Sport

Futbollistet e Kosovës përgatiten për fitore në “ndeshjen e shqiponjave”

Futbollistet e Kosovës e kanë kryer seancën e tretë stërvitore, të martën, në Kampin Nacional të Federatës së Futbollit në Hajvali.

Nga 25 lojtare të ftuara, dhjetë luajnë në klube evropiane. Vashat e Kosovës do të përballen me ato të Shqipërisë në ndeshjen e parë kualifikuese për Botërorin e vitit 2023 që do të mbahet në Australi dhe Zelandë të Re. Dueli mes dy përfaqësueseve shqiptare do të zhvillohet të enjten në stadiumin “Elbasan Arena” (19:00).

Përzgjedhësja e Kosovës, Afërdita Fazlija, ka respekt të madh për Shqipërinë. Por, ajo thotë për “Sportin në KTV” se do të kërkojnë pikë të plota.

“Kur kemi të bëjmë me këtë fazë unë mendoj që në çdo ndeshje, pavarësisht kundërshtarit, ne duhet ta bëjmë punën dhe angazhimin për të fituar. Në baza statistikore, Shqipëria është më lart, është një nivel më lart, është në vazon e katërt. Megjithatë, unë mendoj që me angazhim maksimal dhe me kryerjen e detyrave që do t'i japë shtabi teknik, me kualitetin të cilin e kemi, të jemi realë, ne udhëtojmë për fitore. Mund të jemi shumë të afërt, por edhe në familje nëse e kemi ndonjë garë duam të fitojmë vetë. Ne jemi shumë të lumtur për hapat që ka bërë Shqipëria ku në kualifikimet e vitit 2017 e ka kaluar edhe fazën e grupeve, sido që të jetë ne kërkojmë fitore ndaj Shqipërisë”, u shpreh Fazlija.

Ajo thekson se do të shkojnë nga ndeshja në ndeshje dhe nuk do të paraqiten asnjëherë me flamur të bardhë, pavarësisht kundërshtarit.

“Alternativa që ne si shtab iu kemi qasur është të luajmë ndeshje pas ndeshjeje. Me asnjë kundërshtar nuk do të shkojmë me flamur të bardhë. Do të luftojmë deri në sekondat e fundit dhe do ta japim maksimumin. Unë nuk e kam as princip që të shkoj e dorëzuar në ndonjë ndeshje. Kam shkuar në kualifikime edhe me 13 lojtare. Fundi i fundit, kjo është edhe magjia e futbollit. Nuk do të thotë që ai që është i ranguar më lart patjetër duhet të fitojë”, u shpreh Fazlija.

Për duelin ndaj Shqipërisë flasin edhe futbollistet Erëleta Memeti, Modesta Uka dhe portierja Florentina Kolgeci.

Ato pohojnë se do të udhëtojnë drejt Elbasanit për pikë të plota dhe e pranojnë se përballja me Shqipërinë është emocionuese.

Mehmeti deklaroi se pavarësisht se luajnë ndaj Shqipërisë, do të kërkojnë fitore.

"Përgatitjet po shkojnë shumë mirë. Atmosfera në skuadër është shumë pozitive. Ndeshja me Shqipërinë është emocionuese, por emocionet duhet t'i kontrollojmë. Edhe pse kundërshtare e kemi Shqipërinë, të gjithë duam që të dalim me fitore nga ajo ndeshje”, tha Memeti.

Ndeshje të paparashikueshme e ka vlerësuar Modesta Uka.

"Do ta shohim të enjten se çka do të ndodhë pasi në futboll nuk dihet asnjëherë. Ndonjëherë humb edhe më i forti. Ne jemi duke u përgatitur maksimalisht. Do të jetë ndeshje shumë interesante dhe emocionuese. Është përballje mes shqiponjave, mes motrave. Sigurisht në fushë do të kërkojmë fitore”, tha Uka.

Ndërkohë për portieren Kolgeci ndeshja ndaj Shqipërisë është shumë emocionuese.

“Prapë ka emocione si në ndeshjen e vitit 2017, pasi dihet që jemi një gjak. Mendoj që tani, për dallim nga viti 2017, ne si kombëtare jemi më e komponuar. Edhe Shqipëria ka avancuar. Besoj që do ta bëjmë një paraqitje solide”, u shpreh Kolgeci.

Ekipi i vashave të Kosovës do të niset drejt Elbasanit të mërkurën. Kosova dhe Shqipëria bëjnë pjesë në Grupin F së bashku me Belgjikën, Norvegjinë, Poloninë dhe Armeninë. Kjo do të jetë hera e dytë që Kosova dhe Shqipëria përballen në kualifikimet e Botërorit. Hera e parë ka qenë në prill të vitit 2017, kur Shqipëria fitoi 3:2. Ndeshjen e dytë Kosova e luan më 21 shtator ndaj Norvegjisë.