Flamurtari nuk ka tjetër opsion veç fitores ndaj Ulpianës në derbin e xhiros së 21-të të Ligës së Parë të Kosovës në futboll – Grupi B. Kjo ndeshje zhvillohet të shtunën prej orës 15:00 në stadiumin e Flamurtarit në Prishtinë dhe do të transmetohet direkt në KTV.
Kohavisioni kështu nis transmetimet direkte të ndeshjeve kryesore të Ligës së Parë të Kosovës në futboll. Flamurtari dhe Ulpiana janë skuadra që po e kërkojnë inkuadrimin në Superligë. Flamurtari edicionin e fundit ra nga Superliga, derisa Ulpiana nuk është pjesë e elitës së futbollit kosovar që nga viti 2008. “Kuqezinjtë” nga kryeqyteti, që janë në vendin e dytë, do të kërkojnë ta zvogëlojnë epërsinë e lideres nga Lipjani, e cila aktualisht është gjashtë pikë larg. Pra, tabelës i prin Ulpiana me 37 pikë derisa Flamurtari është në pozitën e dytë me 31, sa i ka edhe skuadra e Vitisë që zë vendin e tretë.
Ky do të jetë dueli i tretë mes Flamurtarit dhe Ulpianës këtë edicion, kurse ekipi nga Lipjani ka bilanc pozitiv ndaj skuadrës prishtinase pasi ka një fitore dhe një barazim deri më tani.
Ekipi që e mbyll edicionin në pozitën e parë do të inkuadrohet direkt në Superligë, derisa skuadra që mbetet e dyta do të luajë ndeshjen e barazhit me të dytin e Grupit A, përpara se të përballet në plejaut me vendin e tetë të Superligës.
Mbrojtësi i krahu të djathtë, Përparim Osmani, thotë se Flamurtari do të dalë në fushë me objektivin e qartë, për të rrëmbyer pikët e plota në këtë derbi. Madje ai thotë se çdo rezultat tjetër veç fitores nuk do të jetë i favorshëm. Osmani gjithashtu ka përshëndetur nismën e KTV-së për transmetimin e ndeshjeve të Ligës së Parë duke shtuar se edhe në këtë kategori luhet futboll cilësor.
“Me vjen mirë dhe është për t’u përshëndetur iniciativa e KTV-së, sepse edhe në Ligën e Parë ka futboll shumë cilësor dhe lojtarë të rinj që meritojnë vëmendjen dhe përkrahjen e mediave. Transmetimi i ndeshjes është dëshmi se futbolli në Ligën e Parë e ka ngritur nivelin”, ka thënë Osmani për KOHËN. “Sa i përket ndeshjes me Ulpianën, mund të them se është shumë vendimtare për ne. Përballë e kemi liderin që këtë edicion ka treguar një formë të mirë. Mirëpo për ne vetëm fitorja është objektiv në këtë takim. Çdo rezultat tjetër është i papranueshëm pasi synimi ynë është inkuadrimi direkt në Superligë”.
Flamurtari në pesë ndeshjet e fundit ka dy fitore, dy barazime dhe një humbje, derisa Ulpiana ka regjistruar tri fitore karshi dy barazimeve.
Edhe te Ulpiana kanë paralajmëruar se në Prishtinë do të udhëtojnë për fitore. Triumfi eventual i Ulpianës ndaj Flamurtarit do të thellonte diferencën në nëntë pikë në tabelë.
“Na pret një derbi i vërtetë dhe ndeshje shumë e vështirë ndaj Flamurtarit, ekip që prej fillimit të edicionit ka qenë konkurrent për pozitën e parë. Ne do të shkojmë për të marrë pikët e plota dhe për këtë do të japim gjithçka nga vetja. Shpresoj që t’i gëzohemi fitores edhe pse nuk do të jetë aspak lehtë. Me fitore eventuale do të bëjmë një hap para drejt inkuadrimit direkt në Superligë që e kemi edhe synim”, ka thënë sulmuesi i Ulpianës, Shqiprim Kelmendi. “Po ashtu, mendoj se KTV-ja ka bërë një punë të mrekullueshme me transmetimin e ndeshjes duke pasur parasysh se edhe në Ligën e Parë ka futboll cilësor”.
Grupi A – 21
E premte
Dukagjini – Liria 3:1
E shtunë (15:00)
Istogu – Malisheva
A&N – Vëllaznimi
E diel (15:00)
Onix – Trepça
Vushtrria – Drenasi
1. Dukagjini 21 43
2. Malisheva 20 42
3. Istogu 20 36
4. A&N 20 29
5. Onix 20 27
6. Liria 21 25
7. Drenasi 20 20
8. Trepça 20 20
9. Vëllaznimi 20 17
10. Vushtrria 20 16
Grupi B - 21
E shtunë (15:00)
Flamurtari – Ulpiana
KEK-u – Vllaznia P.
2 Korriku – R. Sadiku
E diel (15:00)
Ferizaj – Kika
E hënë (15:00)
Vitia - Dardana
1. Ulpiana 20 37
2. Flamurtari 20 31
3. Vitia 20 31
4. 2 Korriku 20 30
5. R. Sadiku 20 26
6. Dardana 20 26
7. Ferizaj 20 23
Vllaznia P. 20 23
9. Kika 20 11
10. KEK-u 20 18