Drita është katër pikë larg përcjellëses së parë, Prishtinës, në luftën për titull të kampionit në Superligën e Kosovës në futboll. Por njohës të futbollit në vend i shohin edhe Ballkanin e Gjilanin si pretendentë për titull deri në fund të edicionit, kur kanë mbetur edhe pesë xhiro. Drita prin me 61 pikë, Prishtina i ka 57 sosh. Ballkani është i treti dhe ka një pikë më pak se Prishtina, derisa Gjilani ka 55 pikë dhe zë vendin e katërt. Ish-futbollisti i shumë ekipeve kosovare, Erdin Hashani, në garën për titull u jep një përparësi të lehtë Dritës dhe Prishtinës. Mendimin e njëjtë me Hashanin e ndajnë edhe trajneri Bylbyl Sokoli e Ardian Llumnica.
Megjithatë, nuk i përjashtojnë edhe Ballkanin e Gjilanin.
“Dy ekipet që mund ta fitojnë titullin, edhe pse në garë janë katër ekipe, janë Drita dhe Prishtina. Drita ka përparësi për shkak se nuk varet nga rezultatet e kundërshtarëve e po ashtu janë në seri të mirë dhe përvoja e lojtarëve po e bën ndoshta këtë diferencë. Prishtina është në luftë për titull e Kupë, dhe i duhet t’i fitojë ndeshjet, si dhe të presë ndonjë gabim eventual të Dritës. Ballkanit dhe Gjilanit u duhet t’i fitojnë të gjitha ndeshjet e veta dhe të presin gabimet e Dritës dhe Prishtinës, por do të jetë e vështirë të ndodhë. Besoj që kjo javë është vendimtare për këto skuadra”, ka thënë Hashani.
Në mesjavë Drita e pret kampionin, Feronikelin, kurse Gjilani luan me Prishtinën. Ballkani do të luajë ndaj Llapit në Suharekë. Feronikeli dhe Llapi janë dorëzuar në garën për titull. Madje Llapi synon të fitojë edhe disa pikë për mbijetesë. Edhe Ardian Llumnica thotë se ndeshjet e mesjavës do t’i japin një kah garës për titull. Por ai thotë se fundi do të jetë dramatik në garën për titull.
“Ndeshja në mesjavë në mes Gjilanit dhe Prishtinës mund t’u japë kah gjërave. Nëse Gjilani humb, bën një hap prapa drejtë daljes në Evropë. Humbja edhe Prishtinës do t’i shkaktonte probleme për titull. Prishtina është në ditët më vendimtare të saj, sepse në tri xhirot e ardhshme takohet me Gjilanin, Ballkanin dhe Dritën”, tha Llumnica, duke shtuar se Drita, Prishtina e Ballkani do të luftojnë deri në fund për titull.
Ndërkohë, trajneri Bylbyl Sokoli për një nuancë të vogël favorizon Dritën.
“Drita, Prishtina, Ballkani dhe Gjilani do të luftojnë deri në fund. Por në këtë moment për shkak të diferencës në pikë dhe formës që ka treguar pas rikthimit të futbollit, e favorizoj Dritën. Fakti që janë katër ekipe në garë lë të kuptosh se do të jetë një fund dramatik. Përcaktuese do të jenë ndeshjet në mes vete, por në saje të formës dhe stabilitetit, Dritën e shoh për një nuancë favorite”, është shprehur Sokoli.