Sport

Fluturimi që mund të kishte fund tragjik

“Urime ditëlindja!”

Kështu iu drejtua në natën e 15 shtatorit piloti Sasha Pejçiq lojtarëve dhe anëtarëve tjerë të klubit të futbollit Ballkani, pas uljes emergjente në Pragë. Delegacioni i klubit suharekas u detyrua të kthehet në Pragë vetëm 30 minuta pasi kishte nisur fluturimin nga kryeqendra e Çekisë për në Aeroportin e Prishtinës. Aeroplani me të cilin udhëtonin suharekasit pati dëmtim të rrallë dhe fluturimi ka mundur të përfundonte në mënyrë tragjike. Gjatë fluturimit xhami i kabinës së pilotit nga Beogradi pësoi krisje.

“U nisëm nga Praga. Koha ishte ideale dhe moti ishte i mirë. Bazuar në atë prisja një fluturim të lehtë, pa turbulenca dhe që të arrijmë pa ndonjë telash në Prishtine. Gjatë ngjitjes deri në lartësinë e caktuar në 10 mijë metra, kam vërejtur disa ndryshime në xhamin përpara vetes”, nis rrëfimin piloti serb, me përvojë 28 vjeçare.

“Ai xham është i dyfishtë. Pjesa e jashtme është më e trashë, kurse e brendshmja e hollë dhe në mes gjenden nxehjet për ta bërë më elastik për shkak të goditjeve nga zogjtë apo gjërat e tjera. E kam vërejtur ndryshimin në xham, ku nisi edhe krisja. Duhej ta përcillja, por ne vazhduam të ngjitemi normalisht mbi 10 mijë metra për të kaluar Alpet. Gjatë ngritjes, plasaritja sa shkonte e rritej, ndërsa nxehjet nisën të shkaktonin elektricitet dhe xhami nisi të shkrihej, që është shumë interesante”.

Kur piloti, që mburret me përvojë prej mbi 1000 orësh fluturim, kishte vërejtur se situata nuk është normale, ai u detyrua të merrte një vendim.

Vendimi ishte ta ndalte ngjitjen dhe të zvogëlonte shpejtësinë, në mënyrë që xhami të ketë më pak presion.

“Duke parë te xhami shkrirjen e pazakontë, për të mos ardhur deri te krisja totale e xhamit, që do të sillte një katastrofë të vërtetë, e ku fillimisht do të më vriste mua dhe pastaj pjesën tjetër, do të ndodhte një katastrofë, u detyrova të veproja. E lajmërova kontrollin e fluturimeve se duhet të bëja një kthim urgjent për në Pragë. Kur ndodhin gjëra të tilla përgatitemi për më të keqen, por e lusim Zotin që të shkojë gjithçka mirë”, tregon Pejçiq për vendimin që mori shpejt.

Image

Frika për një tragjedi të madhe

Pasi vendosi të kthehej në Pragë, piloti njoftoi udhëtarët që për shkak të një problemi teknik duhej të ktheheshin në vendin prej nga ishin nisur. Kujton se u kishte thënë se problemi është i vogël. Por, situata ishte ndryshe. Frika e tij ishte se Ballkanit mund t’i ngjante fatkeqësia që i kishte ndodhur Manchester Unitedit në vitin 1958, kur vdiqën 23 persona dhe 21 të tjerë mbijetuan.

“Në rastin e Ballkanit për një moment më ka shkuar në mendje fatkeqësia e Unitedit. I thashë vetes se kjo nuk guxon të më ndodhë mua dhe me ndihmën e Zotit shkoi gjithçka mirë. Minutat ishin në pyetje që xhami të kriste dhe të vinte deri te katastrofa. Kontrolli na e dha rrugën më të shkurtër për t’u kthyer. Falë Zotit u kthyem pa pasoja. Parkova aeroplanin dhe mendoja se çka mund të kishte ndodhur”.

