Turneu kualifikues për Kampionatin Evropianin U17 të futbollit fillon të mërkurën me ndeshjen Finlanda – Greqia, që zhvillohet nga ora 13:00 në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë. Prej orës 16:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë luajnë Italia e Kosova.
Përfaqësuesja U17 e Kosovës në futboll të martën ka kompletuar përgatitjet për këtë turne të raundit kualifikues për Evropianin 2023. Stërvitjen e fundit futbollistët e rinj e zhvilluan në Obiliq.
Ekipi i KTV-së nuk u lejua ta përcjellë nga afër stërvitjen e Kosovës U17. Në fakt KTV-ja, sipas praktikës, ka kontaktuar të hënën mbrëma dhe të martën në mëngjes me selektorin e Kosovës U17, Arsim Abazi. Ai është pyetur nëse një ekip televiziv mund ta ndjekë nga afër stërvitjen dhe të marrë deklarata lidhur me ndeshjet kualifikuese. Abazi është pajtuar që ekipi i televizionit të jetë në stërvitje dhe që ai të deklarohet për ndeshjet.
Por ekipi i televizionit nuk është lejuar të hyjë në stadiumin “Agron Rama” nga menaxheri i Kosovës U17, Genc Mustafa. Sipas tij, ekipi i KTV-së nuk mund të jetë në stërvitje me vendim të Zyrës për media të FFK-së.
FFK-ja nuk ka dhënë ndonjë sqarim për ndalesën që iu bë KTV-së. Një ditë më herët, media të tjera e kanë përcjellë nga afër stërvitjen e Kosovës U17.
Kryetari i FFK-së, Agim Ademi, ka thënë përmes telefonit se i takon Zyrës së mediave të vendosë për këto çështje. Ai ka mohuar se vendimi ishte i tij.
FFK-ja nuk ka postuar asnjë njoftim në faqen zyrtare deri të martën pasdite sa i përket grumbullimit të Kosovës U17, ani pse kualifikimet mbahen në Kosovë.
Mbajtja e këtij turneu kualifikues është përcjellë me disa zhvillime. Për ta ruajtur fushën e stadiumit “Fadil Vokrri”, ku edhe luhen tri ndeshje, Prishtinës i është kërkuar që gjatë tetorit të mos luajë në këtë stadium. Kjo kërkesë e FFK-së nuk është pranuar nga Prishtina, së cilës i është shtyrë ndeshja me Trepçën ’89.
Për këtë temë është diskutuar në emisionin e fundit të “Sportit Total” në KTV, ku Remzi Ejupi nga FC Prishtina ka bërë akuza të shumta ndaj kryetarit të FFK-së, Agim Ademi.
Ademi ka kohë që refuzon të përgjigjet për KOHËN, ndërsa mediumi ynë nuk merr përgjigje as nga Zyra për media e Federatës, me gjithë kërkesat e vazhdueshme. Në fakt, kjo zyrë, që vlerësohet se kontrollohet plotësisht nga i pari i FFK-së, u përgjigjet vetëm mediave që u shkojnë për shtati politikave të Federatës. Deri më tani nuk ka ndodhur që ekipet televizive të mos lejohen në stërvitje të përfaqësueseve dhe kjo mund të jetë risi jo e lavdishme e Federatës së drejtuar nga Ademi.