Lideri i Superligës, Ballkani, i shpëtoi humbjes në minutën e fundit të kohës shtesë në derbin kundër skuadrës së Feronikelit. Ishte sulmuesi i krahut, Ermal Krasniqi, ai që në minutën e pestë të kohës shtesë (90+5’) shënoi gol nga distanca për të barazuar rezultatin. Ndeshja e luajtur të enjten në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, e që i takoi xhiros së 11 të Superligës së Kosovës në futboll, u mbyll me shifrat 1:1.
Golin për Niklin e realizoi sulmuesi Adem Maliqi (13’). Me këtë barazim skuadra e Ballkanit mbetet në krye të klasifikimit me 26 pikë të tubuara derisa Feronikeli ka 14 pikë më pak dhe zë vendin e shtatë.
Në fakt, Feronikeli luajti me një futbollist më pak prej minutës së 64-t, kur nga loja u përjashtua mesfushori Besmir Bojku pas dy kartonëve të verdhë. Trajneri i Feronikelit, Klodian Duro, ka thënë se ekipi e ka merituar fitoren në këtë përballje pasi luajti më mirë. Ai gjithashtu shtoi se Bojku nuk është dashur të përjashtohej. Për Feronikelin ky ishte barazimi i tretë në katër ndeshjet e fundit, ku ka regjistruar edhe një fitore.
“Mendoj se e merituam plotësisht fitoren, sepse patëm një paraqitje shumë të mirë në të gjitha aspektet. Lojtarët u angazhuan maksimalisht për çka edhe i përgëzoj, por gjithashtu nuk meritonim ta mbyllnim ndeshjen me dhjetë lojtarë. Megjithatë ne do të vazhdojmë me kokën lart dhe nuk do të dorëzohemi deri në javën e fundit. Me atë që treguam në këtë ndeshje dëshmuam se Feronikeli është ekipi i fortë dhe do të kthehet edhe më fuqishëm”, u shpreh Duro.
Rasti i parë në këtë ndeshje edhe u konkretizua në gol. Ishte minuta e 13-të kur Feronikeli kaloi në epërsi nëpërmjet Maliqit që përfitoi nga topi i kthyer prej portierit të Ballkanit, Armend Rugji, për të shënuar nga afërsia. Kur të gjithë prisnin përfundimin e ndeshjes dhe fitoren e Feronikelit, doli në skenë Krasniqi që e mposhti portierin Ilir Avdyli për t’ia siguruar një pikë Ballkanit.
“Ndeshja ishte mjaft e vështirë pasi përballë kishim një kundërshtar shumë të fortë. Pranuam një gol nga pakujdesia, por më vjen mirë që ekipi reagoi dhe barazuam rezultatin. Me vjen mirë që nuk u mposhtëm për shkak se të paktën e kemi merituar një pikë në këtë duel. Në pjesën e parë kishim më shumë vështirësi për shkak të lojës së ashpër, gjë që nuk duhet të lejohet”, theksoi trajneri i Ballkanit, Ismet Munishi.
Ndërkohë Llapi ka vazhduar me krizën prej së cilës duket se assesi nuk po arrin të dalë. Skuadra e trajnerit Tahir Batatina pësoi në udhëtim nga Gjilani, ndeshje kjo që u zhvillua gjithashtu të enjten dhe përfundoi me rezultatin 2:0 në të mirë të vendasve. Fiton Hajdari (27’) dhe Ardit Hila (75’) shënuan për triumfin e ekipit gjilanas që edhe në këtë ndeshje u paraqit pa trajnerin Gentjan Mezani. Gjilani e humbi edhe një penallti pasi gjuajtjen e Hajdarit e priti portieri mysafir Stefan Hoffman.
Me këtë fitore Gjilani ka forcuar pozitën e tretë në tabelë me 20 pikë derisa Llapi ka mbetur i fundit me vetëm pesë pikë të tubuara. Për Llapin që ka vetëm një fitore këtë edicion, kjo ishte humbja e shtatë dhe e treta rresht. Edhe për këtë ndeshje te Llapi patën kritika për arbitrat.
“E filluam ndeshjen në mënyrën më të mirë, por arbitri nuk na la të luanim ndeshjen duke mos gjykuar asgjë, asnjë faull për ne. Kemi mundur të shënonim pesë gola por gjyqtari lejoi të luhej karate dhe jo futboll. Ne nuk kishim ardhur të luanim me 14 lojtarë, dhe penalltia nuk kishte të bënte asgjë me penallti”, tha trajneri i Llapit, Tahir Batatina, duke paralajmëruar arbitrat se prej ndeshjes tjetër gjërat do të jenë ndryshe në Podujevë.
Xhiroja e ardhshme e elitës së futbollit kosovar do të zhvillohet në vikend, ku veçohen dy derbi: Drita – Prishtina dhe Ballkani – Gjilani.
Superliga – XI
E enjte
Feronikeli – Ballkani 1:1
(Shënues: Maliqi 13’ – Krasniqi 90+5’)
Gjilani – Llapi 2:0
(Shënues: Hajdari 27’, Hila 75’)
E mërkurë
Prishtina – Arbëria 1:0
(Shënues: Gavazaj 11’ pen.)
Trepça ’89 – Drita 0:1
(Shënues: Xh. Shabani 15’)
Besa – Drenica 0:0
1. Ballkani 11 8 2 1 31:13 26
2. Drita 9 7 1 1 14:6 22
3. Gjilani 11 5 5 1 9:5 20
4. Drenica 11 4 3 4 9:17 15
5. Prishtina 10 4 2 4 12:8 14
6. Trepça ’89 11 4 2 5 10:12 14
7. Feronikeli 11 2 6 3 13:11 12
8. Arbëria 11 3 2 6 11:14 11
9. Besa 11 1 3 7 9:25 6
10. Llapi 10 1 2 7 6:13 5