam transferuar te Prishtina. Ka shumë lojtar dhe mund ta harroj ndonjërin, por janë Agim Zeka, Emir Sahiti, Eros Grezda e shumë të tjerë. Në nivel të përfaqësueses ka qenë edhe Milot Rashica, në ato kampet që i kemi pasë”, theksoi Haliti.

Kohavisioni ka provuar të marrë një përgjigje nga Federata e Futbollit e Kosovës për mënyrën e largimit të Haliti nga posti i trajnerit. Por FFK-ja nuk është përgjigjur, duke zgjedhur heshtjen për këtë rast. Përveç te grupmosha U15, ndryshime ka pasur edhe te Kosova U17 dhe U21. Tek U17, në vend të Besnik Kollarit është emëruar Arsim Abazi, derisa tek U21, vendin e Rafet Prekazit e ka zënë Michael Ness.