Sport

FFK-ja vlerëson se implementimi i VAR-it është plotësisht i suksesshëm

Një situatë e rishikuar përmes sistemit VAR i ka dhënë drejtim ndeshjes mes Gjilanit dhe Ulpianës. Arbitri i ndeshjes pas rishikimit të rastit përmes VAR-it ka përsëritur një penallti për Ulpianën. Në rastin e parë penalltia u prit e në të dytin jo.

Raste kur konsultohet VAR-i nga gjyqtarët ka në çdo ndeshje. Ndërkohë edhe ndërrimi i vendimeve pas rishikimit të VAR-it nuk është i rrallë.

Në Federatën e Futbollit të Kosovës mburren që kanë arritur të implementojnë sistemin VAR, ndërsa janë krenarë edhe me mënyrën se si funksionon ai.

Madje VAR-in në Superligën e Kosovës e vlerësojnë “storie plotësisht të suksesshme”.

“Vlerësojmë se në fazën në të cilën jemi, implementimi i VAR-it ka arritur të përmbushë objektivat dhe çdo ditë po punohet që të avancohet edhe më tutje.

Implementimi i VAR-it u ka dhënë edhe më shumë siguri gjyqtarëve, si dhe e ka rritur besimin e klubeve, por edhe të gjithë opinionit futbollistik”, thuhet në një përgjigje me shkrim të përgjegjësve të VAR-it në FFK.

Natyrisht, përgjegjësit i japin shumë merita FFK-së për aplikimin e VAR-it.

“Po ashtu, mënyra e shpejtë dhe gjithë puna që e ka bërë FFK-ja për ta implementuar këtë projekt, tregon shumë për rëndësinë që i kushton FFK-ja marrjes së vendimeve të drejta brenda fushës dhe përcaktimit të rezultatit final në mënyrën më korrekte të mundshme. Në të njëjtën kohë fakti që FFK-ja është një prej pak federatave në nivel global që ka implementuar këtë projekt, e rrit kredibilitetin e Federatës sonë edhe në institucionet ndërkombëtare të futbollit”.

Në FFK vlerësojnë se me VAR arbitrat janë thuajse të pagabueshëm. Shifrat e prezantuara e forcojnë këtë konstatim.

“Në të gjitha rastet ku në bazë të protokollit kërkohet ndërhyrja e VAR-it, janë ofruar zgjidhjet e duhura. Sa i përket saktësisë, statistikat janë në linjë me trendin global të saktësisë së VAR-it, ku nga 93% të rasteve sa do të ishte saktësia nëse nuk do të përdorej VAR-i në këto raste, është arritur saktësia e vendimeve pas rishikimit të VAR-it në diku 99%”.

Në FFK vlerësojnë se koordinimi i gjyqtarëve në fushë me ata në dhomën e VAR-it është në nivel.

kohës së shpejtë të implementimit të VAR-it, për më pak se gjashtë muaj, gjyqtarët janë përshtatur mjaft shpejt me këtë formë të re të gjykimit. Gjithsesi, me krijimin eksperiencës do të avancohet edhe më tutje koordinimi. Ndërsa sa i përket efektshmërisë së VAR-it në saktësinë e vendimeve, nga statistikat tona del të jetë mjaft e madhe”, thuhet në përgjigjen e FFK-së për KOHËN.

Tashmë trajnerët, por edhe lojtarët e tifozët po i pranojnë më lehtë vendimet që merren pas konsultimit të VAR-it. Është një tendencë që vendimet të jenë më të besueshme pasi të rishikohet situata përmes video-xhirimit.

“FFK-ja para fillimit të kampionatit ka mbajtur takime dhe ligjërata me klubet e Superligës, ku është sqaruar dhe diskutuar protokolli VAR. Është mjaft i kënaqshëm niveli i bashkëpunimit si me stafin ashtu edhe me lojtarët në fushë. Gjithsesi, situata analizohet vazhdimisht dhe nëse do të ketë nevojë që të ketë sqarime të tjera, në vazhdimisht do t’iu përgjigjemi këtyre kërkesave”.