Në kampionatin e Kosovës në futboll po zhvillohet garë interesante për titull të kampionit dhe për dalje në Evropë. Por e “nxehtë” është edhe gara për të siguruar mbijetesën në elitën e futbollit kosovar.
Përveç Feronikelit tashmë pa gjasa - renditet i fundit në 11 pikë dhe në pranverë po paraqitet me juniorë - në garë për të shmangur largimin nga Superliga vlerësohet se janë pesë ekipe. Tri prej tyre ndodhen në zonën më të rrezikshme.
Drenica është e pesta në tabelë me 28 pikë, dy më shumë se Prishtina që zë vendin e gjashtë. Malisheva është e shtata me 23 pikë, Ulpiana e teta me 22 dhe Dukagjini renditet në pozitën e nëntë (parafundit) me 21 pikë.
Dallimi në pikë mes vendit të nëntë, që në fund të kampionatit dërgon në Ligën e Parë, dhe pozitës së pestë, që e mban Drenica, është vetëm shtatë pikë. Ndërkohë deri në fund të kampionatit kanë mbetur edhe 14 xhiro dhe në lojë janë plot 42 pikë.
Pozita e nëntë dhe e dhjetë dërgojnë direkt në Ligën e Parë, kurse ekipi i vendit të tetë do të luajë në barazh me fituesin e barazhit të Ligës së Parë.
Momentalisht Malisheva ka 23 pikë dhe është jashtë zonës së barazhit. Me pozitën aktuale nuk është i kënaqur trajneri Arsim Thaqi. Nga ekipet që janë afër njëra-tjetrës, Thaqi e sheh Prishtinën më cilësoren. Por, ai beson në eksperiencën e Malishevës për të siguruar mbijetesën.
“Prishtina e ka skuadrën më cilësore. Ka edhe shumë ndeshje për t’u zhvilluar deri në fund të kampionatit. Pozita e Malishevës kuptohet që nuk është e mirë, por besoj se kemi një grup të lojtarëve që kanë eksperiencë dhe shpresoj që në fund të arrijmë objektivin e që është mbetja në Superligën e Kosovës edhe për vitin tjetër”, u shpreh Thaqi.
“Luftë” mes Malishevës, Ulpianës dhe Dukagjinit, pret edhe trajneri i Ulpianës, Edlir Tetova. Megjithatë ai nuk e bën punë të kryer mbetjen në elitë për Drenicën dhe Prishtinën.
“Mendoj që në garë jemi ne tri skuadrat që jemi poshtë, Malisheva, Dukagjini dhe Ulpiana. Drenica dhe Prishtina janë para nesh dhe i bie që ato të gabojnë dhe ne t’i fitojmë të gjitha ndeshjet, por kampionatit nuk i dihet kurrë. Ka shumë ndeshje deri në fund dhe është herët të flasim për këtë. Sigurisht, Ulpiana do të japë më të mirën për të mbetur në ligë. Shpresojmë që të jemi të kompletuar për ndeshjet që na presim dhe të arrijmë objektivin pasi kemi pasur telashe me lëndimet”, tha Tetova për KOHËN.
Trajneri i Drenicës, Tahir Lushtaku, thotë se ekipi i tij mund të mos jetë i qetë në aspektin sportiv. Por, thekson se Drenica nuk do të ketë problem mbetjen në ligë.
“Realisht nuk mund të themi se jemi të qetë në kuptimin sportiv, edhe pse jemi plus 6 pikë me ekipet që janë të rrezikuara. Por Drenica nuk mendoj që do të rrezikohet në vazhdim të kampionatit dhe as që do të vijë në atë situatë që të rrezikohet. Ne do mundohemi të marrim rezultate sa më të mira dhe normalisht të jemi sa më lart në tabelë”, deklaroi Lushtaku.
Në fund të kampionatit, sipas Propozicionit të Garave, nëse skuadrat kanë pikë të njëjta, atëherë do të shikohen duelet direkte mes ekipeve. Kjo vlen edhe për titull të kampionit dhe dalje në Evropë. Ndërkohë gjatë kampionatit, renditja bëhet në bazë të goldallimit më të mirë, në rastin kur ekipet kanë pikë të njëjta.