Skuadrat që po luftojnë për të mbetur në elitën e futbollit të Kosovës, pa barazh, po synojnë t’i fitojnë ndeshjet e xhiros së 35-të, për të qenë më të qeta deri në xhiron e fundit. Janë katër skuadra që po synojnë t’i shmangen pozitës së tetë në tabelë, e cila dërgon në barazh. Deri në fund të sezonit, kanë mbetur edhe dy xhiro për t’u zhvilluar. Prishtina është më komode në këtë aspekt. Renditet e pesta në tabelë me 48 pikë, dy më shumë se Dukagjini i vendit të gjashtë, katër më shumë se Malisheva e Drenica, që mbajnë pozitat shtatë dhe tetë, respektivisht. Drenica, aktualisht ka goldallim më të dobët se Malisheva, por në Superligën e Kosovës, renditjen finale e vendosin ndeshjet e ndërsjella.
Kampionia e edicionit të kaluar, Prishtina, mes shumë problemeve infrastrukturore e telasheve financiare, e pret Dritën. Madje, pa trajnerin Abdullah Ibrakoviq, i cili u largua nga skuadra ditë më parë.
Prishtinës në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet mund t’i kryejë punë edhe një pikë, ndërsa Drita pa objektiva në ligë është me mendje në finalen e Kupës së Kosovës. Kjo ndeshje luhet të dielën prej orës 15:00.
“Është një ndeshje e vështirë pasi dihet se Drita e ka një skuadër shumë cilësore, por ne jemi të 'dënuar' për të fituar patjetër. Atmosfera në ekip është e mirë pasi të gjithë lojtarët po mundohen të jenë sa më pozitivë dhe profesionistë. Kemi shumë probleme, por do të mundohemi që të gjithë të japim maksimumin. Kërkojmë mbështetjen e ‘Plisave’. Vetëm ata mund të na japin forcë shtesë në këtë situatë që ndodhet klubi”, ka thënë mbrojtësi i Prishtinës, Gledi Mici.
Finalistin tjetër të Kupës së Kosovës në futboll, Llapi, do ta presë në stadiumin “18 Qershori” në Klinë, Dukagjini. Do të jetë ndeshja e fundit në shtëpi për klinasit në këtë edicion. Trajneri Armend Dallku e di mirë rëndësinë e kësaj loje. Ai thotë se Dukagjini e ka obligim ta japë më të mirën për tifozët e skuadrës dhe të gjithë qytetin. Një gjë e tillë do të arrihej me fitore, atë që e synon edhe vetë trajneri Dallku.
“A do të ishim të kënaqur me një pikë? Normalisht që nuk do të ishim të kënaqur duke marrë parasysh renditjen tabelore. Ne duhet të bëjmë më të mirën e mundshme në këtë ndeshje dhe në ndeshjen e ardhshme”, ka thënë Dallku të shtunën për KOHËN.
I bindur se do t’i ikë barazhit sivjet është trajneri i Drenicës, Tahir Lushtaku. Lushtaku, megjithatë, është i vetëdijshëm për forcën që e ka Ballkani, kampioni i ri i Superligës, me të cilin do të ballafaqohet të dielën në stadiumin “Bajram Aliu”.
“Ne hyjmë në ndeshje vetëm për fitore, t’i arkëtojmë pikët e plota sepse tjetër opsion nuk kemi. Unë jam optimist, kam besim të madh tek ekipi im dhe futbollistët. Motivi është në maksimum dhe kemi punuar gjatë tërë javës sepse për ne është ndeshje e Kampionatit dhe natyrisht luajmë për fitore për t’i ikur barazhit. Besoj që ne nuk do të jemi aty në barazh dhe as nuk e kam menduar që do të përfundojmë aty. Gjithmonë kam pasur besim dhe kam qenë optimist, sikur që jam edhe tash”, ka thënë për KOHËN trajneri i Drenicës, Lushtaku.
Më i matur në deklaratë ka qenë trajneri i Malishevës, Arsim Thaqi. Ai thotë se skuadra që drejton është gati për çdo situatë.
Malisheva luan në udhëtim te skuadra e Gjilanit, në stadiumin me bar sintetik në Gjilan.
“Jemi në një situatë që jo çdo gjë varet nga ne. Jemi duke punuar si në çdo ndeshje tjetër. Do ta shohim në fund. Ne jemi përgatitur për ndeshjen me Gjilanin fillimisht. Pas kësaj ndeshjeje, normalisht që duhet të mendojmë qoftë për ndeshjen e fundit të sezonit apo edhe për ndeshjen e barazhit. E rëndësishme është që skuadra është në gjendje të mirë psikologjike, e vetëdijshme për situatën në të cilin gjendemi. Jemi të bindur për mbetje në elitën e futbollit të Kosovës edhe për vitin e ardhshëm”, është shprehur Thaqi.
Ndeshja tjetër e xhiros së 35-të vë përballë Ulpianën e Feronikelin, dy skuadra që edicionin tjetër nuk do të jenë pjesë e Superligës.
Të gjitha takimet e së dielës do të nisin në orën 15:00.
Superliga – 35
E diel
Ulpiana – Feronikeli (15:00)
Prishtina – Drita (15:00)
Dukagjini – Llapi (15:00)
Gjilani – Malisheva (15:00)
Drenica – Ballkani (15:00)
1. Ballkani 34 22 7 5 58:23 73
2. Gjilani 34 16 14 4 54:30 62
3. Drita 34 16 10 8 50:25 58
4. Llapi 34 15 9 10 54:39 54
5. Prishtina 34 13 9 12 47:35 48
6. Dukagjini 34 11 13 10 34:32 46
7. Malisheva 34 12 8 14 41:40 44
8. Drenica 34 12 8 14 45:45 44
9. Ulpiana 34 5 9 20 28:65 24
10. Feronikeli 34 3 3 28 12:89 12