Sport

FKK-ja akuzohet se la pa të drejtë garuesin jashtë Evropianit

Përfaqësuesja e Kosovës në karate do të paraqitet me 21 garues në Kampionatin Evropian për kadetë, juniorë dhe U21, që nis të premten dhe përfundon të dielën. Por, sipas trajnerit të klubit të karatesë “Ardhmëria” nga Prishtina, Fatmir Sopi, paraqitja në Evropianin për të Rinj iu mohua Ensar Zejnullahut.

Sopi në një shkrim të gjatë të publikuar në faqen e tij në Facebook ka shkruar se karateisti i tij është lënë jashtë Evropianit për shkak të ndasive në Federatën e Karatesë të Kosovës (FKK). Version tjetër kanë dhënë nga FKK-ja.

Megjithatë, Sopi ka insistuar se nxënësi i tij ka merituar të jetë pjesë e ekipit të Kosovës.

Karateisti Zejnullahu, sipas Sopit, gjatë vitit 2023 ka marrë pjesë si kadet në kategorinë deri 70 kilogramë dhe në kategorinë e juniorëve deri 68 kilogramë. Ai ka rreshtuar edhe sukseset e karateistit të ri.

16-vjeçari suksesin më të madh e ka si kadet në Botërorin e vitit 2022 për kadetë, juniorë dhe U21. Ai përfundoi në vendin e shtatë.

“Nuk është përzgjedhur nga i ashtuquajturi selektor i Kombëtares së karatesë së Kosovës për kadetë dhe juniorë Leutrim Pepaj, por në vend të Ensar Zejnullahut ka përzgjedhur një garues anonim që rezultatet e tij nuk kalojnë më shumë se vendi i dytë në Kosovë në kategorinë e kadetëve deri 57 kilogramë, i cili garues gëzon respektin më të lartë si sportist dhe si garues perspektiv tek ne, por në karatenë kosovare Amar Arifi, i cili është anëtar i klubit të karatesë ‘Prishtina’, trajner i të cilit është Ismail Fazliu, i cili gjendet në grupin e përbashkët me Pepajn, ku Fazliu mban pozitën e nënkryetarit të këtij grupi. Garuesi i përzgjedhur nuk dallohet për suksese të arritura në raport me Ensar Zejnullahun”, shkruan në letër.

Në fakt, edhe më herët ka pasur akuza se për inate sportistët janë lënë jashtë garave. Së fundi, nga njëri grup pati akuza se disa karateistë për shkak të rreshtimit u lanë jashtë Botërorit që vitin e kaluar u mbajt në Budapest të Hungarisë gjatë muajit tetor.

FKK-ja është ndarë në dy grupe. Ende nuk ka një kryetar legjitim prej korrikut të vitit të kaluar. Para pak ditësh Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e shpalli të paligjshëm Kuvendin e 27 janarit. Licenca e FKK-së do të vazhdojë të mbetet e pezulluar deri në mbajtjen e një kuvendi të ri zgjedhor.

Sopi ngul këmbë se Zejnullahu u la jashtë Evropianit vetëm pse ishte zgjedhur si selektor për grupmoshën kadet dhe junior gjatë kohës sa FKK-ja udhëhiqej nga Avni Gashi.

“Botërisht dihet që FKK është e ndarë në dysh dhe se pasojat po i bartin sportistët, trajnerët dhe klubet e Kosovës, ku për herën e tretë me radhë kuvendet e mbajtura të FKK-së, MKRS-ja e shpalli jolegjitim kuvendin. Krejt në fund mund të themi se humbësi më i madh në gjithë këtë katrahurë sportive është sporti i karatesë, armatë e tërë të rinjve që merren çdo ditë me ushtrime dhe japin kontribut me dekada”, thuhet në letër.

Letrën të cilën e ka publikuar trajneri Sopi thotë se e ka parë edhe selektori për kadetë dhe juniorë, Leutrim Pepaj.

“Garuesi në fjalë nga unë si selektor është përzgjedhur për Kampionatin Evropian në kategorinë në të cilën ka qenë – kadet. Nga Administrata e Federatës na është kërkuar që ta dërgojmë urgjent listën për shkak të kërkesës bërë Qeverisë së Gjeorgjisë që të na lejojë hyrjen dhe pjesëmarrjen në Gjeorgji, sepse nuk e njeh Kosovën si shtet. Unë e kam dërguar listën ku është i përfshirë edhe garuesi në fjalë në kategorinë e kadetit, aty ku ka garuar në vitin 2023, kurse në kategorinë junior është përzgjedhur garuesi që ka marrë pjesë vitin e kaluar në kategorinë e juniorit. Ensar Zejnullahu në vitin 2023 nuk ka marrë pjesë në asnjë garë zyrtare si junior”, ka thënë Pepaj.

Ai ka treguar se klubi i karateistit Zejnullahu ka marrë edhe përgjigje zyrtare nga sekretari i FKK-së. Pepaj insiston se për të nuk ka ndarje të grupeve, pasi, sipas tij, dhjetë apo njëmbëdhjetë garues janë të grupin tjetër.

“Garuesi në fjalë nga unë si selektor është përzgjedhur edhe në Kampionatin Ballkanik dhe atë edhe për individual e po ashtu edhe ekipor në kategorinë e kadetëve. Pas dërgimit të listës, garuesi në fjalë ka ndërruar kategorinë për shkak të moshës dhe nuk ka pasur mundësi ndryshimi edhe po të donim, sepse nuk është lejuar nga Qeveria e Gjeorgjisë, e cila nuk ka pranuar ndryshime”, është shprehur Pepaj.