Sport

Futbollisti që shënoi ndaj Galatasarayt, shpreson për suksese me Ballkanin

Në fillim të vitit të kaluar, Veton Tusha i ishte bashkuar një skuadre të Superligës turke. Pak e kishin njohur si futbollist, por debutimi i tij bëri bujë.

Tusha në janar të vitit 2021 kishte kompletuar transferimin te Denizlispori, në elitën e futbollit të Turqisë. Vlerësohej hap i madh në karrierë, marrë parasysh moshën e re.

Dhe menjëherë në ndeshjen e parë shënoi gol. Goli i tij ishte i veçantë, ndaj një prej ekipeve më të mëdha në Turqi. Kishte realizuar ndaj Galatasaryt.

Tusha kishte hyrë në lojë si zëvendësues në minutën e 46-të, ndërsa vetëm dy minuta më pas, kishte shënuar me prekjen e parë të topit. Një tjetër gol nga 11 ndeshje sa i kishte luajtur në tërësi në Superligën turke, e kishte realizuar ndaj Alanyasporit.

Në Turqi, Tusha ishte transferuar nga Vardari i Shkupit.

Ai qëndroi te skuadra turke deri në shkurt të këtij viti dhe më pas u transferua te Termalica në Poloni.

Në elitën e futbollit polak, Tusha u aktivizua vetëm në tri ndeshje. 19-vjeçari të premten u zyrtarizua nga skuadra e Ballkanit, që do të bëjë gara në fazën grupore të Ligës së Konferencës.

Tusha thotë se ka pasur oferta nga Kroacia, Austria e Turqia. Por, shton se është i lumtur që do t’u bashkohet suharekasve.

“Kam vendosur të kthehem sepse menaxheri im ka menduar se ky është opsioni më i mirë për mua, pavarësisht ofertave të tjera nga Evropa. Projekti i Ballkanit ka qenë ndër më të mirat për moshën time si 19-vjeçar”, ka thënë Tusha për KOHËN.

Tusha synimet i ka të mëdha. Ai shpreson që me Ballkanin të shkëlqejë në garën e tretë të UEFA-s për nga rëndësia.

“Shpresojmë të kemi paraqitje dinjitoze në Evropë, pse jo edhe kalimin e grupeve. Unë dua që ta ndihmoj skuadrën. Dua që të shpallemi kampion sërish në fund të edicionit”, është shprehur Tusha.

Në njoftimin e Ballkanit thuhet se mesfushori i talentuar ka nënshkruar kontratë trevjeçare.

Futbollisti që tani përfaqëson Kosovën U21, nuk e di nëse do të mbetet gjatë në Suharekë. Në të kaluarën, Tusha ka qenë edhe kapiten i Përfaqësueses U19.

“Për momentin do të jem i koncentruar te Ballkani dhe do ta jap më të mirën nga vetja. Do të mundohem ta ndihmoj skuadrën për aq sa kam mundësi. Dua ta falënderoj presidentin Arsim Kabashi dhe trajnerin Ilir Daja për besimin dhe mikpritjen e tyre”, ka thënë Tusha. Ai ka nga tri ndeshje me Kosovën U17 dhe U19. Me Kosovën U21 ka luajtur në katër ndeshje dhe e ka një gol të shënuar.

Ballkani në Ligën e Konferencës është në grup me Slavia Pragën, Clujin dhe Sivassporin.