Sport

Flamurtari mposht Dardanën dhe rrëmben kreun e tabelës përkohësisht

Skuadra e Flamurtarit ka vazhduar serinë e rezultateve pozitive për të mbajtur hapin për pozitën e parë në tabelë, që do t’i mundësojë kthimin e menjëhershëm në Superligën e Kosovës në futboll sezonin tjetër. Flamurtari, të shtunën e mposhti skuadrën e Dardanës me rezultatin e ngushtë 2:1. Arbnor Zeqiri (5’) e Mërgim Boshnjaku (56’) shënuan për Flamurtarin derisa golin e vetëm për skuadrën mysafire, e realizoi Almedin Murati (33’). Kjo ndeshje i takoi xhiros së 23-të në Ligën e Parë të Kosovës – Grupi B dhe u transmetua ekskluzivisht në KTV. Për Flamurtarin, kjo është fitorja e tretë rresht derisa ndeshja e pestë pa humbje. Aktualisht, Flamurtari është lider në tabelë me 40 pikë, sa i ka edhe Ulpiana në pozitën e dytë, por që ka një ndeshje më pak të zhvilluar. Ulpiana, të dielën do të jetë mysafire e skuadrës së Ferizajt. Trajneri i Flamurtarit, Jeton Mehmeti ka thënë pas ndeshjes së ekipit të tij i mbeten edhe katër ndeshje për të synuar kthimin në elitën e futbollit kosovar.

“Ishte ndeshje e vështirë pavarësisht që kundërshtari nuk ishte në objektiva por që luajti pa presion në fushë. Neve na është rritur presioni dhe na është rritur ngarkesa për inkuadrim në Superligë. Por, lojtarët iu përgjigjën pozitivisht detyrave dhe e fituan ndeshjen, pavarësisht që ishte shumë e vështirë. Tash nuk ka kundërshtarë të lehtë dhe na mbeten katër ndeshje, katër beteja për inkuadrim në Superligë ku lufta është shumë e ashpër”, është shprehur Mehmeti.

Flamurtari e nisi furishëm takimin dhe pas vetëm pesë minutave lojë, kaloi në epërsi. Ishte Arbnor Zeqiri, ai që zhbllokoi rezultatin me një gjuajtje të fortë prej rreth 17 metrave (1:0). Pas golit të Flamurtarit, skuadra e Dardanës rrezikoi dy herë nëpërmjet afrikanit Diarra (12’, 21’) por që gjuajtje e tij përfundoi në duart e portierit vendas Afrim Ademi. Megjithatë, në minutën e 33-të, Ademi nuk arriti të ndalë gjuajtjen e sulmuesit Almedin Murati, i cili barazoi rezultatin. Ai mori një top nga Gëzim Rusi në zonë dhe përtoke mposhti portierin e Flamurtarit (1:1).

“Loja jonë, sidomos pjesa e parë ka qenë shumë e bukur. Kemi hyrë në këtë ndeshje pa kalkulime, kemi ardhur për të luajtur hapur, por si në ndeshjet e kaluara po na ndodh të pranojmë gola në momentet tona më të mira. U vërejt një knaqësi te ne, sepse faktikisht ne kemi siguruar mbijetesën kur pamë një flamurtar më kërkues për shkak se i duhej fitorja për kreun e tabelë dhe ajo bëri edhe diferencën. Kemi një skuadër kompakte me lojë të bukur dhe është fatkeqësi që Dardana nuk ndodhet në vend të parë”, ka thënë trajneri i Dardanës, Fidaim Haxhiu.

Golin e fitores, Flamurtarit ia siguroi Boshnjaku pak minuta pas fillimit të pjesëlojës së dytë. Boshnjaku realizoi në minutën e 56-të për rezultatin përfundimtar të ndeshjes. Të shtunën, janë zhvilluar edhe dy duele të tjera të Grupit B, dhe të dyjat kanë përfunduar me rezultatin identik për ekipin vendas. Skuadra e 2 Korrikut e ka mposhtur Vitinë me rezultatin 2:1, sikurse edhe KEK-u që ka triumfuar ndaj Ramiz Sadikut. Edhe në Grupin A, të Ligës së Parë të shtunën janë zhvilluar dy ndeshje të xhiros së 23-të. Skuadra e Istogut ka barazuar pa gola në shtëpi me Lirinë derisa Trepça ka triumfuar 1:0 në udhëtim ndaj Drenasit.

Grupi A – 23

E shtunë

Istogu – Liria 0:0

Drenasi – Trepça 0:1

E diel

Onix – Malisheva

Vushtrria – Vëllaznimi

A&N – Dukagjini

1. Dukagjini 22   46

2. Malisheva 22  45

3. Istogu 23        40

4. A&N 22          29

5. Trepça 23      29

6. Liria 23           27

7. Onix 22          27

8. Vëllaznimi 22 23

9. Drenasi 23     22

10. Vushtrria 22 17

Grupi B – 23

E shtunë

Flamurtari – Dardana 2:1

2 Korriku – Vitia 2:1

KEK-u – R. Sadiku 2:1

E diel

Ferizaj – Ulpiana

Vllaznia P. – Kika

1. Flamurtari 23 40

2. Ulpiana 22 40

3. 2 Korriku 23 36

4. Vitia 23 34

5. R. Sadiku 23 29

6. Dardana 23 29

7. Ferizaj 22 26

8. Kika 22 25

Vllaznia P. 22 24

10. KEK-u 23 22