Sport

Ferizaj kthehet në Superligë me synimin për të shmangur rënien e sërishme

kf ferizaj, sport, futboll, superliga

Stinori pranveror i edicionit të kaluar garues ishte i vështirë për Ferizajn. Ferizaj ishte ndër ekipet që rrezikoi rënin nga Liga e Parë. Mirë nuk e nisi as edicionin aktual.

Por Ferizaj të enjten siguroi edhe matematikisht kthimin në Superligë. Në elitën e futbollit kosovar Ferizaj kthehet pas tre vjetësh.

Në garën për t’u kthyer në Superligë rivalen më të madhe e pati Vushtrrinë. Vushtrria të enjten humbi ndeshjen e xhiros së 24-t nga Arbëria me rezultat zyrtar, 3:0, për t’ia mundësuar Ferizajt ta festojë kthimin në elitë. Ndeshjen e fundjavës së kaluar, Vushtrria e fitoi në fushë 5:0 kundër Arbërisë. Por lëshimi nga zyrtarët e Vushtrrisë i ka kushtuar skuadrës me humbje të ndeshjes në tavolinë. Vushtrria aktivizoi në lojë Etrit Halimin pa e shënuar atë në portokolin zyrtar. Është ndeshja e dytë që vendoset në tavolinë këtë javë. Ballkani fitoi ndeshjen ndaj Ulpianës me rezultat zyrtar, pasi ekipi nga Lipjani aktivizoi një lojtar pa të drejtë loje.

“Ferizaj kthehet pas tre vjetësh në Superligë. Ferizaj në edicionin paraprak ishte një prej klubeve që rrezikonin seriozisht për të rënë nga Liga e Parë. Në qershor u bënë ndryshime në strukturën e klubit dhe është bërë një mobilizim i përgjithshëm si në segmentin organizativ ashtu edhe financiar si dhe formimin e grupit të lojtarëve. Ka funksionuar shumë mirë trekëndëshi kryesi, shtab teknik dhe lojtarë. Është një e arritur e madhe. Ferizaj meriton të ketë një klub në Superligë dhe ne do të punojmë në atë drejtim që klubi të mos bazohet në traditat e vjetra, ku pas një viti në Superligë të kalojë disa vjet në Ligën e Parë”, ka thënë drejtori sportiv i Ferizajt, Agron Selmani.

Në fakt, Ferizaj nuk ka pasur gjatë stabilitet. Edhe në të kaluarën ka garuar në Superligë, por pa arritur të jetë skuadër konkurruese.

Selmani beson se do të ketë organizim të mirëfilltë për të qenë sa më gjatë pjesë e Superligës.

“Nuk kemi kohë për pushime. Do të vazhdojmë të bëjmë një klub stabil edhe në Superligë. Klubit i ka munguar një stabilitet në strukturën organizative dhe atë financiar. Ne do të shkojmë duke ecur në tokë, duke u bazuar në brumin që ka Ferizaj dhe duke parë mundësinë e kthimit të lojtarëve të shpërndarë nëpër klubet e tjera. Për të gjitha do të marrim mendimin e shtabit teknik. Fuqinë tonë e shohim në grup”, ka theksuar Selmani.

Ai beson se pas disa edicionesh Ferizaj mund të jetë kandidat për trofe.

“Në Superligë nuk do të shkojmë sa për sy e faqe apo për të përmbushur dëshirat dhe ambiciet e klubeve të tjera. Do të fokusohemi në punën tonë hap pas hapi. Synojmë fillimisht stabilitetin në Sueperligë, sezonin e ri në mes të tabelës, eventualisht më vonë të jemi më të guximshëm. Të gjithë jemi zotuar se pasi të stabilizohemi, atëherë të synojmë të bëjmë gjëra më të mëdha”, ka thënë Selmani. Nga grupi tjetër i Ligës së Parë në Superligë tashmë është kthyer Trepça ’89.