Sport

Garë shqiptare për titull në Maqedoni të Veriut

Struga i prin garës për titull të kampionit në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut në futboll. Ekipi nga Struga udhëheq në tabelë me 49 pikë. Struga është ekip shqiptar dhe vlerësohet favorite për titull.

Pas saj në tabelë janë edhe dy skuadra të tjera shqiptare, Shkëndija e Tetovës dhe Shkupi. Diferenca e pikëve mes tri skuadrave shqiptare nuk është shumë e madhe. Dhe është thuajse e sigurt se njëra prej tyre do ta festojë titullin në fund.

I katërti në tabelë, Sileksi, ka mbetur 11 pikë prapa Strugës dhe katër pikë prapa Shkupit që është i treti.

Me disfatën e pësuar të dielën nga klubi “Skopje”, kampioni në fuqi, Shkupi, ra në vendin e tretë, për t’ia liruar vendin e dytë ish-kampiones, Shkëndijës së Tetovës.

Si Struga ashtu edhe Shkëndija të dielën fituan në kuadër të xhiros së 25-të.

Struga mposhti Akademija Pandevin me rezultatin 3:1, derisa Shkëndije e mposhti Pobedën me rezultatin 2:0.

Shkëndija i ka 44 pikë, pesë më pak se Struga. Shkupi tani është shtatë pikë prapa liderit.

Te Shkupi po ndjejnë se gara për titull nuk është plotësisht korrekte. Të shtunën shkupjanët kanë reaguar përmes një komunikate, ndërsa kanë shprehur pakënaqësi me delegimin e gjyqtarëve.

“Që nga ky moment njoftojmë publikun e gjerë se do të ndjekim me shumë vëmendje të gjitha zhvillimet. Të gjithë duhet ta dinë se FC Shkupi nuk i lë punët në duar të huaja. Çdo lëvizje dhe çdo ndeshje do ta përcjellim nga afër dhe me shumë kujdes. Mbesim me shpresë se delegimet e çuditshme të arbitrave të bëra në ndeshjet e fundit janë vetëm rastësi, por e themi edhe njëherë se do të shohim se çfarë do të ndodhë në fushë”, shkruan në komunikatën e Shkupit.

Te Struga natyrisht janë të fokusuar që t’i shkojnë deri në fund garës për titull.

Mesfushori i Strugës, Besmir Bojku, insiston se gara e fortë midis tri ekipeve shqiptare e ka bërë interesant kampionatin e Maqedonisë së Veriut

“Është duke u zhvilluar një garë shumë interesante midis tri ekipeve shqiptare, si asnjëherë më parë. Janë tri ekipe në krye të tabelës. Ne kemi zhvilluar një kampionat shumë të mirë deri tash ku pas 25 xhirosh jemi në vend të parë dhe shpresoj që ta mbajmë deri në fund me këtë ritëm”, ka thënë Bojku për KOHËN. Ai me Shkëndijën ka fituar dy tituj dhe një Kupë. Bojku karrierë ka bërë edhe në Kosovë te skuadra e Feronikelit.

Në Kosovë karrierë të suksesshme ka bërë edhe Ardian Cuculi. Mbrojtësi me përvojë tani e synon titullin me Shkëndijën.

“Shkëndija është emblema e futbollit shqiptar në Maqedoninë e Veriut dhe do ta rikthej titullin e humbur. Me fitoren e arritur kemi dalë në vendin e dytë. Gara do të jetë e gjallë dhe e nxehtë deri në fund, duke pasur parasysh se do të përballemi me njëra-tjetrën. Më afër titullit do të jetë ekipi më i mirë në duelet direkte. Kushdo që do të jetë i pari do të jetë me meritë. Ne do të marrim ndeshjet një nga një dhe duke parë lideren Strugën të bëjë ndonjë gabim. Mund të llogaritet një ndër kampionatet më interesante. Në aspektin kualitativ ka qenë më i fortë në kohët e arta të mia me Shkëndijën, por nga aspekti rivalizues dhe i pikëve është më i fortë dhe gara është më interesante”, ka thënë ish-futbollisti i Dritës së Gjilanit.

Cuculi thotë se investimet kanë ndikuar në ngritjen e klubeve shqiptare.

“Ka ngritje maksimale të klubeve shqiptare. Në ngritjen e skuadrave shqiptare ka ndikuar sigurisht investimi, por Shkëndija është emblema e futbollit shqiptar dhe do ta kthejë titullin e humbur”, ka përsëritur Cuculi.

Në fakt viteve të fundit në futbollin e Maqedonisë së Veriut po dominojnë klubet shqiptare. Edhe në garat evropiane klubet shqiptare marrin pjesë rregullisht. Pjesë e rregullt e garës për kreun ka qenë edhe Renova. Por kjo skuadër është tërhequr nga garat e këtij edicioni. Në të kaluarën ka fituar një titull të kampionit në Maqedoninë e Veriut. Struga nuk ka fituar ende titull. Megjithatë është në rrugë të mbarë për ta arritur suksesit historik.