Sport

Gashi hap klub të boksit, premton suksese ndërkombëtare

Gazmend Gashi ishte vlerësuar shpresë e madhe e boksit të Kosovës. Për shumë vjet ishte kampion i vendit.

Por në mungesë të mbështetjes, Gazmendi vendosi ta lërë boksin, sport me të cilin ka nisur të merret bashkë me vëllain e tij binjak, Arianin, në vitin 2007.

Ëndrrën që nuk arriti ta realizojë si boksier, të fitojë medalje evropiane e botërore, Gashi shpreson ta përmbushë si trajner. Ai e di se për t’ia kthyer namin që kishte dikur boksi i Kosovës duhen shumë punë dhe përkushtim i madh. Gashi është optimist se boksierët e “Fight Factory”, klub që është themeluar një muaj më parë, do t’i sigurojnë Kosovës medalje nga arena ndërkombëtare. Megjithatë suksesin thotë se do ta kërkojë gradualisht.

“Si çdo sportist edhe unë gjithmonë e kam pasur ëndërr t’i sjell Kosovës medalje nga arena ndërkombëtare. Por shkaku i kushteve dhe angazhimeve u desh ta ndërpres më herët dhe të forcohem dhe të avancoj tutje në aspektin e punës dhe shkollimit që sot ta hapim klubin me kushte të nevojshme për punë. Pasi vetë nuk kam mundur, tash me hapjen e klubit synojmë t'i dëshmojmë vlerat dhe t’ia dëshmojmë edhe Kosovës që ka trajnerë dhe garues që kanë potencial të madh në nivel ndërkombëtar”, ka thënë Gashi të hënën për KOHËN.

28-vjeçari është trajner i licencuar nga Federata e Boksit e Kosovës, ndërsa punoi dy vjet si trajner i gjeneratave të reja te klubi i boksit Prishtina.

“Si klub i ri normal ne synojmë të shkojmë me hapa më të vegjël, por të sigurt. Vitin e parë nuk kemi mundësi të marrim pjesë në gara evropiane apo botërore. Por synojmë të shpallemi me pesë garues kampion në kategori të ndryshme, ndërsa në vitet e ardhshme t'i sigurojmë Kosovës medalje të arta në Evropian dhe Botëror”, është optimist ish-boksieri i suksesshëm.

Edhe boksierët e rinj presin rezultate, fillimisht në garat e vendit e më pas edhe në ato ndërkombëtare.

“Boksin e bëj që dy vjet dhe synimet e mia janë të bëhem kampion bote. Këtë vit kam synim të bëhem i pari i Kosovës dhe më pas të arrij edhe medalje të rëndësishme nga arena ndërkombëtare”, ka thënë Dasant Ahmeti, 14-vjeçar.

Pritje për medalje Gashi ka edhe nga motra e Dasantit, Rina, 16-vjeçare.

“Një herë synoj të bëhem kampione e vendit, por në të ardhmen shpresoj të sjell medalje nga arena ndërkombëtare si xhudistet dhe ta bëj vendin tim krenar”, është shprehur ajo.

Edhe Shpat Vasolli premton medalje.

“Më pëlqen si po më shkon procesi dhe me hapa të vegjël të arrij ta prezantoj vendlindjen dhe ta bëj krenar popullin tonë”, ka theksuar ai.

Klubi i boksit “Fight Factory” është në kuadër të akademisë së arteve marciale “Cell Active”. Përveç boksit, në sallën e vogël në Prishtinë ushtrojnë edhe të rinj të sportit të taekwandos dhe kikboksit. Gashi bashkëpunon me taekwondistin, Butrint Ejupi dhe trajnerin për përgatitje fizike, Emir Vllasa.

Vllasa kreu pjesën e ngrohjes të hënën, kurse pjesën tjetër të stërvitjes, pra teknikën e boksit, përsipër e kishte Gashi.

“Në kuadër të akademisë së sporteve luftarake është klubi i boksit, taekwandos, kikboksit, ndërsa ka edhe rekreacion. Së bashkë këtë qendër e kemi hapur me Butrint Ejupin dhe Emir Vllasën ku ofrojmë miks-shërbime. Me këtë hap patjetër do t'ia zbardhim fytyrën Kosovës”, ka theksuar Gashi.

Ai insiston se suksese priten edhe nga taekwando.