Ferizaj do të garojë në Superligën e Kosovës në futboll në edicionin 2022/2023. Ferizajasit u shpallën kampion të Ligës së Parë, Grupi B, dhe u kthyen në elitë pas dy vjetësh. Që disa ditë ekipi që drejtohet nga trajneri Arbnor Morina ka nisur përgatitjet për kampionatin e ri.
Pasi ua vazhdoi kontratat futbollistëve që bartën barrën kryesor në Ligën e Parë, Ferizaj është përforcuar edhe me shtatë lojtarë të tjerë. Shumica prej tyre janë nga Ferizaj. Kjo është edhe motja e kryetarit të klubit, Lulëzim Abazi, që ekipi të ndërtohet me lojtarë vendorë.
Astrit Fazliu, Bujar Shabani, Edon Sadriu, Betim Haxhimusa, Leotrim Rexhepi
Gentian Emini dhe Donat Hasanaj, janë futbollistët të cilët janë prezantuar nga drejtuesit e klubit ferizajas.
Trajneri Morina ka thënë për KOHËN, të martën, se Ferizaj ka lojtarë të dëshmuar të cilët kanë luajtur për ekipet e qyteteve të tjera.
“Ferizaj ka lojtarë që janë të dëshmuar në Kosovë. Shumë prej tyre kanë luajtur në ekipet e tjera dhe tani i kemi kthyer në Ferizaj. Ne pothuajse tërë skuadrën e kemi pasur me lojtarë nga Ferizaj edhe në Ligën e Parë, pra nuk kemi hequr dorë as tani nga lojtarët ‘05’, pra nga Ferizaj. Futbolli nuk lejon që të mbyllesh vetëm në një rreth të caktuar. Por ideja e presidentit të klubit ka qenë më herët që ekipi të ndërtohet me lojtarë të Ferizajt”, u shpreh Morina.
Sipas Morinës, përparësi e madhe është se të gjithë lojtarët i njeh shumë mirë, pasi ka punuar me ta edhe në ekipet e tjera.
“Kemi sjellë në skuadër disa lojtarë. Të gjithë i njoh shumë mirë pasi kam pasur rastin të punoj me ta në ekipet e tjera. Të gjithë janë lojtarë cilësorë dhe të dëshmuar dhe po ashtu janë djem të mirë”, deklaroi Morina.
Ai shtoi se në ditët në vijim, varësisht nga situata, do të vendosin nëse do të ketë nevojë edhe për ndonjë përforcim.
“Deri në fund do të shikojmë se çka do të ndodhë. Mund të ketë edhe ndonjë ardhje, por varësisht nga situata. Futbolli është i tillë”.
Morina flet edhe për synimet që ka Ferizaj në Superligë. Thekson se stabilizimi në elitën e futbollit kosovar do të jetë prioritet.
“Synimet e Ferizajt janë që të stabilizohet në Superligë. Kemi bërë punë të mirë në Ligën e Parë në të gjitha aspektet, si organizative e po ashtu edhe me ekipin ku kemi arritur që të hyjmë në Superligë. Kryesia ka bërë punë shumë të mirë. Synimet e Ferizajt janë më afatgjata, jo vetëm për një edicion”, shtoi Morina.
Trajneri me përvojë në futbollin e Kosovës pohon se një pjesë të fazës përgatitore do ta kryejnë në Maqedoni të Veriut.
“Ne e kemi fushën në Ferizaj ku jemi duke i kryer përgatitjet për sezonin e ri. Do të shkojmë tetë deri nëntë ditë në Mavrovë të Maqedonisë për të qenë sa më të gatshëm”, tregon Morina.
Ferizaj nuk ka pasur stabilitet në Superligë në vitet e kaluara. Është përballur me krizë të rëndë financiare. Ishte privatizuar nga disa anglezë, të cilët më pas u larguan. Stabilitetin e ka gjetur nga viti i kaluar me organizimin e ri të klubit.
Përveç Ferizajt, në Superligë është inkuadruar edhe Trepça ’89.