Të dyja skuadrat i kërkojnë pikët e plota. Por qëllimet i kanë të kundërta. Fushë Kosova dhe Dukagjini përballen me njëri-tjetrin të shtunën nga ora 13:00 në ndeshjen e xhiros së 15-të të Superligës së Kosovës në futboll. Ky ballafaqim luhet në stadiumin “Sami Kelmendi”, në Lipjan.
Fushë Kosova synon trepikëshin që të vazhdojë luftën e madhe për mbijetesë në elita, ndërsa Dukagjini kërkon fitoren për të siguruar një vend në tabelë që garanton pjesëmarrjen në garat evropiane. Dukagjini është në vendin e gjashtë në tabelë me 17 pikë pas 14 ndeshjeve të luajtura.
Sulmuesi nga Brazili, Marclei Santos, e ka vlerësuar të vështirë udhëtimin në Lipjan për përballjen me Fushë Kosovën. Megjithatë, ka insistuar se janë të motivuar për fitore. Deri më tani, Santos ka 2 gola e 3 asistime për Dukagjinin në kampionat.
“Na pret një ndeshje e vështirë jashtë stadiumit tonë, kundër një skuadre që po lufton për të mbetur në Superligë. Ne jemi të motivuar dhe pa dyshim se do ta kërkojmë fitoren. Natyrisht, duke e respektuar kundërshtarin”, ka thënë Santos të premten për KOHËN.
Ndeshje të vështirë ndaj Fushë Kosovës pret edhe kapiteni i Dukagjinit, mbrojtësi Elton Basriu.
“Do të jetë ndeshje e vështirë duke marrë parasysh që Fushë Kosova në ndeshjet e fundit ka bërë paraqitje të mira. Por do të shkojmë në Lipjan për të dhënë më të mirën dhe për të marrë tri pikë”, theksoi Basriu.
Në anën tjetër, Fushë Kosova është bindshëm në pozitë më të vështirë. Pas një periudhe të gjatë të kaluar në fund të tabelës, tani ka dalë në vendin e nëntë, të parafundit. Synimi është të vazhdohet me marrjen e sa më shumë pikëve për t’i shpëtuar rënies. Fushë Kosova ka 10 pikë, dy më pak se Feronikeli ‘74, që aktualisht zë pozitën që dërgon në barazh, të tetën.
Mesfushori Arbios Thaçi, që së fundmi është kthyer nga lëndimi dhe do të jetë i gatshëm për duelin me Dukagjinin, thotë se Fushë Kosova do ta japë maksimumin për të dalë me rezultat pozitiv nga ky ballafaqim.
“Të them të drejtën ne nga fillimi i kampionatit kemi bërë lojëra të mira. Edhe ato lojëra që i kemi humbur, kanë ardhur si pasojë e gabimeve tona dhe jo që na ka dominuar kundërshtari. Jemi në seri të mirë dhe forma e ekipit është e mirë, njësoj si atmosfera brenda grupit. E dimë që kemi të bëjmë me një ekip si Dukagjini, që ka përvojë dhe lojtarë cilësorë. Por, qëllimi jonë është trepikëshi dhe për ato do të luftojmë që të jemi më të qetë në vazhdim”, është shprehur Thaçi.
Dukagjini pas 14 ndeshjeve ka shënuar 16 gola dhe ka pranuar 19. Fushë Kosova ka 11 gola të realizuar e 22 të pranuar. Mbrojtësi i Fushë Kosovës, Gentrit Dumani, e di se nuk do ta kenë lehtë ndaj Dukagjinit, por ka thënë se kanë punuar dhe janë përgatitur mirë gjatë pushimit dyjavor.
“Do të jetë ndeshje e vështirë. Dukagjini ka skuadër të mirë, por neve na duhen tri pikë për t’u larguar nga zona e rrezikshme. Ne do të hyjmë në fushë për pikët e plota dhe besoj se me punën që kemi bërë këto dy javë, bashkë me stafin e trajnerëve dhe me bashkëlojtarë, do t’ia arrijmë qëllimit që është fitorja”, ka deklaruar ai.
Të shtunën, gjithashtu prej orës 13:00, do të luhet edhe ndeshja mes Feronikelit ‘74 dhe Lirisë në stadiumin “Rexhep Rexhepi”, në Drenas. Xhiron e 15-të e mbyllin duelet interesante Prishtina – Drita dhe Gjilani – Llapi, që luhen të dielën. Edhe këto ndeshje nisin në orën 13:00.
Superliga – XV
E premte
Malisheva – Ballkani 0:2
E shtunë (13:00)
Fushë Kosova – Dukagjini
Feronikeli 74 – Liria
E diel (13:00)
Prishtina – Drita
Gjilani – Llapi
1. Ballkani 13 11 2 0 27:8 35
2. Drita 13 7 4 2 18:7 25
3. Llapi 14 7 4 3 20:12 25
4. Malisheva 15 6 2 7 23:21 20
5. Prishtina 14 3 9 2 18:17 18
6. Dukagjini 14 3 8 3 16:19 17
7. Gjilani 13 4 2 7 9:14 14
8. Feronikeli 74 14 3 3 8 13:24 12
9. Fushë Kosova 14 2 4 8 11:22 10
10. Liria 14 1 6 7 12:23 9