Sport

Fitorja e kampiones i lë vend derbit tjetër në Superligë

Kampionia në fuqi, Drita, e ka fituar ndeshjen e mbetur të Superligës së Kosovës në futboll kundër Llapit. Dueli i xhiros së parë, që u shty për shkak të angazhimeve të Dritës në kualifikimet e Ligës së Evropës, u zhvillua të enjten në Gjilan dhe përfundoi me fitoren 1:0 të ekipit vendës.

Golin e fitores për Dritën e shënoi kapiteni Ard Limani në minutën e 17-të. Kjo ndeshje u lë vend takimeve të xhiros së 16-të të kampionatit të Kosovës.

Xhiroja e 16-të e Superligës në futboll do të nisë të premten, dhe atë me derbi që do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” ndërmjet Prishtinës dhe Feronikelit prej orës 13:00.

Prishtina është e treta në tabelë me 24 pikë të mbledhura dhe ndaj Niklit do të futet pas një serie pozitive. Skuadra prishtinase nuk di për humbje në pesë ndeshjet e fundit. Ka regjistruar katër fitore dhe një barazim, kurse edhe me Feronikelin synon vazhdimin e kësaj serie.

Mesfushori i Prishtinës, Endrit Krasniqi, beson në fitoren e ekipit të tij, që në tri ndeshjet e fundit ka marrë pikët maksimale.

“Mendoj se të gjitha ndeshjet e mbetura të stinorit vjeshtor janë të rëndësishme dhe gjithsecila është më e vështirë se tjetra, pasi që të gjitha janë kundër pretendentëve për kreun e tabelës. Shpresoj që me lojë të mirë të korrim fitore në përballjen me Feronikelin, që ka ekip të mirë edhe pse nuk e ka pasur formën optimale nga fillimi i kampionatit. Është ekip i rrezikshëm, por ne do të mundohemi të kryejmë detyrat tona të cilat i kemi për të arritur objektivin që kemi”, ka thënë Krasniqi, që në tri ndeshjet e fundit ka shënuar dy gola dhe ka bërë një asistim.

Prishtina në këtë ndeshje do të jetë pa Enis Gavazajn e Alban Shillovën, që të dy të lënduar, derisa Feronikeli pritet të mos ketë mungesa.

Njëjtë si Prishtina, Feronikeli nuk ka pasur start të mirë këtë edicion. Është i pesti në tabelë me 19 pikë të mbledhura dhe në tri ndeshjet e fundit ka dy fitore e një barazim.

Dueli mes Prishtinës dhe Feronikelit do të jetë i vetëm i xhiros së 16-të që do të zhvillohet të premten. Ndeshjet e tjera do të luhen gjatë vikendit. Xhiroja do të mbyllet të dielën me derbin tjetër, atë për kreun e tabelës ndërmjet Dritës dhe Ballkanit (13:30). Drita me fitoren ndaj Llapit është forcuar në pozitën e dytë në tabelë me 33 pikë, dy më pak se Ballkani që është lider.

Image