Sport

Futbollistet e Mitrovicës, kampione të Kosovës

Futbollistet e klubit Mitrovica janë kampione të Kosovës në futboll pasi kanë fituar duelin vendimtar ndaj skuadrës së Feronikelit.

Për shkak se të dyja skuadrat kishin pikë të njëjta në tabelë, nga 31 sosh, dhe në pamundësi të vazhdimit të kampionatit në Superligën e femrave, Federata e Futbollit, kishte vendosur një ndeshje vendimtare për të përcaktuar fituesin në futbollin e femrave, pasi ndeshja e tyre e vetme direkte kishte përfunduar pa gola, transmeton KOHA.

Në ndeshjen e zhvilluar të shtunën në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë, dueli gjatë 90 minutave nuk dha fitues, pasi ndeshja u mbyll pa gola.

Por në pjesën e parë të vazhdimeve, futbollistja më e mirë e Kosovës, Kaltrina Biqkaj shënoi golin vendimtar për Mitrovicën, që fiton titullin e kampionit për herë të dytë.

Ky triumf KFF Mitrovicës i siguron kualifikimet e Ligës së Kampionëve edhe për këtë vit.