Sport

Formën e mirë, Aliti shpreson ta bartë nga Zuerichu te Kosova

Prishtinë, 5 mars – Qendërmbrojtësi Fidan Aliti beson se formën e mirë që po e tregon te skuadra e Zuerichut në Zvicër do ta shfaqë edhe në ndeshjet e këtij muaji te Përfaqësuesja e Kosovës. Aliti është njëri prej lojtarëve të paktë të Kosovës që vazhdimisht luan në nivel klubesh. Ai është shtyllë e mbrojtjes tek ekipi elitar i Zvicrës. Aliti, në fakt, është futbollisti me minutazhën më të madhe prej lojtarëve të Kosovës.

Këtë edicion, Aliti ka shënuar një gol në 20 ndeshje kampionale, kurse pritet të përfshihet në listën e përzgjedhësit të Kosovës, Bernard Challandes, të cilën pritet ta publikojë deri në fund të javës së ardhshme. Aliti në 19 ndeshje të Zuerichut ka qenë i padiskutueshëm, duke luajtur për 90 minuta. Vetëm në një duel nuk ka arritur ta kompletojë, duke u aktivizuar për 86 minuta ndaj St. Gallenit më 9 dhjetor.

Kosova do ta nisë grumbullimin më 22 mars, kurse deri në fund të muajit do t’i zhvillojë tri ndeshje. Miqësoren me Lituaninë në Prishtinë, Kosova e ka më 24 mars dhe pastaj e presin dy duelet kualifikuese për Kampionatin Botëror “Katari 2022”, me Suedinë dhe Spanjën. Me Suedinë gjithashtu do të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” më 28 mars, kurse më 31 mars Kosova do të jetë mysafire e Përfaqësueses së Spanjës. Këto dy ndeshje i takojnë Grupit B kualifikues, të cilin e përbëjnë edhe Greqia e Gjeorgjia.

Aliti ka thënë se me padurim e pret grumbullimin me Kosovën dhe ka besim të madh për fillimin e këtij cikli eliminator.

“Normalisht që kur të grumbullohesh me Kosovën është shumë mirë kur luan rregullisht në klub, pasi je në ritëm dhe kjo është me rëndësi për çdo lojtar. Gjithashtu, mund të them se jam në formë shumë të mirë dhe besoj se kjo është e rëndësishme për mua. Është shumë pozitive që do t’i bashkohem Kosovës, pasi kam luajtur rregullisht dhe kjo më bën të ndihem mirë”, është shprehur Aliti për KOHËN.

“Lirisht mund të them se këta muaj që jam te klubi i Zuerichut po ndihem shumë mirë, pasi ndeshjet që i kam luajtur më kanë dhënë vetëbesim edhe më të madh. Dhe këtë besim të madh do ta kem edhe me Kosovën”.

Miqësoren me Lituaninë, Aliti e ka vlerësuar lart. Mirëpo, vlerësim më të madh ka pasur për dy ndeshjet e para të ciklit kualifikues të Botërorit të vitit tjetër. Ai ka pranuar se dy ndeshjet e para të Kosovës janë tejet të vështira, pasi përballet me favoritet e grupit, Suedinë dhe Spanjën. Aliti thotë se jo vetëm ai, por edhe gjithë lojtarët e tjerë që do të jenë pjesë e Kosovës për këto ndeshje nuk do të dorëzohen për asnjë moment dhe do të kërkojnë rezultate të favorshme. Natyrisht, e pranon se nuk do të jetë e lehtë, por insiston se me angazhim mund të arrihet gjithçka. Si Suedia, ashtu edhe Spanja, do të luajnë këtë vit në Kampionatin Evropian.

“Shpresoj të kemi rezultate pozitive dhe me këtë synim do të futemi në të dy ndeshjet. Kuptohet që Suedia dhe Spanja janë favorite të grupit, por besoj se do të jemi të gatshëm të përballemi me to. Janë ekipe të forta dhe për ne do të jetë një përvojë jashtëzakonisht domethënëse”, është shprehur Aliti.

“E dimë që na pret një punë e vështirë. Sa janë ndeshje të forta, do të jenë njëkohësisht edhe të rëndësishme. Është mirë të luajmë si grup dhe ta arrijmë nivelin që kemi pasur në takimet e zhvilluara si ndaj Çekisë dhe përfaqësueseve e tjera, nivelin që kishim në ndeshjet që mbahen mend e që i kishim në stadiumin tonë”.

Aliti beson se Kosova në këto eliminatore do të ketë paraqitje dinjitoze dhe se do t’i dëshmojë vlerat që ka si ekip. Për Kosovën kjo do të jetë hera e dytë që do të luajë në ciklin eliminator për Kampionatin Botëror. Herën e parë luajti në kualifikimet për Botërorin “Rusia 2018”, ku zhgënjeu me vetëm një pikë të fituar në dhjetë ndeshje të zhvilluara.

“E rëndësishme është të jemi të bashkuar dhe vetëm kështu mund të kemi suksese, pasi individualisht është më e vështirë. Suedia e Spanja njihen për lojtarë të fortë, që luajnë në klube të mëdha. Duhet t’i marrim ndeshje pas ndeshjeje dhe në fund të shohim se çfarë kemi arritur”, shtoi Aliti. “Sigurisht që në këto eliminatore synojmë të paraqitemi në mënyrën më të mirë të mundshme, edhe pse të gjithë e dimë se jemi në një grup të vështirë”.