Federata e Futbollit të Kosovës, ka konfirmuar nisjen e Superligës U21 në edicionin 2023/24.
Nëpërmjet një njoftimi të premten, FFK-ja këtë garë e ka quajtur risi e edicionit të ri, ku do të paraqitjen 10 ekipet elitare me grupmoshën e futbollistëve deri në 21 vjeç. “Ky format i ri do të ofrojë mundësi të mëdha për futbollistët e rinj që t’i tregojnë vlerat e tyre dhe të kenë më shumë minutazhë dhe vazhdimësi të ndeshjeve gjatë një edicioni, duke u përgatitur kësisoj për paraqitje në ekipet e para të klubeve të tyre”, ka shkruar ndër të tjera FFK-ja.
Po ashtu, ka publikuar edhe orarin e xhiros së parë, e cila nis javën e ardhshme. Ndeshja hapëse, do të jetë ajo ndërmjet Dukagjinit dhe Malishevës që do të zhvillohet në Klinë prej orës 17:00.
Të martën, Prishtina do të përballet me Feronikelin prej orës 13:00, ndërsa të mërkurën do të luhen dy ndeshje: Liria – Ballkani (13:00) dhe Drita – Llapi (17:00). Ndeshja ndërmjet Fushë Kosovës dhe Gjilanit, do të luhet më vonë.