Sport

Futbollisti me prejardhje shqiptare i Malit të Zi sjell në Kosovë përvojën e fituar në shumë vende

Një rrugëtim i gjatë dhe në shumë vende e ka sjellë Damir Kojasheviqin në Drenas, te skuadra e Feronikelit. 33-vjeçari i lindur në Podgoricë dhe që është ftuar shpesh te Mali i Zi, më 19 dhjetor të vitit të kaluar firmosi me Feronikelin. Fillimi i aventurës së Kojasheviqit te skuadra drenicase, është karakterizuar me lëndime, por përvoja e suksesshme e mesfushorit ofensivë pritet të jetë e vlefshme për Niklin, ashtu siç njihet shkurt kjo skuadër.

Kojasheviq ka nisur karrierën te Deçiqi i Tuzit, ekipi shqiptar që aktualisht garon në elitën e Malit të Zi. Deçiqi është klub i njohur për aktivizimin e shumë futbollistëve shqiptarë. Kojasheviq ka treguar për KOHËN se prejardhja e tij, po ashtu, është shqiptare. Ai që në vitin 2008 ishte transferuar te Jagiellonia në Poloni. Te kjo skuadër ishte paraqitur shumë mirë. Para se të shkëlqente kishte një periudhë huazimi te Gornik Leczna, po ashtu në Poloni. Më pas luajti për Zetën (Mali i Zi), Sarajevën (Bosnjë-Hercegovinë) e Buduçnostin e Podgoricës (Mali i Zi). Prej vitit 2012 deri në vitin 2015 ishte tek Astana në Kazakistan. Luajti edhe për Lokomotiv Tashkent në Uzbekistan. Më pas ishte te Mladost Podgorica (Mali i Zi), Vardari (Maqedoni e Veriut), Vojvodina (Serbi), Shakhter Karagandy (Kazakistan), Radniçki Nish (Serbi) dhe në fund te Sutjeska e Nikshiqit (Mali i Zi). Tani është pjesë e klubit të suksesshëm kosovar.

“Ofertën nga Kosova e kam pasur në dy vjetët e fundit. Presidenti Naser Ramaj më ka ftuar te Feronikeli. Dy herë nuk kam mundur të vij dhe tani ndodhi, e treta e vërteta. Kam vendosur të provoj edhe Ligën e Kosovës”, ka thënë Kojasheviq për KOHËN.

Ai shënoi gol të bukur ndaj Arbërisë në fitoren 3:0 të Feronikelit. Ka luajtur edhe në ndeshje tjera për skuadrën nga Drenasi, por aktualisht është i lënduar.

“Sa i takon paraqitjeve me Feronikelin, jam i kënaqur. Por, sa i takon rezultateve, nuk jam. Nuk kam pasur fat, po ashtu. Jam lënduar ndaj Ballkanit dhe kam sanuar lëndimin për shtatë ditë. Më pas ndaj Arbërisë më është përsëritur i njëjti lëndim. Më është dashur sërish ta sanoj lëndimin. Bëhet fjalë për një lëndim muskulor. Por, në përgjithësi është mirë”, ka theksuar Kojasheviq.

Ai menjëherë është bindur se Superliga e Kosovës nuk është e lehtë.

“Sa i takon ligës, ajo është shumë e vështirë. Luhet futboll i fortë, vrapohet shumë dhe ka shumë goditje ndaj lojtarëve rivalë. Ka shumë ekipe që luajnë futboll të mirë”.

Kojasheviq te Mali i Zi ka debutuar goxha vonë, në vitin 2016. Deri më tani ka një gol në nëntë paraqitje. Shumicën e ndeshjeve i ka luajtur në vitet 2016 e 2017. Së fundi është paraqitur në një miqësore ndaj Bjellorusisë më 19 nëntor të vitit 2019. Ai ishte në stol në ndeshjen ndaj Kosovës, të cilën Mali i Zi e humbi 2:0, më 14 tetor të vitit 2019. Ishte fitore që e mbajti Kosovën në garë për kualifikim në “Euro 2020”. Atmosfera në atë ndeshje në “Fadil Vokrri” ishte e veçantë.

“Po, isha me reprezentacion kundër Kosovës. I mbaj mend tifozët që kanë anuar në mënyrë të shkëlqyeshme. Kujtoj edhe lojën e mirë të Kosovës”, ka theksuar Kojasheviq.

Ai ditët më të mira si lojtar i ka kaluar tek Astana në Kazakistan.

“Kam luajtur në shumë shtete, por më së miri e kisha tek Astana në Kazakistan. Kam luajtur në Ligën e Evropës me atë skuadër dhe kam fituar krejt çka mund të fitohet. Edhe sa i përket kontratës atje kam kaluar më së miri”.

Ai ishte shquar me paraqitje të mira edhe te Jagiellonia në Poloni. Ishte shpallur lojtari më i mirë i huaj në kampionatin polak, në moshën 19-vjeçare.

“Po, është e vërtetë. I kisha 19 vjet dhe isha lojtari më i mirë i huaj në Poloni. Më kanë kërkuar shumë klube, por klubi im kërkoi shumë para për mua. Sinqerisht, kam mundur të kaloj shumë më mirë në futboll, por në këtë sport asnjëherë nuk i dihet. Dhe, tani jam i lumtur me karrierën time, por gjithsesi ka mundur të ishte edhe më mirë”, thotë Kojasheviq, që luan edhe në krah.

Ai thotë se është lojtari i vetëm që Deçiqi e ka shitur ndonjëherë.

“Karrierën e kam nisur te Deçiqi i Tuzit. Është klub me shumë shqiptarë, ndërsa edhe unë po ashtu jam shqiptar me prejardhje”, tregon Kojasheviq.

Ai vlerëson se dallimi në mes të ligës së Kosovës dhe asaj të Malit të Zi është shumë i madh. Sipas Kojasheviqit, në Kosovë luhet futboll i fortë dhe i ashpër, kurse taktika është e dobët. Ndërsa, në Mal të Zi ka më shumë futboll teknik dhe të organizuar, sipas Kojasheviqit.

Nofka e Kojasheviqit është “Piksi”. Një nofkë të tillë e kishte edhe legjenda e futbollit të Serbisë, Dragan Stojkoviq, aktualisht selektor i Serbisë. Babai i lojtarit të Feronikelit e ka dashur shumë Piksin e famshëm dhe kështu djalit të tij i mbeti nofka e njëjtë.

Kojasheviqi nuk është i kënaqur me rezultatet e Malit të Zi në vitet e fundit. Shpreson që me selektorin e ri ekipi do të vendoset më mirë dhe do të ketë më shumë sukses.

Mbetet të shihet nëse Kojasheviqi do të rikthejë vendin në ekipin e zgjeruar të Malit të Zi. Por, fillimisht, mbetet pikëpyetje nëse ai do të ketë ndikimin e pritur te Feronikeli.