Dy skuadra kanë mbetur në garë për titull të kampionit në Superligën e Kosovës në futboll. Matematikisht ka edhe më shumë skuadra në garë, por Ballkani dhe Gjilani shihen si skuadrat që deri në fund do ta kenë fjalën kryesore në garë për titull të kampionit. Ballkani është lider i Superligës me 63 pikë, tetë më shumë se përcjellësi i parë, Gjilani. Drita, që është në vendin e tretë, ka mbetur 11 pikë prapa, kur kanë mbetur edhe shtatë xhiro për t’u zhvilluar. Llapi është në pozitën e katërt me 47 pikë.
Llapjanët janë dorëzuar për titull, ndërsa nuk janë të rrezikuar për rënie.
Ndryshe është situata në pjesën tjetër të skuadrave. Janë pesë ekipe që kërkojnë mbetjen në elitë. Në mesin e tyre është edhe kampionia në fuqi, Prishtina.
Prishtina është në vendin e pestë me 38 pikë, ndërsa Malisheva një pozitë më poshtë me një pikë më pak. Në vendin e shtatë është Drenica me 35 pikë, derisa Dukagjini mban vendin e tetë me 33 pikë. Vendi i tetë dërgon në barazh, kurse në pozitat që nuk sigurojnë mbetjen në elitë janë Ulpiana, e nënta me 24 pikë, dhe Feronikeli, i dhjeti me 12 pikë.
Njohës të futbollit e shohin edhe Ulpianën të rënë nga elita, ndonëse gjasat i ka ende matematikisht.
Se Ulpiana është me fare pak gjasa për të mbijetuar e thotë trajneri Gani Sejdiu. Sejdiu parashikon se gara për t’i ikur barazhit do të jetë në mes të Drenicës dhe Prishtinës. Malishevën e sheh më të favorizuar në këtë garë.
“Humbja e Drenicës nga Dukagjini ka prishur matematikat e mundshme sa i përket barazhit. Edhe pse ka ende gjasa matematikisht, Ulpianën e shoh me gjasa minimale për mbijetesë. Drenica ia ka vështirësuar vetes punën, ndërsa Dukagjini ka bërë një hap të madh me fitoren e fundit. Nëse shikojmë pikët, Drenica dhe Prishtina janë në avantazh, por në aspektin psikologjik ndryshojnë anët. Pra, Dukagjini është një shkallë me lartë me fitore dhe situata është në favor të tij. Drenicën dhe Prishtinën i shoh në garë për t’i ikur pozitës së barazhit. Prishtina ka kualitet, por ka probleme të brendshme, ndërsa Drenica ka problemin e rikuperimit. Prej këtyre skuadrave të mbetura, Malishevën e shoh më të sigurt. Është aktive në lojë dhe ka reagim të mirë. Drenica me humbjen e fundit ia ka dhënë një rast Dukagjinit të mbijetojë pa pasur nevojë ta luajë barazhin”, ka thënë Sejdiu të martën për KOHËN.
Prishtina e Drenica nuk e shohin veten në barazh
Në barazh luhet një ndeshje. Ekipi që mbyll kampionatin në vendin e tetë në Superligë do të luajë me fituesin e ndeshjes së ekipeve të vendeve të dyta në dy grupet e Ligës së Parë. Dy ekipet e para të grupeve të Ligës së Parë ngritën në Superligë. Fakti se luhet vetëm një ndeshje e bën barazhin të paparashikueshëm.
Te Prishtina mendojnë për organizimin për edicionin e ri e jo për ndeshjen e barazhit.
Trajneri i Prishtinë, Abdullah Ibrakoviq, thotë se cilësia është në anën e tyre.
“Nuk po mendojmë për barazhin, pavarësisht se çka tregon tabela e Superligës. Kemi cilësi të mjaftueshme për të luajtur ndeshje të forta deri në fund të sezonit. Ajo që është më e rëndësishme dhe fokusi ynë tani është një analizë gjithëpërfshirëse e këtij sezoni dhe ndërtimi i një strategjie për sezonin e ardhshëm”, ka thënë Ibrakoviq.
Prishtina në fundjavë e pret Drenicën. Kjo përballje mund të ndikojë direkt në garën për të shmangur vendin e tetë.
Trajneri i Drenicës, Tahir Lushtaku, pranon se gjërat janë komplikuar pas disfatës nga Dukagjini.
