Edhe pse i ka nisur përgatitjet me vonesë dhe përballet me telashe financiare, Feronikeli ka dhënë sinjal se nuk ka hyrë i dorëzuar në edicionin 2021/2022 të kampionatit të Kosovës në futboll.
Skuadra nga Drenasi e ka mposhtur të dielën Llapin në udhëtim me rezultatin 2:0 me golat e Dren Gashit dhe Diar Prokshit. Ndeshja i takoi xhiros së tretë të Superligës së Kosovës.
Trajneri i Feronikelit, Faruk Elshani, ka thënë për KOHËN se fitorja ua kthen vetëbesimin. Ai e pranon se kishin udhëtuar drejt Merdarit për rezultat pozitiv, por jo edhe për fitore.
“Ky është një fillim i mbarë. Kjo fitore na e kthen vetëbesimin për vazhdim të kampionatit, por nuk do të jemi komodë, do të vazhdojmë me punë shumë serioze. Kemi ardhur për të marrë pikë e jo për fitore. Është fitore e merituar në bazë të asaj që kemi treguar në fushë”, u shpreh Elshani.
Feronikeli ka tri pikë të mbledhura pas tri ndeshjeve të zhvilluara deri më tani. Kishte pësuar disfatë në dy xhirot e para.
Edhe pse u organizua shumë vonë shkaku i telasheve financiare, Feronikeli në radhët e veta ka disa lojtarë me trofe të fituar. Por nga skuadra nga Drenasi gjatë verës ishin larguar shumë lojtarë.
Fakt se në ekip ka lojtarë të suksesshëm, sipas trajnerit Elshani, do ta ndihmojë shumë Feronikelin në këtë kampionat.
“Nëse e shikojmë ekipin që kemi, atëherë e shohim se kemi shumë lojtarë kampionë brenda skuadrës. Lapidari Lladrovci, Behar Maliqi, Qemail Elshani dhe disa të tjerë janë lojtarë të dëshmuar dhe kampionë. Lojtarët që kanë qenë kampionë me ekipin tonë më herët, por edhe me skuadrat e tjera, na japin siguri në lojën tonë dhe janë mbështetje e madhe edhe për lojtarët e rinj. Kanë gabuar me ato konstatime analistët se Feronikeli mund të kalohet lehtë. Kjo skuadër do të bëjë paraqitje të mira”, deklaroi Elshani.
“Do të jetë kampionat i vështirë. Por, unë besoj që nuk do të vijmë në situatë që të rrezikojmë rënien nga liga. Prej që kemi filluar, kemi besuar në këtë ekip. Jemi organizuar për të siguruar qëndrimin në Superligë. Do të japim maksimumin në çdo ndeshje dhe të arrijmë objektivin që kemi”.
Behar Maliqi, që është futbollisti me më së shumti trofe në futbollin e Kosovës me pesë tituj të kampionit (tre me Prishtinën dhe dy me Feronikelin), mendon se Feronikeli ka merituar më shumë edhe në dy ndeshjet që i ka humbur. Fitorja ndaj Llapit sipas tij, ka qenë e merituar.
“Edhe në dy ndeshjet e para kemi luajtur mirë, por fati nuk ka qenë me ne. Ndërsa, sot na përcolli fati dhe mendoj që kemi fituar me meritë ndaj Llapit”, u shpreh Maliqi.
Maliqi theksoi se Feronikeli përbëhet nga lojtarë me përvojë dhe futbollistë të rinj. Ai theksoi se skeptikët me kohë do ta ndërrojnë mendimin për Feronikelin.
“Jemi ekip i kombinuar. Kemi lojtarë të rinj dhe me përvojë. Do të mundohemi që së bashku të bëjmë një kombinim të mirë dhe t’i arrijmë qëllimet që i kemi në këtë sezon e që është të mbesim në Superligë. Koha do të tregojë se me angazhim dhe paraqitje të mirë edhe ata që kanë qenë skeptikë, do ta ndërrojnë mendimin për të mirë”, deklaroi Maliqi.
Feronikeli është klubi me më së shumti trofe në futbollin kosovar, pas pranimit të Federatës së Futbollit të Kosovës në UEFA dhe në FIFA.
Në total ka fituar tre tituj të kampionit, po aq Kupa si dhe ka rrëmbyer edhe dy Superkupa.
Në garat evropiane është paraqitur vetëm një herë dhe ka arritur të kalojë fazën parakualifikuese të Ligës së Kampionëve, kurse është mënjanuar në rrethin e parë. Është eliminuar edhe në rrethin e dytë të Ligës së Evropës. Ndërkaq, një titull të kampionit e ka fituar para se të pranohet futbolli i Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Pas të gjitha këtyre sukseseve që nisën në edicionin 2014/2015, Feronikeli kaloi momente të vështira në sezonin e fundit (2020/2021). Madje, rrezikoi edhe largimin nga elita. Vetëm në xhiron e fundit e siguroi mbijetesën.
Superliga – Java 3-të
E diel
Gjilani – Dukagjini 0:0
Llapi – Feronikeli 0:2
E shtunë
Malisheva – Drita 0:1
Drenica – Prishtina 2:1
Ballkani – Ulpiana 3:2
1. Ballkani 3 2 1 0 6:4 7
2. Drenica 3 2 1 0 5:3 7
3. Drita 3 2 1 0 3:1 7
4. Gjilani 3 1 2 0 2:1 5
5. Malisheva 3 1 1 1 4:3 4
6. Feronikeli 3 1 0 2 3:3 3
7. Dukagjini 3 0 2 1 3:4 2
8. Llapi 3 0 2 1 1:3 2
9. Prishtina 3 0 1 2 2:4 1
10. Ulpiana 3 0 1 2 4:7 1
Në xhiron e katërt, më 15/16 shtator takohen: Feronikeli – Dukagjini, Drita – Ballkani, Llapi – Malisheva, Prishtina – Gjilani dhe Ulpiana – Drenica.