Sport

Fitore e pritur e Drenicës

Drenica ka arritur që të realizojë fitore në udhëtim te Feronikeli në ndeshjen e fundit të kampionatit.

“Kuqezinjtë” në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, e fituan derbin rajonal me rezultatin 3:2.

Osman Mëziu në minutën e dytë të shtesës në pjesën e parë, Kreshnik Uka në minutën e 55-të dhe Armend Abazi në minutën e 62-të shënuan për skuadrën e Drenicës, ndërsa Sokol Kiqina në minutën e 64-rt dhe Ardi Qorri në minutën e 74-rt, realizuan për vendësit.

Drenica e përfundon kampionatin në vendin e gjashtë me 50 pikë, aq sa ka edhe Dukagjini një pozitë më poshtë.

Në barazh luan Malisheva me skuadrën e Vushtrrisë, të shtunën në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë. Vushtrria në barazhin e Ligës së Parë mposhti Lirinë në penallti, 5:3, pasi koha e rregullt përfundoi 1:1.

Feronikeli me shumë probleme sivjet, e përfundoi kampionatin me 12 pikë në 36 ndeshje. Bashkë me Ulpianën do të luajnë në Ligën e Parë në edicionin tjetër.

Nga Liga e Parë, direkt janë inkuadruar Trepça ’89 dhe Ferizaj.