“KF Ferizaj është në mëshirë të Zotit dhe shumë afër shuarjes”. Kështu shkruan në një postim të klubit të njohur të futbollit, që aktualisht bën gara në Ligën e Parë të Kosovës.
Në postim bëhet e ditur se klubi është në krizë financiare dhe gjendja e mjerueshme mund të bëhet shkas që Ferizaj mos ta zhvillojë ndeshjen e radhës dhe të largohet tërësisht nga garat e këtij edicioni. Ferizaj i është drejtuar me kërkesë për ndihmë edhe Komunës së Ferizajt, zyrtarët e të cilës thonë se i kanë duart e lidhura për shkak të aksionarëve të klubit. Këta të fundit nuk po lajmërohen fare tashmë një kohë të gjatë duke e lënë klubin në mëshirë të fatit. Në njoftimin e klubit me traditë 98-vjeçare paralajmërohet se ky do të jetë lajmërimi i fundit përpara shuarjes.
“Ferizaj ka mbetur në mëshirën e Zotit dhe shumë afër shuarjes. Kriza e madhe financiare që ka kapluar klubin tonë, gjendja e mjerueshme në klub, na detyron që ndeshjet e radhës mos t’i zhvillojmë fare dhe të largohemi nga garat. Është mëkat i madh që një qytet si Ferizaj, me biznesmenë më të fuqishëm në Kosovë, të mos përkrahet klubi i vetëm i qytetit me traditë 98-vjeçare. Lusim kryetarin e Komunës, Agim Aliu, aksionarët që janë në klub, t’i dalin në ndihmë klubit tonë, përndryshe ky është lajmërimi i fundit para shuarjes. Dikush duhet të japë përgjegjësi për këtë gjendje të rëndë”, thuhet në njoftim.
Situatën e vështirë në klub e ka pranuar edhe drejtori sportiv, Nadir Haxhimusa. Ai ka pranuar se klubi nuk ka financa dhe se nuk mund të kërkojë nga futbollistët që të vazhdojnë të luajnë, ndonëse ata po tregohen tejet të durueshëm dhe të disiplinuar në këtë aspekt. Haxhimusa thotë se Ferizaj ka krijuar një ekip me lojtarë të rinj, kryesisht të shkollës së futbollit dhe shpenzimet e klubit janë minimale – 12 mijë euro në muaj.
“Është e pakuptimtë që askush nuk po interesohet për klubin. Nuk kemi përgjigje prej askujt dhe jemi në situatë të vështirë, ku jemi të detyruar të tërhiqemi nga garat dhe të shuhemi si klub. Lojtarët janë të interesuar të luajnë, por nuk kanë mundësi, sepse kanë shpenzimet e tyre, ndonëse si klub shpenzimet i kemi minimale, rreth 12 mijë euro për të gjithë”, tha Haxhimusa i cili shtoi se me paratë e ndara nga FFK-ja janë munduar që t’i paguajnë futbollistët. “Nuk po ka interesim prej askujt, thërras njerëz, por askush nuk lajmërohet. Unë si drejtor, sekretari edhe stafi i trajnerëve prej tre personave kemi mbetur. Të gjithë lojtarët janë të Ferizajt, vetëm dy i kemi nga Prishtina. Problemi është se nuk po interesohet askush për klubin, ne po tregojmë paraqitje të mira dhe kemi krijuar një ekip të ri dhe të mirë”.
KF Ferizaj ka gati dy vjet që është shndërruar në shoqëri aksionare dhe si e tillë është e licencuar edhe nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.
Klubi në muajin gusht të vitit 2019 është shndërruar në shoqëri aksionare, me investitorë të huaj nga Anglia që kanë marrë 51% të aksioneve dhe 49% të aksioneve të tjera i kanë marrë vendorët. Mirëpo Haxhimusa ka thënë se askush prej aksionarëve nuk po interesohet për klubin dhe as që po përgjigjen në telefonatat që po iu bëhen.
“Vështirë të përballohet kjo situatë, duhet dikush të marrë përgjegjësinë. Nuk mundem të kërkoj më shumë prej lojtarëve. Aksionarët e klubit nuk po lajmërohen. Komuna nuk ka reaguar edhe pse iu kemi dërguar kërkesë. Shpresojmë që të intervenojnë dhe të na ndihmojnë. Jemi në mëshirën e askujt”, insistoi Haxhimusa.
Në Komunën e Ferizajt pranojnë se janë në dijeni për situatën e vështirë të krijuar në klubin e futbollit tashmë një kohë të gjatë, por shtojnë se i kanë duart e lidhura për të intervenuar. Udhëheqësi i sektorit të sportit në këtë komunë, Bashkim Haxhimusa, ka thënë se vetëm kur aksionarët të tërhiqen zyrtarisht nga KF Ferizaj, atëherë mund të intervenohet. Ai zbuloi se kohët e fundit kanë diskutuar në lidhje me çështjen e klubit dhe se do të diskutojnë ditëve në vijim, por e kanë të pamundur t’i ofrojnë ndihmë financiare. Madje, ai pret një ndihmë edhe nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) që të intervenojë për dorëheqjen e aksionarëve që sipas tij e kanë sjellë klubin në gjendje të mjerueshme.
“I kemi duart e lidhura për ta ndihmuar KF Ferizajn financiarisht për shkak se është shoqëri aksionare. Ne e kemi parasysh gjendjen e vështirë të klubit dhe kemi diskutuar e do të vazhdojmë të diskutojmë, por nuk mund të intervenojmë, sepse nëse bëjmë një gjë të tillë, atëherë do ta ndihmojmë financiarisht pronarin. Aksionarët duhet të ofrojnë dorëheqje për të na hapur dyert që ta ndihmojmë klubin dhe ta mbajmë si e kemi mbajtur para se të shndërrohet në shoqëri aksionare”, është shprehur Bashkim Haxhimusa. “Shpresojmë që edhe Federata të na ndihmojë pasi ne duam të intervenojmë, por për momentin e kemi të pamundur. Ndihmën e vetme që kemi mundur ta bëjmë është që ta lejojmë klubin të stërvitet dhe të luajë në stadiumin me bari sintetik pa asnjë shpenzim. Ne për shkak të pandemisë e kemi lejuar edhe Arbërinë e Dobrajës t’i luajë ndeshjet aty pa shpenzime”.
Ferizaj këtë edicion bën gara në Grupin B të Ligës së Parë dhe pas 16 ndeshjeve të zhvilluara zë vendin e katërt në tabelë me 22 pikë të mbledhura, pesë më pak se Ulpiana e Vitia që ndajnë dy pozitat e para.