Për Flamurtarin paraqitja në ndeshje barazhi nuk është diçka e re. Në situatë të tillë skuadra prishtinase ishte edhe tri herë të tjera.
Të premten Flamurtari do të përballet në barazh të Ligës së Parë me Dukagjinin dhe kërkon të shfrytëzojë përvojën që ka në këto ndeshje përcaktuese.
Dy herë Flamurtari ka dështuar në barazh dhe në të dyja rastet me penallti. Flamurtari i ka përgatitur penalltitë për ndeshjen ndaj Dukagjinit, por shpreson që punën ta kryejë gjatë 90 minutave lojë.
Në fitore gjatë kohës së rregullt shpresojnë edhe te Dukagjini i Klinës.
Flamurtari e Dukagjini luajnë prej orës 15:00 në stadiumin “Rexhep Rexhepi”, në Drenas. Ndeshja do të transmetohet në KTV.
Te Flamurtari vlerësojnë se janë gati. Presin të jenë ata që do ta kalojnë këtë fazë për ta siguruar ndeshjen tjetër të barazhit kundër ekipit të vendit të tetë në Superligë. Fituesi i ndeshjes së dytë të barazhit luan në Superligë edicionin e ardhshëm.
Trajneri i Flamurtarit, Jeton Mehmeti, ka thënë se skuadra është gati për t’i bërë ballë Dukagjinit.
“Historia ndoshta nuk është në anën tonë, mirëpo kualiteti do të jetë në anën tonë. Dukagjini është skuadër për t’u respektuar, por në këtë ndeshje nuk ka favorit. Të dyja i kemi mundësitë tona dhe janë detajet që do ta vendosin ndeshjen. Shpresoj që ne do të jemi ata që do të festojmë në fund dhe pastaj të përgatitemi për ndeshjen e radhës, por duhet fillimisht ta kalojmë këtë”, ka thënë Mehmeti.
Trajneri Mehmeti ka theksuar se forma dhe atmosfera në skuadër janë goxha të mira para ndeshjes kundër Dukagjinit.
“Nuk jemi të ngarkuar dhe jemi duke u përgatitur mirë. Edhe ne, edhe Dukagjini kemi skuadra me lojtarë të një niveli, por ekipi që do të jetë më i qetë do ta fitojë ndeshjen dhe do të kalojë tutje”, është shprehur Mehmeti.
Edhe futbollisti Bashkim Shala insiston se Flamurtari ka forcë për ta mposhtur Dukagjinin e Klinës.
“Jemi përgatitur maksimalisht me mundësitë tona. Është ndeshje e radhës dhe nëse vjen puna deri te ndeshja e dytë e barazhit mund t'ia dalim të kthehemi në Superligë. E kemi merituar të hyjmë direkt, por edhe përmes barazhit nuk do të ishte keq”, ka thënë Shala, që me gjashtë gola është realizatori më i mirë në klubin kuqezi.
I bindur në fitore është edhe Përparim Osmani.
“Kemi një zhgënjim pasi nuk arritëm të hyjmë si të parët, por tani duhet të fokusohemi dhe t'u tregojmë të gjithëve se kemi skuadër që kemi merituar të futemi edhe direkt në Superligë. Mundësitë i kemi të barabarta dhe cila skuadër është më e qetë psiqikisht dhe e ka përgatitur ndeshjen më mirë, do të dalë fituese”, ka thënë Osmani
Flamurtari garoi në Grupin B të Ligës së Parë, ndërsa sezonin e rregullt e mbylli në vendin e dytë me 52 pikë, një më pak se Ulpiana që siguroi direkt kthimin në Superligë. Flamurtari edicionin e kaluar ishte në Superligë. Në elitë ishte edhe Dukagjini.
Dukagjini përfundoi i dyti në Grupin A të Ligës së Parë, ndonëse për kohë të gjatë ishte lider. Në fund u kalua nga Malisheva
Lojtarët dhe stafi i Dukagjinit e kanë lënë prapa humbjen në finalen e Kupës ndaj Llapit dhe janë fokusuar te ndeshja e barazhit.
Atmosfera tek ekipi nga Klina është vlerësuar shumë e mirë. Për ta mbajtur skuadrën në nivel të lartë të disponimit, po përkujdeset trajneri Armend Dallku.
“Po përgatitemi maksimalisht dhe jam i gëzuar që djemtë kanë një motiv të lartë edhe sa u përket stërvitjeve dhe përgatitjes për ndeshjen kundër Falmurtarit. Është ndeshje shumë e vështirë, duke pasur parasysh edhe ecurinë e mirë që ka pasur Flamurtari në grupin e vet. Është një ekip me traditë, një ekip që e njoh shumë mirë, ekip që ka ditur të shkaktojë probleme jo vetëm në Ligën e Parë, por edhe në Superligë. Kam luajtur si lojtar ndaj këtij ekipi e po ashtu edhe si trajner”, ka thënë Dallku.
Ai konfirmon mungesën e Mark Milicajt dhe beson se kjo do të jetë e treta e vërteta për skuadrën që drejton.
“Ne do të japim maksimumin. I kemi marrë të gjitha masat sa i përket ndeshjes. I dimë ku janë pikat e forta të kundërshtarit, po ashtu e dimë edhe ku mund të godasim kundërshtarin, pasi çdo kundërshtar i ka pikat e forta dhe të dobëta. Kjo do të jetë e treta e vërteta për këtë sezon. Shpresoj që të jetë edhe fati me ne, sepse fati sportiv shumë herë duhet të jetë me ekipin më të fortë. Po shpresojmë që ta kemi edhe fatin me vete dhe ta kalojmë Flamurtarin e më pas ta presim edhe kundërshtarin e radhës”, është shprehur Dallku.
Optimizmi është i madh edhe te kapiteni Altin Merlaku.
“Atmosfera është shumë e mirë. Besoj që të do të dalim me rezultat pozitiv dhe ta kemi një mundësi që të vazhdojmë tutje në barazhin tjetër për të kërkuar hyrjen në Superligë. Flamurtari është një ekip që duhet respektuar, ekip me traditë, por unë besoj që do të fitojmë ne”, ka thënë Merlaku.
Sulmuesi Labinot Osmani tha se do ta japin maksimumin për ta realizuar synimin.
“Jemi përgatitur gjatë javës për ndeshjen me Flamurtarin. Barazhi është vetëm një ndeshje dhe gjasat janë 50-50. Por besoj që do të dalim nga kjo ndeshje me rezultat pozitiv dhe të kalojmë tutje. Atmosfera është shumë e mirë dhe besoj qo do t’ia dalim”, është shprehur Osmani.