Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) vazhdon të funksionojë pa Dhomën Nacionale për Zgjidhjen e Kontesteve (DHNZK). Edhe pse Komiteti Ekzekutiv i FFK-së kishte marrë vendim më 28 shtator që të themelojë këtë organ që e kanë federatat anëtare të UEFA-s e FIFA-s, një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende.
“KE-ja mori vendim për themelimin e Dhomës Nacionale për Zgjidhjen e Kontesteve (DHNZK), që do të merret me shqyrtimin e ankesave dhe zgjidhjen e kontesteve ndërmjet klubeve dhe lojtarëve”, thuhej në njoftimin e FFK-së të datës 28 shtator.
KOHA ka pyetur në Federatën e Futbollit të Kosovës lidhur me këtë çështje. Në një përgjigje të shkurtër, FFK-ja nuk ka dhënë detaje se pse nuk i është përmbajtur vendimit. Po ashtu, nuk janë dhënë përgjigje në disa pyetje të tjera që kanë të bëjnë me këtë çështje.
“FFK është në proces të themelimit të Dhomës Nacionale për Zgjidhjen e Kontesteve dhe posa të finalizohet ky proces opinioni do të informohet”, thuhet në njoftimin e shkurtër të FFK-së.
Dhoma Nacionale për Zgjidhjen e Kontesteve merret me shqyrtimin e ankesave dhe zgjidhjen e kontesteve ndërmjet klubeve dhe lojtarëve.
Shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave të Futbollistëve të Kosovës, e konsideron si jetike themelimin e Dhomës Nacionale për Zgjidhjen e Kontesteve.
“Shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave të Lojtarëve të Kosovës (SHMDFK) konsideron se themelimi i Dhomës Kombëtare për Zgjidhjen e Konflikteve e njohur nga FIFA si ‘NDRC’, është i rëndësisë jetike për lojtarët, përkatësisht për të anëtarësuarit e SHMDFK-së. Pa dyshim se funksionalizimi i një dhome të tillë nënkupton mundësinë e adresimit të lojtarëve si njëra nga palët me të drejtë të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve apo konflikteve që lidhen me qëndrueshmërinë kontraktuale të tyre, apo vetë trajnerëve të futbollit me subjektet anëtare të Federatës së Futbollit të Kosovës, specifikisht me punëdhënësit e tyre – klubet e futbollit që marrin pjesë në aktivitetet e organizuara nga Federata. Mundësia për t’iu referuar një dhome të tillë të themeluar në nivel kombëtar e që vepron si tribunal i pavarur arbitrazhi, përmes arbitrazhit të zakonshëm dhe përmes formës së ndërmjetësimit, do të prodhonte efekte tejet pozitive te lojtarët, si palë e interesit dhe fokus i punës së SHMDFK-së”, thuhet në përgjigjen e Shoqatës së Lojtarëve.
Kjo organizatë, që ka aplikuar për anëtarësim në Shoqatën Ndërkombëtare të Futbollistëve Profesionistë (FIFPro), thekson në përgjigjen e saj se kjo çështje është dashur të jetë e kryer qe disa vjet.
“Përkundër se konsiderojmë se kjo iniciativë do të duhej të niste dhe konkretizohej vite më parë, sidomos marrë për bazë rastet e shpeshta të konflikteve në mes të palëve të përmendura, megjithatë besojmë dhe shpresojmë se përmes DHKZK-së futbollit të Kosovës do t’i ofrohej mundësia e pasjes së një mekanizmi efektiv për zgjidhjen e konflikteve në sportin e futbollit. Dhe, më e rëndësishmja, ofrohet mundësia e zgjidhjes së konfliktit jashtë gjykatave të zakonshme, e që zakonisht nënkupton kohëzgjatje të tepërt deri në zgjidhjen përfundimtare të konfliktit dhe zbatimit të vendimit gjyqësor. Përkrahim fuqishëm themelimin eventual të DHKZK-së në Kosovë në kuadër të FFK-së, duke pasur parasysh po ashtu se kjo dhomë duhet të jetë e pavarur, t’u garantojë palëve procedura të drejta e të shpejta, si dhe të respektojë parimin e përfaqësimit të barabartë në mes të lojtarëve dhe klubeve”, shkruan në përgjigjen e SHMDFK-së.
Aktualisht punën që do të duhej ta kryente Dhoma Nacionale po mundohet ta kryejë Komisioni Disiplinor. Megjithatë, ky organ ia ka dalë që në të kaluarën të zgjidhë vetëm një rast dhe atë me pajtim mes palëve, e jo me vendim detyrues siç e parasheh Rregullorja Disiplinore. Rasti i vetëm i zgjidhur pjesërisht ishte ai i Besës së Pejës që kishte obligime ndaj disa lojtarëve dhe pas diskutimeve disa lojtarë ishin pajtuar me klubin, kurse një pjesë e tyre jo.
