Fituesi i Kupës së Kosovës në futboll, Llapi, dhe finalisti i Kupës, Dukagjini, janë ekipet e vetme pa fitore në pjesën e deritashme të edicionit 2021/2022 të Superligës.
Tashmë janë luajtur pesë xhiro të kampionatit të Kosovës në futboll, ndërsa Dukagjini e Llapi i kanë vetëm nga dy pikë. I mbajnë dy pozitat e fundit.
Por, te Llapi e te Dukagjini nuk janë të shqetësuar për rezultatet e fillimit të kampionatit. Në të dy skuadrat thonë se vetëm rezultati u mungon, ndërsa lojën vlerësojnë se e kanë të mirë.
Trajneri i Dukagjinit, Armend Dallku, dhe sulmuesi i Llapit, Kastriot Selmani, pranojnë se rezultatet e deritashme janë negative.
“Mendoj se pak ka ndikuar fusha në Merdar, por edhe fati sepse nuk është se kemi bërë ndeshje të dobëta. Është e vërtetë që e kemi nisur keq sezonin, mirëpo besoj që me këtë cilësi që e kemi në skuadër do të këndellemi që nga ndeshja ndaj Drenicës dhe do të ngjitemi sa më lart në tabelë”, ka thënë Selmani të martën për KOHËN.
Llapi e nisi kampionatin me barazimin 1:1 në shtëpi ndaj Ulpianës së rikthyer pas një kohe të gjatë në elitë. Baras luajti edhe Dukagjini në xhiron e parë kundër Ballkanit në Suharekë me rezultatin 2:2.
Llapjanët luajtën baras edhe në xhiron e dytë, pa gola në Gjilan ndaj Dritës, ndërsa Dukagjini pësoi disfatë në Klinë nga Drenica me shifrat 2:1.
Në xhiron e tretë Llapi pësoi në shtëpi nga Feronikeli (2:0), kurse klinasit luajtën pa gola kundër Gjilanit në udhëtim.
Në xhiron e katërt dhe të pestë dy finalistët e Kupës pësuan disfata. Dukagjini humbi 1:0 nga Feronikeli dhe në fundjavë nga Prishtina (2:1). Llapi humbi 3:0 nga Malisheva, e së fundi pësoi disfatë nga Ballkani (2:0).
“Përveç rezultateve, gjithçka është duke shkuar mirë. Në të gjitha ndeshjet kemi krijuar lojë të mirë, mirëpo kemi pësuar nga disa gabime individuale, diku na mungoi fati. Ndaj Ballkanit kemi bërë një futboll të mirë, pastaj me Drenicën jo atë që kemi pritur, por nga një rivënie e këndit dhe një anësore jemi ndëshkuar. Kemi pasur ndeshje të mirë me Gjilanin, mesatare me Feronikelin, skuadër që prej një gjysmë rasti na ndëshkoi, pasi e kemi mbajtur 85 minuta në portë. Por, na mungoi vetëm fati i finalizimit. Në ndeshjen e dytë prej një rivënie anësore jo premtues jemi ndëshkuar, pastaj edhe penalltia dhe kartoni kuq. Janë ditë jo të mira për ekipin dhe jo me fat”, ka thënë trajneri i Dukagjinit, Armend Dallku për KOHËN.
“Ne gjithë kohën kemi punuar me futbollistët në anën psikologjike dhe i besojmë punës së tyre. Ne besojmë se shumë shpejt do të dalim nga kjo krizë e rezultateve, pasi ajo që na bën të besojmë është puna dhe krijimtaria e ekipit. Fati na ka kthyer shpinën në këtë periudhë. Klubet kundërshtare po na shënojnë nga gjysmë rasti, ndërsa ne po humbim 4-5 raste për ndeshje”.
Në fundjavë, Dukagjini luan në udhëtim ndaj Ulpianës, kurse Llapi e pret Drenicën.
“Secili lojtar që ka luajtur ka dhënë maksimumin, jemi të kënaqur me paraqitjen e tyre, por jo edhe me rezultatet. Megjithatë, ne jemi shumë të qetë, kemi biseduar edhe me kryesinë dhe jemi në rregull në këtë drejtim. Unë besoj se me një fitore të shpejtë do të stabilizohet gjendja, ka edhe shumë ndeshje për t’u zhvilluar. Janë edhe 31 ndeshje në kampionat”, është shprehur Dallku.