Sport

Frashëri në krye të mbrojtjes stabile të Ballkanit

Gjashtë ndeshje, po aq fitore. Ky është bilanci i trajnerit Ilir Daja me Ballkanin. Ballkani pesë fitore i ka shënuar në Superligë, kurse një në garën për Kupë. Ballkani i Suharekës është lider i Superligës pas 23 xhirove me 48 pikë, dy më shumë se Gjilani.

E veçanta e Ballkanit të Dajës është se në pesë ndeshje nuk ka pranuar gol. Ka pranuar vetëm një gol ndaj Malishevës në kampionat.

Pesë fitore rresht në elitë nuk i ka arritur asnjë ekip këtë edicion në elitën e futbollit kosovar. Ilir Daja është ndër trajnerët me startin më të mirë në futbollin e Kosovës.

Rekorde këtë edicion ka vendosur edhe portieri Stivi Frashëri. Paraqitjet e tij të mira janë “rritur” edhe më shumë me ardhjen e trajnerit Daja. Ballkani ka mbrojtjen më të mirë me 15 gola të pranuar.

Në 22 ndeshje sa është paraqitur në kampionat, Frashëri ka pranuar 13 gola. Në plot 15 ndeshje e ka mbajtur portën e paprekur. Ai ka pritur edhe një penallti kundër Prishtinës. Është portieri me më së shumti ndeshje pa pranuar gol këtë edicion garash.

Për KOHËN, Frashëri tregon sekretin e suksesit me Ballkanin, sidomos në stinorin pranveror.

“Sekreti besoj që është serioziteti i të gjithë grupit, puna shumë e madhe, përkushtimi dhe bashkëveprimi i gjithsecilit nga dita e parë që kemi qenë bashkë e deri me tani”, u shpreh portieri nga Shqipëria.

Sipas tij, ardhja e trajnerit Ilir Daja e ka stabilizuar ekipin në të gjitha repartet.

“Kemi pasur oscilime në pjesën e fillimit, sepse dëshira që gjithkush të bëjë maksimumin ndonjëherë ngatërron edhe mënyrën e të luajturit futboll. Ballkani në vetvete është ekip shumë ofensiv, ekip që shënonte shumë dhe njëkohësisht pësonte shumë. Më është dashur që të punoj shumë, sepse mënyra se si pësonim ka qenë disi absurde për elementet që ekipi ka. Por, pas fazës së dytë, me ardhjen e trajnerit Ilir Daja, shumë gjëra kanë ndryshuar. Tani secili bën detyrat e veta dhe si rrjedhojë, çdo fazë e ekipit, si sulmi, mesfusha, apo edhe mbrojtja në fund, janë shumë më të konsoliduara. Kjo ma bën edhe më të lehtë punën duke pasur më pak aksione të rrezikshme. Tani çdo gjë është më e lehtë dhe për më tepër argëtohemi duke shijuar çdo moment. Shpresoj që të na zgjasë sa më shumë”, shtoi portieri Frashëri.

“Ekipi ka filluar të ketë më shumë stabilitet si në fazën ofensive, ashtu edhe në atë defensive. Profesor Ilir Daja duke parë elementet e ekipit, ka bërë të mundur që ne të jemi më të balancuar si grup dhe ka kërkuar që ekipi të jetë bashkë gjatë gjithë kohës. E vlerësoj shumë pjesën e mospësimit, sepse asnjëherë mbrojtja nuk nis nga portieri dhe për më tepër, mospësimi i golave të bën më të pjekur dhe më të fortë si ekip. Normalisht, çdo portier ndihet mirë dhe në formë kur rrjeta mbahet e paprekur, por siç e përmenda, është meritë e gjithë grupit”

Rregullat që ka sjellë Daja te Ballkani, Frashëri mendon se janë shumë pozitive për ekipin. Megjithatë, sipas tij, motivi nuk ka munguar as te trajneri Bekim Isufi.

“Normalisht, çdo trajner ka rregullat dhe mënyrat e veta për të drejtuar një ekip. Ardhja e profesor Ilirit ka sjellë rregulla të reja, por motivimi ka qenë maksimal si me profesor Ilirin, ashtu edhe me herët me profesor Bekim Isufin dhe me gjithë trajnerët tjerë që kam punuar. Motivimi im në stërvitje nuk ka për të ndryshuar asnjëherë, sepse i kam bërë një premtim vetes që unë do të jap maksimumin çdo seancë stërvitore dhe do jem gati në çdo ndeshje. Nëse nuk ke motivim 100 për qind, atëherë asgjë nuk vlen, sepse ti thjesht gënjen vetveten”, u shpreh 31-vjeçari.

Frashëri thotë se ka refuzuar shumë klube për të ardhur te Ballkani sepse i ka pëlqyer projekti. Madje, ai theksoi se ofertat kanë qenë edhe më të mira.

Vendimtar në disa ndeshje për Ballkanin ka qenë sulmuesi i krahut Ermal Krasniqi. Ai ka shënuar nëntë gola deri më tani dhe është shënuesi më i mirë i skuadrës nga Suhareka dhe i katërti në listën e golashënuesve më të mirë në Superligë.

“Ndihem shumë mirë që e kam ndihmuar ekipin në shumë ndeshje dhe shpresoj që të vazhdojë kështu deri në fund. Për mua ky është edicioni më i mirë dhe shpresoj që të kem ecuri të mirë në vazhdimësi. Sigurisht është përgjegjësi e madhe të bartësh barrën e ekipit, por është edhe privilegj. Megjithatë, pa bashkëlojtarët do të ishte e vështirë. Patjetër që për rezultatet e deritanishme meritat u takojnë të gjithë lojtarëve të cilët po e japin maksimumin në çdo ndeshje. Po ashtu, edhe shtabi teknik ka merita së bashku me kryesinë që është mjaft korrekte dhe na qëndron afër për çdo gjë”, tha Krasniqi për KOHËN.

Krasniqi e pranon se është sezoni i tij më i mirë në karrierë deri më tani. Sipas tij, Ballkani synon titullin.

“Duke e pasur parasysh karrierën e tij si trajner, për mua është kënaqësi e madhe që Ilir Daja është pjesë e klubit tonë. Po mësoj shumë gjëra të mira nga ai. Jemi një kontingjent i lojtarëve që luajmë së bashku që tre vjet dhe me ardhjet e reja mendoj që jemi më të fortë. Sa i përket titullit, mendoj që është herët të flasim, pasi deri në fund është rrugë e gjatë. Por, ne do të japim maksimumin që në fund të arrijmë synimin tonë kryesor që është titulli i kampionit”, përfundoi Krasniqi.

Ndeshjen e radhës, Ballkani e luan si mysafir i Malishevës.