Komisioni Disiplinor ka disa muaj që nuk ia ka dalë të zgjidhë ankesat e shumë lojtarëve të Superligës dhe Ligës së Parë, të cilëve u kanë mbetur borxh klubet duke mos ua paguar pagat. Në shumë raste Komisioni Disiplinor u ka dhënë afat klubeve, por ato nuk i kanë respektuar afatet kohore të përcaktuara nga Komisioni. Ky organ ka arritur të ndërmjetësojë në disa raste, por rezultatet kanë munguar. Madje kishte hapur procedurë disiplinore ndaj klubeve të futbollit Drenica, Ferizaj, Prishtina, Besa, Feronikeli, Flamurtari, Dukagjinit, Vushtrria, Trepça dhe Arbëria, të cilat nuk i kanë shlyer obligimet financiare ndaj lojtarëve. Klubet e lartcekura janë në procedurë që nga 20 tetori i vitit të kaluar dhe ende nuk ka asnjë vendim për këtë çështje. Janë 34 lojtarë dhe trajnerë të cilët i kërkojnë pagat e tyre përmes Komisionit Disiplinor të FFK-së. Kontratat janë të viteve 2018, 2019 dhe 2020.
Neni 69 i Rregullores Disiplinore e përcakton saktë se klubi i cili nuk i përmbush detyrimet ndaj organeve zyrtare, ndaj klubeve, lojtarëve, trajnerëve dhe personave zyrtarë, i nënshtrohet masës disiplinore, dënimi në të holla nga 1000 deri në 10 mijë euro ose marrjen e deri 9 pikëve. Ky nen nuk është përdorur asnjëherë deri më tani.
Federata Shqiptare e Futbollit e ka të themeluar Dhomën Nacionale për Zgjidhjen e Konflikteve.
“Dhoma Kombëtare e Zgjidhjes së Konflikteve përbëhet nga kryetari, dy nënkryetarë dhe dymbëdhjetë anëtarë të tjerë. Pesë anëtarë propozohen nga Komiteti Ekzekutiv, pesë anëtarë emërohen nga përfaqësuesit e klubeve dhe pesë të tjerë nga përfaqësuesit e lojtarëve dhe trajnerëve. Kryetari dhe dy nënkryetarët zgjidhen nga përfaqësuesit e propozuar nga Komiteti Ekzekutiv. Anëtarët e emëruar nga përfaqësuesit e klubeve dhe përfaqësuesit e lojtarëve dhe të trajnerëve nuk u nënshtrohen kërkesave të pavarësisë të përcaktuara në nenin 59, paragrafi 2 dhe 3, më sipër”, shkruan në Statutin e Federatës Shqiptare të Futbollit.
Masat që ndërmerren nga ky organ janë: Për personat fizikë dhe juridikë:
a) paralajmërim, b) vërejtje; c) gjobë; d) kthim i çmimeve, dhe: Për personat fizikë:
a) vërejtje; b) dëbim; c) pezullim ndeshjeje; d) ndalim hyrje në dhomat e zhveshjes dhe/ose në stolin e rezervave; e) ndalim hyrjeje në një stadium; f) ndalim nga marrja pjesë në ndonjë aktivitet të lidhur me futbollin; g) punë sociale; h) trajnim për pajtueshmërinë.
Ndaj vendimeve të Dhomës Kombëtare mund të parashtrohet ankesë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë të Zvicrës.
Lojtarët dhe trajnerët që janë ankuar në FFK ndaj klubeve
Argjend Bardhi. Edon Pasoma, Edmond Turku Hasan Hyseni
Diar Mustafa, Armend Abazi dhe Perparim Osmani janë ankuar kundër Drenicës për moskryerjen e obligimeve financiare.
Alban Rexhepi, Qendrim Dautaj, Egzon Shabani, Fatih Karahoda, Egzon Hyseni, Behar Bardhi, Taulant Dajaku, Dardan Çerkini dhe Dardan Jashari kanë bërë ankesë ndaj Ferizajt për mosshlyerjen e obligimeve financiare.
Ahmed Januzi, Diar Miftaraj dhe Armend Thaqi janë ankuar në FFK për pagat që nuk i kanë marrë te Prishtina.
Gentian Mazrekaj, Visar Sahiti, Miftar Rama dhe Eugen Rafuna kanë bërë ankesë në FFK kundër Besës për moskryerjen e obligimeve financiare.
Kastriot Rexha dhe trajneri Dejan Vukiçeviq kanë bërë ankesë për mosdhënien e pagave nga klubi Feronikeli.
Festim Krasniqi, Altin Lloga dhe Flamur Neziri kanë bërë ankesë në FFK për pagat që nuk i kanë marrë te klubi i Flamurtarit.
Blendi Memaj, Ilir Mustafa dhe Diellor Beseni kanë bërë ankesë në FFK kundër klubit të Dukagjinit që ua ka dhënë vetëm një pjesë të mjeteve financiare .
Bajram Zuqaku ka bërë kërkesë në FFK kundër Vushtrrisë për moskryerje të obligimeve financiare.
Veton Shabani ka bërë ankesë kundër Trepçës për mosshlyerje të obligimeve financiare.
Enis Ukelli është ankuar kundër Arbërisë për mosshlyerje të obligimeve financiare.