Sport

Fund i “qetë” i Kosovës në Lojërat Mesdhetare, Italia më e suksesshmja

Notari i ri, Alush Telaku, ka zhvilluar garën përmbyllëse të Kosovës në Lojërat Mesdhetare “Oran 2022”.

Lojërat e 19-ta Mesdhetare përfundojnë të mërkurën, kur mbahet edhe ceremonia përmbyllëse. Për të mërkurën ka mbetur vetëm gara në hendboll, ndërsa në sportet e tjera garat tashmë kanë përfunduar.

Të martën është garuar në not dhe në skermë. Në not Kosova e kishte përfaqësuesin e saj. Telaku garoi në 100 metra delfin dhe nuk kishte ndonjë rezultat për të mbajtur në mend.

Përfundoi i fundit (7) në baterinë e tij me dallim prej 6.65 sekondash me fituesin e baterisë. Ishte i fundit edhe prej të gjithë 19 pjesëmarrësve në këtë disiplinë. Edhe rezultatet e tjera të Telakut ishin të tilla – larg prej atyre që siguronin medaljet.

Në të vërtetë paraqitja e shumicës së 39 sportistëve të Kosovës në Lojërat Mesdhetare ishte e ngjashme – kryesisht vende të fundit dhe eliminime të hershme, në përballjet e para. Pos në not, kjo ndodhi edhe në atletikë, shigjetari, karate (me një përjashtim), badminton, tenis, pingpong, gjimnastikë, mundje, taekwondo. Dhe ishte ana tjetër e rrëfimit. Ajo e lavdisë.

Kosova falë xhudos e boksit i fitoi gjashtë medalje në Lojërat Mesdhetare. Pesë i fitoi në xhudo e një në boks. Medalje të arta fituan Distria Krasniqi, Laura Fazliu e Loriana Kuka. Medalje të bronzta fituan Flaka Loxha, Akil Gjakova dhe boksieri Shpejtim Bajoku.

Falë xhudos dhe boksit, Kosova renditet e 16-ta në listën e vendeve më të suksesshme. Shqipëria është e 18-ta me dy medalje të arta, një të argjendtë e një të bronztë. Medalje kanë fituar gjithsej 24 shtete nga 26 sa ishin pjesëmarrëse.

Më e suksesshmja është Italia me plot 159 medalje, prej tyre 48 të arta. Turqia i ka fituar plot 45 të arta prej 108 gjithsej. Ndërkohë Franca i ka 21 të arta e 81 medalje gjithsej.

Lista mund të pësojë pak ndryshime të mërkurën, kur vendoset gara në hendboll. Te hendbollistët për vend të tretë luajnë Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Ndërsa në finale takohen Egjipti e Spanja.

Te hendbollistet, për vend të tretë luajnë Portugalia e Serbia. Spanja e Kroacia luajnë në finale.

Xhudistët tashmë janë kthyer në Kosovë dhe kanë vazhduar punën për garat e ardhshme. Ndërkohë në Oran është ende një pjesë e delegacionit kosovar.