Ishte lider i padiskutueshëm te Gjilani në dy edicionet e kaluar. Ndërkohë i është besuar edhe shiriti i kapitenit dhe të gjithë sytë janë drejtuar kah ai. Është fjala për futbollistin nga Shqipëria, Gerhard Progni, i cili mban emrin e legjendës gjermane, Gerd Mueller.
“Emrin ma ka lënë daja, sepse ka qenë tifoz i Gjermanisë dhe Muellerit”, tha Progni për KOHËN, të hënën.
Gerd Mueller vdiq më 15 gusht, pas një sëmundjeje të gjatë. Ai mbetet ikonë e Gjermanisë. Ndonëse të gjithë e kanë njohur si Gerd Mueller, emri i tij ishte Gerhard.
Këtë emër e mban ylli aktual i Gjilanit dhe futbollit kosovar, Gerhard Progni.
Paraqitet e tij të mira dhe golat e bukur kanë bërë që të jetë i pëlqyer i “Skifterave”. Në dy edicionet e kaluara ka qenë golashënuesi më i mirë i Gjilanit.
Shenjën prej lideri e kapiteni, Progni e dha edhe të dielën në derbin lokal kundër Dritës, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Realizoi gol të bukur nga gjuajtja e lirë. Ishte goli i parë i shënuar në derbin kundër Dritës.
Progni thotë se fituan për tifozët dhe familjet e tyre.
“Është e vërtetë. Ishte goli im i parë në derbi. E prisja më shpejt, por më mirë vonë se kurrë. Festova me tifozët, sepse kjo fitore ishte edhe për ata dhe për familjet tona. Ne u futëm të fitonim për ‘Skifterat’, për familjet tona, për stafin, për klubin edhe për vetë lojtarët”, u shpreh Progni.
është i bindur se fitorja ndaj Dritës u ka dhënë fund rezultateve jo të mira të Gjilanit. Sipas tij, triumfi ndikon edhe në aspektin psikik.
“Thjesht kemi pasur krizë të rezultateve dhe asgjë më shumë. Treguam që kemi karakter që ta kthejmë këtë situatë të keqe në favorin tonë. Shpresoj shumë që kjo të jetë kthesa dhe të vazhdojmë vetëm para dhe të mos kthejmë kokën prapa për pikët që kemi humbur, sepse kemi shumë ndeshje. Por, e rëndësishme është se në aspektin psikologjik kjo fitore na ka ndihmuar shumë”, tha Progni.
Për sulmuesin nga Bajram Curri, të qenët lider nuk ka shumë rëndësi. Ai mendon se Gjilani ka shumë lojtarë cilësorë dhe se shiriti i kapiteni nuk e bën dallimin.
“Të them të drejtën nuk kam qejf që të bazohet loja tek unë, por te të gjithë lojtarët, sepse nuk e fiton as ndeshjen e as kampionatin një individ, por vetëm grupi i bashkuar mund të dalë në fund. Sa i përket shiritit të kapitenit, të them të drejtën është vlerësim nga ana e klubit, stafit, ekipit dhe tifozëve. Do të mundohem të jap gjithmonë maksimumin, por te Gjilani jemi të gjithë liderë, kështu që nuk besoj që ka shumë rëndësi se kush e mban shiritin”, shtoi 34-vjeçari.
Progni thotë se Gjilani do të luftojë deri në fund për titull të kampionit.
“Ne do të luftojmë deri në fund për të marrë maksimumin, pse jo edhe kampionatin që t’i kënaqim tifozët tanë. Por, duhet t’i marrim ndeshjet një nga një, sepse tani është vetëm fillimi. Besoj që edhe këtë vit do të jenë katër ekipet që do të luftojnë për titull. Për emra dihet besoj”.
Te Gjilani është nga viti 2019. Më parë ka luajtur në shumë skuadra të Shqipërisë.
“Besoj që grupi është më i fortë, stafi i trajnerëve po ashtu i fortë dhe klubi po mundohet të na plotësojë të gjitha kushtet. Kështu që besoj që të gjithë këta komponentë do të na sjellin atë që e dëshirojmë”.
Ai shton se trajneri Ismet Munishi është shumë motivues. Sipas tij, trajneri është armë e fortë e Gjilanit.
“Çdo trajner e ka filozofinë e vet, gjithashtu edhe të punuarit. Por, për mua s’ka rëndësi, sepse jemi profesionistë dhe duhet t’i plotësojmë detyrat që jep trajneri. Por, me trajnerin jo vetëm unë, por besoj të gjithë lojtarët janë të kënaqur, pasi është lehtë të punosh me atë, e kuptoj kollaj se si kërkon të luajmë, është motivues, punon me pasion, kështu që është një armë shtesë në ekip”, u shpreh sulmuesi.
Progni në edicionin e kaluar shënoi nëntë gola për Gjilanin, kurse në edicionin 2019/2020 kishte realizuar 12 herë, duke qenë në mesin e shënuesve më të mirë të ligës.
Në Shqipëri ka luajtur për Partizanin dhe Dinamon e Tiranës, Besën e Kavajës, Kukësin, Teutën e Durrësit, Skënderbeun e Korçës dhe Flamurtarin e Vlorës. Ishte pjesë edhe e Zires nga Azerbajxhani. Progni ka qenë pjesë e Shqipërisë U-19 dhe U-21.