Sport

Futbollistet e Feronikelit kërkojnë titullin e parë, Mitrovica ka plane tjera

KFF Feronikeli është themeluar para tri vjetësh dhe ka rastin ideal për ta fituar titullin e kampionit të Kosovës që do të jetë i pari në histori të klubit. Por, ky nuk do të jetë aspak një mision i lehtë për futbollistet e Feronikelit që në ndeshjen vendimtare do të përballen me KFF Mitrovicën, kampionen në fuqi.

Në fakt, KFF Mitrovica është kampione në dy edicionet e fundit dhe po kërkon titullin e tretë rresht në duelin kundër Feronikelit, që luhet të shtunën prej orës 16:00 në stadiumin “Riza Lushta”. Kjo ndeshje është e vetmja që do të luhet në Superligën e femrave që nga pezullimi i garave në muajin mars shkaku i pandemisë. Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), që ka rifilluar garat në Superligën e meshkujve dhe ka anuluar edicionin në kategoritë tjera, ka vendosur që tek femrat të luhet kjo ndeshje “finale” për titullin e kampionit. Kjo për faktin se të dyja ekipet kanë pikë të barabarta – nga 31 sosh - pas 11 ndeshjeve të zhvilluara këtë edicion, por Mitrovica është lidere fal goldallimit më të mirë. Këtë edicion, këto ekipe kanë zhvilluar vetëm një ndeshje, e cila ka përfunduar pa gola.

“E kemi parasysh rëndësinë e kësaj ndeshjeje, në të cilën edhe do të vendoset titulli i kampionit për këtë edicion. Për neve si ekip është dueli me vendimtar i këtij edicioni dhe do të dalim në fushë vetëm për fitore. Jemi përgatitur mirë dhe besoj se do ta tregojmë fytyrën e vërtetë të një ekip që vërtetë e dëshiron titullin e kampionit. Kështu që, do të japim më të mirën nga vetja për këtë trofe që do të jetë i pari në histori të klubit”, ka paralajmëruar kapitenia e Feronikelit, Feride Kastrati.

Në anën tjetër, te Mitrovica po synojnë ta vazhdojnë dominimin në futbollin e femrave të Kosovës edhe për edicionin e tretë rresht dhe këtë e pranon edhe trajneri Seid Onbashi. KFF Mitrovica këtë edicion e arriti edhe suksesin më të madh në garat evropiane, duke u bërë klubi i vetëm që me sukses e kaloi fazën e grupeve në Ligën e Kampionëve përpara se të eliminohet në fazën nokaut. Përderisa Feronikeli do të jetë i kompletuar, Mitrovicës do t’i mungojë Edona Kryeziu që njëherit është edhe kapitene e Përfaqësueses së Kosovës. Por, pavarësisht kësaj, trajneri Onbashi pret që futbollistet e tij të festojnë në fund.

“Është një ndeshje me peshë të madhe pasi vendos kampionin e Kosovës dhe pjesëmarrësin në Ligën e Kampionëve. Jemi përgatitur mirë dhe jemi munduar t’i bëjnë disa ndeshje miqësore për ta mbajtur ritmin e ekipit që brenda tetë muajve ka luajtur vetëm një ndeshje zyrtare. Është hera e parë që një ndeshje e vetme vendos për titull dhe si klub kemi kërkuar që të vazhdojë kampionati apo të ndërpritet për shkak se mendojmë se është nënçmim për ekipet tjera”, ka thënë Onbashi. “Edhe pse jemi favorit, duhet pranuar që Feronikeli ka një ekip shumë të mirë. Megjithatë, jam i bindur se titulli do të mbetet për vitin e tretë rresht në Mitrovicë”.