Sport

FFK-ja njoftohet se fillimi i aktiviteteve sportive parashihet për në qershor

Foto: FFK

Mikrobiologu nga Inistituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë, Lul Raka, gjatë një takimi me presidentin e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka thënë se fillimi i aktiviteteve sportive parashihet në muajin qershor, varësisht se si do të jetë numri i rasteve me COVID-19 në ditët dhe javët në vijim.

Raka ka thënë se aktivitetet sportive janë të parapara me fazën e tretë të masave lehtësuese.

“Presidenti Ademi e njoftoi Prof.Dr. Rakën me situatën në futbollin tonë dhe me faktin se deri më tash asnjë futbollist nuk është prekur nga ky virus, me përjashtim të dy djelmoshave nga shkolla e futbollit e Ballkanit të Suharekës, të cilët tashmë janë në gjendje të mirë shëndetësore. Presidenti Ademi shprehu nevojën që futbolli të kthehet sa më parë, duke pasur parasysh afatet që i ka paraqitur UEFA për federatat e saj anëtare për mbylljen e këtij edicioni garues, normalisht nëse për këtë ekzistojnë mundësitë dhe duke i ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe duke i respektuar rekomandimet nga institucionet shëndetësore për masat mbrojtëse në stadiume”, është shkruar në komunikatë të FFK-së. “Nga ana e tij, Prof.Dr. Lul Raka u shpreh se është i vetëdijshëm për rëndësinë që ka aktiviteti sportiv, me këtë rast futbolli, duke pasur parasysh se në një periudhë ka qenë edhe vet futbollist, por tha se tani prioritet mbetet shëndeti. Ai bëri me dije se aktiviteti sportiv është paraparë të lejohet në fazën e tretë të masave lehtësuese në muajin qershor, porse shumëçka varet nga ecuria e rasteve me COVID-19 në ditët dhe javët në vazhdim”.

Nga FFK është thënë se dëshira për t’iu kthyer garave dhe për të mbaruar stinorin në mënyrën e rregullt është e madhe, por se çdo gjë do të vendoset në pajtim me UEFA-n, Institucionet Kombëtare të Shëndetësisë dhe Ministrinë e Sportit.

Superliga e Kosovës në futboll, si dhe të gjitha aktivitetet tjera sportive në Kosovë, janë pezulluar shkaku i pandemisë.

Pas 22 ndeshjeve në Superligë, Ballkani kryeson me 44 pikë, një më tepër se drita dhe tri më tepër se Gjilani e Prishtina.

UEFA ka kërkuar nga federatat anëtare që të dërgojnë deri më 25 maj planin se si mendojnë të përfundojnë kampionatin dhe datën kur planifikojnë të rifillojnë. UEFA ka kërkuar që kampionatet të përfundohen deri në fund të korrikut dhe në gusht të vazhdohen garat në Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës.

Kryetrajneri i Ballkanit, Ismet Munishi ka thënë se nuk ka kohë për vazhdim të kampionatit dhe se Ballkani duhet të shpallet kampion.

“Nëse vendoset të luajmë në fazën e tretë të masave lehtësuese, atëherë nuk do të kemi kohë të mjaftueshme, nuk mund të luajmë sa për sy e faqe. Nuk guxojmë që t’i fusim lojtarët e pa përgatitur në një kampionatet super të ngjeshur. Po ashtu nuk mund të marrim masat e rrepta në raport me virusin. Duhet të kujdesemi për shëndetin e futbollistëve. Federata duhet të dërgojë në UEFA emrat e klubeve që do të garojnë në kupat evropiane stinorin e ardhshëm dhe të sjellë trofeun në Suharekë, sepse e kemi merituar titullin”, ka thënë Munishi për KOHËN.