Fitorja e fundit e ka motivuar skuadrën e Feronikelit, që udhëton për fitore në Gjilan ku përballet me kampionen aktuale, Dritën.
Drita nuk di për humbje në gjashtë ndeshjet e fundit, por ky fakt nuk e frikëson skuadrën e Feronikelit.
Njëri prej lojtarëve kryesorë të Feronikelit, Albert Dabiqaj ka besim se skuadra nga Drenasi do t’ia dal në Gjilan. Mesfushori Dabiqaj shënoi golin e vetëm në fitoren kundër Arbërisë në xhiron e kaluar, që për Feronikelin ishte ngadhënjimi i parë pas një serie prej dy barazimeve dhe një humbje në tri ndeshjet paraprake.
Dueli mes Dritës dhe Feronikelit zhvillohet të martën prej orës 13:00. I takon xhiros së 14-të të Superligës së Kosovës në futboll.
“Jemi maksimalisht të motivuar pas fitores së fundit dhe ndaj Dritës do të duam vetëm tri pikët që janë shumë të rëndësishme. Natyrisht nuk do të jetë aspak lehtë për shkak se përballemi me kampionin në fuqi, por jemi të gatshëm. Do të japim maksimumin në këtë ndeshje të vështirë që nga Gjilani të kthehemi me një rezultat pozitiv”, është shprehur Dabiqaj të hënën për KOHËN.
Feronikeli zë vendin e gjashtë në tabelë me 15 pikë, 11 më pak se Drita që është e dyta dhe ka dy ndeshje më pak të zhvilluara se ekipi nga Drenasi.
Edhe te Drita optimizmi nuk mungon për duelin ndaj Feronikelit. Skuadra e trajnerit Ardian Nuhiu do të jetë e kompletuar dhe sikurse në ndeshjet tjera, edhe në këtë do të kërkoj të vazhdojë serinë e rezultateve pozitive. Në gjashtë ndeshjet e fundit, Drita ka një seri prej pesë fitoreve dhe një barazimi.
“Luajmë me një kundërshtar të fortë që është i shpejtë sidomos në kundërsulme, dhe do të jetë një ndeshje e vështirë. Mirëpo, sikurse në çdo ndeshje tjetër, edhe në këtë ne do të futemi për fitore”, ka thënë mbrojtësi i Dritës, Ilir Blakçori.
Të martën do të zhvillohet edhe një ndeshje tjetër në kuadër të kësaj xhiroje. Skuadra e Arbërisë e pret Gjilanin, por këtë herë në stadiumin e Flamurtarit në Prishtinë, dhe jo në atë të Obiliqit “Agron Rama”, ku deri më tash i ka luajtur ndeshjet si vendase. Edhe kjo ndeshje nis prej orës 13:00.
Arbëria në pesë ndeshjet e fundit ka katër humbje dhe një fitore derisa Gjilani nuk di për humbje në 12 ndeshjet e fundit. Humbjen e vetme ia pati shkaktuar Feronikeli (4:0) në kuadër të xhiros së parë. Ndërkohë, të mërkurën dhe të enjten do të zhvillohen ndeshjet tjera të xhiros së 14-të, që gjithashtu startojnë prej orës 13:00.
Të mërkurën janë dy ndeshje: Llapi – Prishtina e Trepça ’89 – Besa. Xhiroja do të mbyllet të enjten me duelin në Skenderaj ndërmjet Drenicës e Ballkanit.