Image

Piloti serb tregon se ka pasur edhe raste tjera, mbase edhe më të rënda, gjatë fluturimeve të shpeshta. Ballkani huazoi aeroplanin nga kompania ku punon ai, për udhëtim në Pragë.

Pejçiqi tregon se vetëm pasi përfunduan hetimet zbuloi para lojtarëve dhe të tjerëve të vërtetën e udhëtimit të pazakontë.

“E kontaktova kompaninë dhe i njoftova se aeroplani nuk ishte në gjendje të fluturonte dhe ata dërguan aeroplanin tjetër që erdhi me vonesë. Unë shkova në ndërtesën e aeroportit ku ishin të vendosur të gjithë të Ballkanit. Bisedova me ata dhe disa prej tyre kishin kuptuar se diçka nuk ishte në rregull. Por, puna e pilotit është që derisa të përfundojë hetimi nuk mund të zbulosh se çka ka ndodhur”.

Momentet e frikës që i ka përjetuar bashkë me ekspeditën e Ballkanit thotë se e kanë lidhur me klubin nga Suhareka. Ka premtuar se do ta vizitojë në të ardhmen. Pas përshëndetjes me lojtarët dhe drejtuesit e Ballkanit, piloti nga Beogradi u ka uruar suksese.

Ballkani e pati humbur ndeshjen nga Slavia e Pragës me rezultatin 3:2, në kuadër të grupit G të Ligës së Konferencës. Ballkani zhvilloi ndeshje të mirë, ku në dy raste ishte edhe në avantazh.

Image

Frika e lojtarëve

Për udhëtimin që ka mundur të ketë fund tragjik tregon edhe drejtori sportiv i Ballkanit, Nderim Nexhipi.

“Unë dhe trajneri ishim në ulëset e para, sepse presidenti nuk ishte me ne. Dhe kur doli piloti tha se u lindëm për së dyti. Aty e kuptuam se sa serioze ishte puna. Kishte pasur plasaritje të vogël të xhamit dhe në video e pamë se si hapej e hapej. Dhe në momente e shihnim se si piloti, në videon që e kishte bërë, lutej, o Zot na ndihmo! Me të vërtetë ka qenë situatë serioze. Por, ja që falë Zotit shpëtuam dhe çdo gjë shkoi në rregull. Pas asaj kemi pasur përsëri udhëtim, kështu që nuk ishte problem”, ka thënë Nexhipi.

Ai vlerëson lart pilotin.

“Ishte një pilot shumë korrekt, një njeri shumë i mirë. Sapo u futëm në aeroplan, na përgëzoi për ndeshjen, na tregoi se ka qenë në stadium dhe tha përgëzime për lojën dhe tha se me pak fat do të mund të dilnim me pikë nga Praga. Kështu që ishte një njeri me të vërtetë korrekt dhe bëri punën besoj, shumë mirë”, ka theksuar Nexhpi.

Nexhipi zbulon se në mesin e lojtarëve të Ballkanit ka lojtarë që kanë frikë nga fluturimet me aeroplan. Frikë më të madhe thotë se ka mbrojtësi Lumbardh Dellova.

“Kur zbritëm në Pragë ne nuk ishim të vetëdijshëm që ishte situata deri aty. Gjëja më e mirë ishte që Dellova erdhi tek unë dhe më tha ‘të lutem pyete presidentin a është nisur se po nisem edhe unë me të. Ai donte të kthehej me veturë me presidentin”, ka treguar Nexhipi.

Image

Dellova nuk kishte disponim të fliste për udhëtimin e pazakontë.

Pas kthimit nga Praga, Ballkani pati fluturim për në Turqi, ku u përball me Sivassporin dhe për në Rumani, ku luajti me Clujin.

Paraqitja e Ballkanit në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës ishte historike. Asnjë klub i Kosovës më herët nuk ka arritur në grupet e kupave evropiane.