Sport

Fillim i ngadaltë i skuadrave të kthyera në elitë

Dy skuadrat e kthyera në Superligë, Trepça ’89 dhe Ferizaj, nuk e kanë nisur mbarë edicionin 2022/2023 në elitën e futbollit kosovar. Pas pesë xhirove të luajtura, ende mbeten pa fitore dhe renditen në pjesën e poshtme të tabelës.

Përderisa Ferizaj i ka luajtur pesë duele, Trepça ’89 i ka zhvilluar katër, pasi ndeshja kundër Ballkanit është shtyrë për më vonë.

Ferizaj renditet në pozitën e tetë në tabelë. Ka tri pikë pas pesë ndeshjeve, ku ka arritur tri barazime dhe ka pësuar dy humbje. Ka realizuar katër gola dhe ka pësuar shtatë.

Trajneri i Ferizajt, Arbnor Morina, mendon se nga ajo që ka shfaqur në fushë, skuadra nuk ka marr pikë sa ka merituar. Morina e pranon se nuk është i kënaqur me fillimin e kampionatit.

“Nuk jam i kënaqur me startin e kampionatit duke e ditur se në xhiron e parë kundër Gjilanit kemi luajtur një lojë të mirë, por që pas avantazhit i humbëm pikët. Pastaj djemtë kanë treguar lojë të mirë me Prishtinën, Dritën e Drenicën, por pa marr pikët e plota. Me Malishevën nuk ka funksionuar asgjë dhe përgjegjësinë e kam marr unë personalisht. Mendoj që djemtë po tregojnë angazhim dhe vetëmohim, por ende jemi në një ngërç të një trepikëshi i cili do t’i shtynte gjërat përpara. A kemi merituar më shumë? Sigurisht që po, në bazë të asaj çka është parë në fushë. Këtij ekipi i dihet ende kohë dhe konkurrencë që të tregojë veten në mënyrën më të mirë”, u shpreh Morina, të hënën.

Ai pranon se niveli i Superligës është më i lartë sesa i Ligës së Parë. Gjatë rrugës, Morina pohon se do të shikojnë se çka i nevojitet ekipit.

“Vazhdimësia e punës nga kampionati i kaluar ka qenë me ritëm të shtuar, duke e ditur që Superliga është nivel më i lartë. Kemi transferuar futbollistë ferizajas nga klubet e tjera dhe në këtë mënyrë kemi rritur eksperiencën brenda ekipit. Gjatë rrugëtimit do ta shohim se çka do të na nevojitet për më tutje”, deklaroi Morina.

Trepça ’89 renditet në pozitë e nëntë. Ka dy pikë nga katër ndeshje. Dy fitore dhe po aq barazime janë rezultatet e ekipit më të ri në moshë në Superligë.

‘89-shi ka shënuar shtatë gola, prej tyre katër i ka realizuar sulmuesi Christian Mba.

Trajneri i Trepçës ’89, Shpëtim Idrizi, e ka pranuar se ka pritur rezultate më të mira në nismë. Por, ai ka theksuar se qysh në fillim janë ndeshur me ekipet që kërkojnë titullin.

“Të them të drejtën pritshmëritë kanë qenë më të mëdha. E kemi ditur që këto katër ndeshjet e para do të jenë të vështira, pasi kemi luajtur ndaj ekipeve që luftojnë për titull. Por, pavarësisht kësaj, mendoj që fati na ka munguar në disa ndeshje. Kundër Dritës dhe kundër Llapit kemi qenë në avantazh, sidomos me Llapin në sekondat e fundit pranuam gol”, tha Idrizi.

Me vendimet e gjyqtarit kryesor në ndeshjen e fundit kundër Malishevës, ku Trepça ’89 humbi në shtëpi 3:2, nuk pajtohet trajneri Idrizi.

Ai ka thënë për KOHËN se skuadra mitrovicase është dëmtuar për një penallti që nuk i është dhënë. Madje ka theksuar se gjyqtari kryesor nuk ka pranuar ta shikojë rastin diskutabil, edhe pse është thirrur nga gjyqtarët e dhomës së VAR-it.

“Në ndeshjen kundër Malishevës mendoj që kemi qenë të penalizuar për një penallti. Mendoj që ka qenë penallti në minutën e 58-të në sulmuesin Christian Mba, ku të them të drejtën reagon edhe VAR-i dhe e thërret gjyqtarin kryesor për ta shikuar rastin. Por pavarësisht që e thërret, ai nuk shkon ta shikoj se a ka qenë penallti apo jo. Këtu kemi qenë jashtëzakonisht të dëmtuar. Para dy-tre vjetësh ndoshta kemi qenë më kritikë kur nuk ka qenë VAR-i, por tani çdo gjë është më e thjeshtë. Kur një gjyqtar me përvojë si Genc Nuza dhe të tjerët që kanë përvojë shkojnë e shikojnë VAR-in, pse mos të shkojë edhe ky. Aty ka mundur të barazohej rezultati në 2:2 dhe pastaj rrjedha e ndeshjes do të ishte ndryshe. E njëjta ka ndodhur edhe me Gjilanin, pavarësisht që nuk kemi dalë me ndonjë deklaratë. Gjyqtari Visar Krastrati akordon një faul në fund të pjesës së parë dhe nga aty bie edhe goli”, pohoi Idrizi.

Ndeshjen në Mitrovicë e drejtoi Eridon Podvorica.

Përveç Ferizajt dhe Trepçës ’89, pa fitore është edhe Dukagjini. Ekipi nga Klina ka pësuar katër humbje në pesë ndeshje, duke arritur edhe një barazim. Dukagjini është i fundit me vetëm një pikë.