FFK-ja para nisjes së ndeshjes të Superkupës së Kosovës në futboll, ndërmjet Prishtinës dhe Llapit, ka njoftuar për implementimin e sistemit VAR. Sistemi VAR është risi në futbollin tonë. Njohës të futbollit kanë thënë se do të largojë dyshimet e mëdha.
Në prononcimin para mediave në prag të implementimit të sistemit VAR, kryetari i FFK-së, Agim Ademi, është shprehur shumë i kënaqur që ideja e tij po nis së përdoruri edhe në futbollin kosovar.
“Është i pari në Ballkan. Sot e kemi marrë licencën nga FIFA për VAR. Nëntë operatorë dhe 53 gjyqtarë janë licencuar. Janë organizuar 53 ndeshje deri më tani ku është testuar ky sistem. Është afati më i shkurtër që është siguruar VAR-i. Janë gjashtë muaj që kemi punuar për këtë. E kemi fituar një ekip profesional që do të jenë edhe në ndeshjet ndërkombëtare. Ky është projekti më i madh i FFK-së. VAR-i starton që nga ndeshja e Superkupës dhe do të jetë në ndeshjet e Superligës së Kosovës. Në 8 stadiume është intervenuar, në mënyrë që VAR-i të jetë i zbatueshëm. Ka qenë ide e imja dhe jam i lumtur për këtë”, ka thënë kryetari i FFK-së, Agim Ademi.