Të dielën te Prishtina deklaruan se planifikojnë që ndeshjet kampionale t’i zhvillojnë në stadiumin “Fadil Vokrri”. Stadiumi i qytetit në Prishtinë llogaritet shtëpi e FC Prishtinës nga drejtuesit e klubit, por edhe nga shumë tifozë. Stadiumi është pronë e Komunës së Prishtinës dhe menaxhohet nga FFK-ja.
Klubi Prishtina nuk ka kontroll mbi stadium. Kjo u rikonfirmua të hënën. Prishtina në fundjavë e luan ndeshjen e parë kampionale ndaj Feronikeli ’74. Por jo në “Fadil Vokrri”. Ky është vendim i Federatës së Futbollit të Kosovës.
“Ju njoftojmë që FC Prishtina nuk do të mund t’i zhvillojë ndeshjet kampionale në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ pasi fusha është rënduar. Dhe nga ekspertët e UEFA-s është kërkuar që të bëhet riparimi i tapetit për ndeshjen e rëndësisë së lartë të Kombëtares së Kosovës me Kombëtaren e Zvicrës, e cila zhvillohet më 9 shtator. Gjatë kësaj kohe ekipet e ekspertëve të fushës do të punojnë në fushën e stadiumit ‘Fadil Vokrri’ që ta aftësojnë për ndeshjen e Kombëtares”, shkruan në letrën e Abdyl Bellopojës, kryetarit të Komisionit të Garave të FFK-së. Letra i është dërguar Prishtinës të hënën.
Në fakt fusha në “Fadil Vokrri” ka kohë që është shumë e keqe. Ka disa javë që shumë pjesë të fushës janë pa bar e në disa të tjera bari është i madh. Të gjitha ekipet evropiane që kanë luajtur në “Fadil Vokrri” këtë verë janë ankuar për gjendjen e fushës.
Fusha është rënduar për shkak të ngarkesës. Ka dyshime që edhe mirëmbajtja e saj nuk është e duhura.
Por ndeshje ndërkombëtare vazhdojnë të luhen. Ballkani i Suharekës i luajti dy ndeshje këtë verë, Dukagjini i Klinës dy, ndërsa Gjilani e Drita nga një. Për më tepër të shtunën u mbajt një mbrëmje boksi që vlerësohet se i kontribuoi tutje dëmtimit të fushës. Mbrëmja e boksit u mbajt me pajtimin e kryetarit të FFK-së, Agim Ademi. Reshjet e shiut nuk janë ndalur të shtunën dhe fusha ka pësuar dëme të reja. Lajmi i vetëm i mirë është që një koncert i planifikuar që të mbahet pas disa ditësh është zhvendosur nga stadiumi.
FFK-ja, që lejoi mbrëmjen e boksit, tani ka ndaluar Prishtinën që të luajë ndeshje kampionale në arenën ku ka luajtur gjithnjë. Kjo vlerësohet se godet aspiratat sportive të skuadrës së kaltër. Tani Prishtina duhet të luajë në qytete të tjera.
“Opsion të dytë nuk kemi menduar. Jo që insistojmë të luajmë, por nuk kemi rrugë tjetër, përveç nëse stadiumi bëhet krejt lloç. Nuk po mundemi t’i përballojmë as kostot. Ne nuk kemi ku të luajmë diku tjetër përveç nëse dëmtohet shumë dhe është e pamundur të luajmë. Do të duhej të ishte i gatshëm për lojë edhe për Ballkanin, edhe për ne. Nëse dikush luan aty, do të luajmë edhe ne”, ka thënë të dielën për KOHËN, Artan Osmani, drejtor i FC Prishtinës.
Ballkani të enjten luan ndeshjen e radhës evropiane në “Fadil Vokrri”. Prishtina për ndeshjen kampionale duhet të kërkojë stadium tjetër.
Deri më tani Prishtina nuk ka lëshuar ndonjë reagim për vendimin e FFK-së.