Roma i është kthyer fitores në Serie A, pas humbjes që e pësoi në derbi kundër Napolit. Të hënën mbrëma, Roma e ka mposhtur Veronën si mysafire me rezultatin 3:1, në kuadër të javës së 12-të të Series A.
Ishin vendasit që kaluan të parët në epërsi në minutën e 27-të. Polaku Pawel Dawidowicz shënoi për Veronën. Pikërisht golashënuesi i Veronës Dawidowicz, u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 36-të. Numrin e një lojtari në fushë e shfrytëzoi ekipi romak.
Rezultatin në 1:1 e barazoi Nico Zaniolo në fund të pjesës së parë. Pavarësisht numrit të një lojtari më shumë në fushë që nga pjesa e parë, Roma fitoren e siguroi vetëm në minutat e fundit, duke realizuar dy gola. Zëvendësuesi Cristian Volpato shënoi për 2:1 në minutën e 88-të. Kurse në kohën shtesë, Stephan El Shaarawy realizoi golin e fundit. Romakët kalojnë në pozitën e katërt me 25 pikë. Verona është e parafundit (19) me vetëm pesë pikë.