Sport

Futbollisti me tre tituj kampioni, në tri shtete, me tri skuadra shqiptare

Titulli i fituar në Superligën e Kosovës ne futboll, ka bërë që mbrojtësi i krahut të majtë, Gledi Mici, të ndihet i veçantë.

Mici të dielën e festoi titullin e kampionit me skuadrën e Prishtinës, një xhiro pa përfunduar edicioni aktual në elitën e futbollit kosovar. Për Micin ky është titulli i tretë në karrierë, por suksesi me Prishtinën ka vlerë të veçantë. Ai para Prishtinës ka fituar tituj kampioni edhe në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri.

Në Maqedoninë e Veriut, tiranasi e ka fituar titullin e kampionit me Shkëndijën e Tetovës derisa në Shqipëri me skuadrën e Skënderbeut.

Kështu që Mici bëhet lojtari i parë që ka fituar tre tituj kampioni, me tri ekipe të ndryshme shqiptare, në tri shtete të ndryshme. Ai iu bashkua Prishtinës para fillimit të këtij edicioni nga Shkëndija dhe ka pranuar se ndihet krenar për suksesin e arritur në vitet e fundit.

Për Prishtinën, ky është titulli i parë pas pritjes prej tetë vjetësh.

Titullin e parë në karrierë, Mici e ka fituar me Skënderbeun e Korçës në edicionin 2017/18, për të vazhduar me Shkëndijën e Tetovës në edicionin 2018/19 dhe këtë edicion me fanellën e Prishtinës. Në edicionin që e ka fituar titullin e kampionit të Shqipërisë me Skënderbeun, Mici e ka fituar edhe Kupën e Superkupën.

“Ndihem mjaft i vlerësuar, pasi nuk do të ishte asgjë e mundur pa ndihmën e bashkëlojtarëve, trajnerit dhe me të gjithë ata të cilët kemi bashkëpunuar në këtë kohë. Jam shumë i lumtur që kam arritur të fitoj trofe në tri shtete në ndryshme me tri skuadra shqiptare. Sigurisht që është një ndjenë e veçantë dhe nuk ishte aspak e lehtë të arrij të bëj një gjë të tillë”, ka thënë Mici. “Nuk e kam menduar se mund të arrihet një gjë të tillë, por sigurisht që kjo nuk do të arrihej pa ndihmën e bashkëlojtarëve”.

Pas titullit të fituar me Prishtinën, Mici është i fokusuar në garat evropiane. Në edicionin e ri, Prishtina për herë të parë do të paraqitet në parakualifikimet e Ligës së Kampionëve, që nisin në fund të muajit tjetër.

Mici është i gatshëm për këto ndeshje dhe shpreson që të shkojë sa më larg që të jetë e mundur me Prishtinën. Madje dëshira e tij është që edhe me Prishtinën t’i përsëritë sukseset që i kishte me Skënderbeun, ekip me të cilin në sezonin 2017/18 luajti në fazën e grupeve të Ligës së Evropës.

“Nuk mendoj të ndaloj këtu. Objektivi im është të arrijmë të bëjmë ndeshje sa më të mira në garat evropiane. Sigurisht që do të punojmë shumë dhe do të ëndërrojmë që të arrijmë ta sigurojmë fazën e grupeve, pasi një gjë të tillë e kam bërë edhe me Skënderbeun”, u shpreh Mici. “Kam besim se me këtë grup të lojtarëve mund të arrijmë të bëjmë gjëra të mëdha dhe pse jo të jemi në fazën e grupeve. Shpresoj që përvoja që kam fituar në ndeshjet ndërkombëtare do të na shërbejë që të paraqitemi sa më mirë. Duhet të përgatitemi shumë, pasi e dimë që nuk do të ketë ndeshje të lehta. Por gjithmonë ka një mundësi”.

Mici 29-vjeçar, gjatë karrierës si futbollist ka luajtur edhe te Kamza, Flamurtari e Kukësi. Ai trofe ka fituar edhe me Flamurtarin e Vlorës dhe Kukësin, ekipe që patën triumfuar në Kupën e Shqipërisë.