Sport

FFK-ja zotohet për bashkëpunim për t’i hetuar raportimet për kurdisje

Federata e Futbollit të Kosovës ka thënë se së bashku me autoritetet në Kosovë, do të koordinohet me UEFA-n dhe organet e tjera ndërkombëtare për t’i hetuar raportime për kurdisje të ndeshjeve, që u publikuan nga mediat franceze të enjten.

Komiteti Ekzekutiv i FFK-së, në mbledhjen e mbajtur të premten, sipas njoftimit, ka ndërmarrë menjëherë masat e nevojshme për ta hulumtuar rastin dhe për ta adresuar atë në mënyrë urgjente tek organet kompetente.

“KE i FFK-së e ftoi në raportim zyrtarin për Integritet të Garave dhe i njëjti vuri në pah se në vazhdimësi i ka raportuar të gjitha çështjet dhe parregullsitë potenciale tek Këshilli për Parandalimin e Dhunës dhe dukurive tjera negative në sport, si organ kompetent në Republikën e Kosovës që merret me dukuritë negative. Zyrtari për Integritet të Garave e njoftoi KE-në se në vazhdimësi ka qenë në kontakt edhe me zyrtarët e UEFA-s dhe për çdo parregullsi e ka informuar Këshillin e lartpërmendur dhe nëse ka pasur nevojë edhe organet disiplinore”, thuhet në reagimin e FFK-së.

“FFK, së bashku me autoritetet në Kosovë, do të koordinohet me UEFA-n dhe organet tjera ndërkombëtare për hetimin e këtij rasti dhe varësisht prej rezultateve të hetimit, organet tona disiplinore do të ndërmarrin masat e nevojshme ndaj klubeve apo individëve të përfshirë në parregullsitë eventuale. FFK është plotësisht e gatshme të bashkëpunojmë me çdo autoritet të Republikës së Kosovës dhe me ato ndërkombëtare, në mënyrë që të ruhet integriteti i futbollit dhe i sportit kosovar në përgjithësi”, vijon reagimi i tyre.

FFK-ja ka kujtuar se monitoron të gjitha ndeshjet “për parandalimin e ndërhyrjeve të keqbërësve në futboll në partneritet me kompanitë e aranzhuara nga UEFA”.

“Kampionati ynë vitet e fundit është rritur jashtëzakonisht shumë si në aspektin e cilësisë, ashtu edhe në atë të organizimit dhe të investimeve, prandaj si FFK do të qëndrojmë vigjilent dhe do të jemi zero tolerant ndaj keqpërdoruesve dhe çdo gjëje që e njollos integritetin e garës dhe imazhin e futbollit tonë”, thuhet në reagim.

Autoritetet në Francë të enjten kanë arrestuar nëntë persona të cilët dyshohen për kurdisje të ndeshjeve në Superligën e Kosovës. Sipas Le Parisien, klubi i Llapit është i përfshirë në kurdisjen e katër ndeshjeve.

Llapi i ka mohuar akuzat për kurdisje ndeshjesh. Ka thënë se krejt kjo po bëhet për ta dëmtuar imazhin e klubit.