“Nuk mendoj e as nuk dyshoj që Drenica do përballet në barazh, sepse janë edhe 7 xhiro. Pas humbjes së fundit nga Dukagjini disi është komplikuar më shumë kjo situatë, por kam besim te ekipi dhe besoj që edhe orari ndoshta për ne është pak më i mirë. Natyrisht kemi pasur një krizë të rezultateve, por unë besoj se do ta tejkalojmë këtë krizë qysh me Prishtinën. Do të vazhdojmë të punojmë fort për të eliminuar dobësitë që na janë shfaqur në këto ndeshjet e fundit. Shpresojmë ta mbyllim me sukses këtë sezon që u karakterizua me shumë vështirësi financiare, e që ndoshta na kanë penalizuar që të mos jemi më lart në tabelë, pra në katër vendet e para”, ka thënë Lushtaku.
Malisheva synon ta shfrytëzojë epërsinë e pikëve, Dukagjini motivin
Të relaksuar nuk e shohin veten as Malisheva dhe as Dukagjini. Te Malisheva thonë se do të mundohen ta ruajnë avantazhin prej katër pikësh.
“Diferenca prej katër pikësh na krijon një avantazh të vogël, si dhe ndeshjet e ndërsjella me Drenicën dhe Dukagjinin si vendas mendoj se na favorizojnë. Megjithatë, mendoj se ka ende ndeshje për t’u zhvilluar. I kemi dy ndeshje mjaft të vështira në vazhdim”, ka thënë trajneri i Malishevës, Arsim Thaqi. Malisheva në fundjavë luan në udhëtim ndaj Dritës, ndërsa e pret Llapin më pas.
“Nëse në këto dy ndeshje dalim të pamposhtur, mendoj se gjasat rriten shumë”, është shprehur Thaqi.
Edhe trajneri i Dukagjinit, Armend Dallku, thotë se fitorja e arritur në fundjavë ndaj Drenicës ka motivuar lojtarët për ndeshjet e ardhshme.
“Të gjitha ekipet jemi aty pa ndonjë shkëputje. Ka ende pikë në lojë dhe nuk mund të favorizohet asnjëra skuadër. Me fitoren e arritur ndaj Drenicës kemi bërë një hap të madh dhe shpresojmë të shënojmë fitore edhe në takimet ardhshme. Synimi jonë është të paraqitemi sa më mirë dhe të vazhdojmë me këtë ritëm për të pasur rezultate të kënaqshme. Jemi të qetë, atmosfera është e mirë dhe neve na mbetet ta paraqesim në fushë gjithë potencialin për të arritur suksese”, ka thënë Dallku.
Superliga në futboll
1. Ballkani 29 19 6 4 47:17 63
2. Gjilani 29 14 13 2 45:24 55
3. Drita 29 15 7 7 44:20 52
4. Llapi 29 13 8 8 47:33 47
5. Prishtina 29 10 8 11 36:32 38
6. Malisheva 29 10 7 12 35:33 37
7. Drenica 29 10 5 14 39:42 35
8. Dukagjini 29 7 12 10 25:31 33
9. Ulpiana 29 5 9 15 26:50 24
10. Feronikeli 29 3 3 23:12 74 12
Java e 30-të
Drita – Malisheva
Ulpiana – Ballkani
Feronikeli – Llapi
Dukagjini – Gjilani
Prishtina – Drenica
Java e 31-të
Gjilani – Prishtina
Drenica – Ulpiana
Dukagjini – Feronikeli
Ballkani – Drita
Malisheva – Llapi
Java e 32-të
Prishtina – Dukagjini
Ulpiana – Gjilani
Llapi – Ballkani
Drita – Drenica
Feronikeli – Malisheva
Java e 33-të
Gjilani – Drita
Dukagjini – Ulpiana
Prishtina – Feronikeli
Ballkani – Malisheva
Drencia – Llapi
Java e 34-t
Ulpiana – Prishtina
Malisheva – Drenica
Feronikeli – Ballkani
Llapi – Gjilani
Drita – Dukagjini
Java e 35-të
Drenica – Ballkani
Gjilani – Malisheva
Dukagjini – Llapi
Ulpiana – Feronikeli
Prishtina – Drita
Java e 36-të
Llapi – Prishtina
Feronikeli – Drenica
Drita – Ulpiana
Malisheva – Dukagjini
Ballkani – Gjilani