Festë futbolli në Prishtinë. Nuk kishte se si të ishte ndryshe e shtuna. Në mbrëmje do të luante Kosova kundër Zvicrës, përfaqësueses së shtetit që shumë kosovarëve ua kishte hapur dyert. Ndër shumë familje që morën rrugën drejt Zvicrës ishin edhe ato Xhaka nga Prishtina dhe Shaqiri nga Gjilani.
Djemtë e këtyre dy familjeve, Graniti dhe Xherdani, janë liderë të Përfaqësueses helvetike. Janë krenaria e Zvicrës. Por edhe e gjithë shqiptarëve natyrisht.
Shqiptarë e zviceranë nisën së bashku festën nëpër rrugët e Prishtinës. Kafenetë në qendër ishin të mbushura, ndërsa dëgjoheshin këngë të ndryshme. Në njërën anë këndonin shqiptarët e Kosovës, në anën tjetër tifozët e Zvicrës.
Një prej tifozëve ishte Bekim Syla. Ai kishte ardhur në Kosovë me disa shokë zviceranë.
“Ne jemi shokë të punës, punojmë bashkë. Kemi organizuar tash e një kohë që të vijmë ta shohim ndeshjen bashkë nga Zvicra këtu. Enkas për këtë kemi ardhur. Kemi dashur t'ua tregojmë vendin tonë, çfarë vendi kemi, si është vendi jonë. Përshtypjet e tyre të para kanë qenë shumë të mira. Po pyesin se kur do të vijmë sërish.
Po, për të dyja na rrah zemra, edhe për Zvicrën, edhe për Kosovën. Për shqiptarët jemi”, thotë Syla.
I mahnitur me mikpritjen është shoku i Bekimit.
“Është e pabesueshme, e jashtëzakonshme. Ndihemi të mirëseardhur. Jemi me shumë shokë nga Kosova dhe nga Zvicra. Është hera ime e parë këtu, por është shkëlqyeshëm. Po na pëlqen shumë”, thotë tifozi zviceran.
Ai pranon se në ndeshje janë kundërshtarë me Bekimin.
“Sot jemi kundërshtarë, por në shtëpi, në Zvicër, ne jetojmë së bashku, kemi shoqëri të mirë. Më pëlqejnë shumë shqiptarët”.
Ata nuk ishin të vetmit që kishin marrë rrugë për ta përcjellë nga afër ndeshjen Kosovë – Zvicër. Kishte edhe italianë. Njëri prej tyre mbante fanellën e Kosovës.
“Është një fanellë e zemrës. Zvicra - jo e mirë. Kosova....”, qesh italiani.
Të buzëqeshur edhe u nisën drejt stadiumit “Fadil Vokrri”. Nuk ishin larg stadiumit që mban emrin e legjendës së futbollit kosovar.
Drejt stadiumit kishin marrë rrugë edhe Taulant Abazi me kushëririn e tij, Valtonin. Taulanti e Valtoni kishin ardhur nga Gjermania.
Ai vlerëson se në sheshet e Prishtinës dominonin zviceranët. Por në stadium thotë se Kosova do ta ketë përkrahjen masive.
“Mirë, mirë, por më shumë po duken tifozët e Zvicrës këtu në shesh. Vetëm në stadium do të tregojmë se si jemi ne shqiptarët”, është shprehur Taulant Abazi.
Valtoni fokusohet të flasë për gjendjen në tabelë. E di se Kosova qëndron prapa. Por ka shpresë për rezultat të favorshëm.
“Situata është pak e keqe për neve sa i përket tabelës. Por, të shohim, ndoshta djemtë do të luajnë me shpirt, me zemër dhe e fitojmë lojën. Do të bëhet festë e madhe”, thotë Valton Abazi.
Ai thekson se Shaqiri e Xhaka janë krenaria e shqiptarëve. I kupton mirë dy futbollistët e rritur në Zvicër. Edhe vetë është rritur në Gjermani.
“Ne i kuptojmë ata djemtë, po të kishim qenë edhe ne në pozitën e tyre, do të ishte situatë e njëjtë për ne, sepse jemi nga jashtë. E dimë se si është të jetosh në Gjermani dhe të jesh shqiptar. Por shpresojmë që nuk do ta japin maksimumin dhe ndoshta fitojmë”, ka thënë Valton Abazi.
Taulanti dhe Valtoni rreth orës 18:00 morën rrugë për në stadium. Një orë më vonë nga sheshi “Zahir Pajaziti” u nisën edhe tifozët zviceranë. Nuk ishin pak. Rreth 700 zviceranë ishin në Prishtinë. Të gjithë ishin të pajisur me bileta.
Por shumë mbetën edhe jashtë. Kapaciteti i stadiumit është rreth 13 mijë ulëse. Kërkesat ishin të mëdha, ndërsa disa bileta edhe u shitën në tregun e zi. Me çmime shumëfish më të larta se që i kishte shitur Federata e Futbollit e Kosovës.
Shumë shtrenjtë u shitën edhe fanella e shalle të Kosovës dhe Zvicrës nga shitës ambulantë. Një fanellë e Kosovës kushtonte 15 euro, kurse një shall 7 euro. Edhe pse në mënyrë ilegale, policia e Kosovës nuk ndërhyri t’i largonte nga rrugët e Prishtinës.
Nuk u raportua për ndonjë incident apo të arrestuar.
Kjo vetëm e konfirmon se të shtunën pati festë jashtë dhe brenda stadiumit “Fadil Vokrri”. Ndeshja përfundoi 2:2.
Festë pati edhe pas përfundimit të ndeshjes. Lojtarëve të Zvicrës u është dashur të kthehen në hotel vetëm pasi Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri përfunduan me deklarata, fotografi e nënshkrime. Nuk mungonin as lotët e gëzimit pas takimit me të preferuarit e tyre – Xhakën dhe Shaqirin.